Knaus: Franca dhe Gjermania po përgatiten të bllokojnë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se disa shtete, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, janë duke u përgatitur që të bllokojnë një votim gjatë majit për pranimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës (KiE), raporton Radio Evropa e Lirë. Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, Knaus tha […]

Knaus: Franca dhe Gjermania po përgatiten të bllokojnë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Flamuri i Kosovës dhe i BE-së. Foto: Oleksandr Filon në Canva

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se disa shtete, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, janë duke u përgatitur që të bllokojnë një votim gjatë majit për pranimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës (KiE), raporton Radio Evropa e Lirë.

Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, Knaus tha se një grup shtetesh po përgatitet të veprojnë kundër rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, që tha se Kosova ka përmbushur kriteret për të qenë pjesë e organizatës.

“Aktualisht, disa qeveri të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë atë të Gjermanisë dhe Francës, po përgatiten ta bllokojnë një votim në maj për pranimin e Kosovës, duke injoruar rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të dhënë në prill”, shkroi Knaus.

Sipas tij, një bllokim i tillë vjen pas një fushate të bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Kjo pason një fushatë të presidentit të Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, përfshirë edhe apelin e tij personal ndaj presidentit [të Francës, Emmanuel] Macron, që të mos lejojë votimin – dhe një zotim serb për të blerë 12 avionë luftarakë francezë Rafale”, shkroi Knaus.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare votoi në favor të raportit që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Çështja tani është në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës, themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut [GJEDNJ].

Gjatë mbledhjes së Asamblesë Parlamentare, Serbia kishte kërkuar që Kosovës t’i vendosej si kusht për anëtarësim, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Megjithatë, amendamenti për këtë kusht nuk mori mbështetje.