Kurti për “kontrabandimin e armëve”: Sot takohem me komandantin e KFOR-it, kjo çështje do të dihet brenda javës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se pas takimeve me institucionet e sigurisë, e përfaqësues të NATO-s, brenda kësaj jave do të dihet për pretendimet se a ka armë të kontrabanduara në kishat ortodokse serbe në Kosovë. Ai ka theksuar po sot do të ketë takim me komandantin e KFOR-it në lidhje […]

Kurti për “kontrabandimin e armëve”: Sot takohem me komandantin e KFOR-it, kjo çështje do të dihet brenda javës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se pas takimeve me institucionet e sigurisë, e përfaqësues të NATO-s, brenda kësaj jave do të dihet për pretendimet se a ka armë të kontrabanduara në kishat ortodokse serbe në Kosovë.

Ai ka theksuar po sot do të ketë takim me komandantin e KFOR-it në lidhje me këtë çështje.

Kurti ka thënë se brenda kësaj jave kjo çështje do të dihet.

“Ju e dini se çka gjetëm në Zveçan, arsenal për luftë. Ose tash kemi këto informacionet që veturat e ambulancës janë përdorur për të bartur armatim. Dhe unë sot do ta kem një takim me përfaqësuesit e NATO-s për këtë gjë. Do ta takoj edhe komandantin e KFOR’it dhe pas të gjitha këtyre takimeve edhe me institucionet tona të sigurisë do të mund ta japim fjalën tonë përfundimtare. Tash jemi duke grumbulluar të dhëna për informacionin ende të paplotësuar, por brenda kësaj jave duhet të dihet kjo çështje. Andaj, sot kam një takim ku do të shtrohet kjo temë”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR gjatë ditës së sotme ka thënë se nuk ka dëshmi për kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë dhe shfrytëzim të kishave ortodokse për t’i mbajtur ato.

Përgjigja e KFOR vjen pas deklaratave të Kryetares së Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin britanik, Alicia Kearns, e cila ka thënë se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë, përmes autoambulancave dhe po shkarkohen në kishat ortodokse, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

KFOR gjatë ditës së sotme ka thënë se “Nuk ka asnjë dëshmi për kontrabandën e supozuar që është kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca”.

Ata potencojnë se ngjarja e përmendur nga deputetja britanike Alicia Kearns i referohet vitit 2022, kur Batalioni Mbretëror Fusilian ishte i angazhuar në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it.

“Për praninë e supozuar të paligjshme të armëve është raportuar në shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtutjeshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk doli asnjë dëshmi për atë që u raportua”, kanë thënë ata.

KFOR tutje potencon se për sundim të ligjit, përgjegjëse janë institucionet e sigurisë së Kosovës.

“Ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit dhe është në kompetencë të organizatave të sigurisë së Kosovës”, kanë thënë nga KFOR në një përgjigje për mediat.

Kujtojmë se parlamentarja britanike dhe kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Britanik, Alicia Kearns, ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe për pjesëmarrje në kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë.

“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona janë vënë në dijeni për këtë dhe janë përpjekur të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, procesi i lejes zgjati shumë. Në momentin kur kishte leje– ndodhi e papritura– një ambulancë veçse kishte shkuar në kishë dhe i kishte nxjerrë jashtë përsëri të gjitha armët”, ka deklaruar Kearns.

Deputetja britanike këto deklarata i kishte bërë dje gjatë një diskutimi në kuadër të “Javës së Përkujtimit të Srebrenicës”.