“Llaskarca”, eksperti i komunikacionit: Deklaratat e dëshmitarëve nuk janë të sakta, autobusi ka shkuar drejtë, shoferi nuk ka lakuar

Për të 13-tën seancë me radhë, në Gjykatën Penale të Shkupit, vazhdoi gjykimi për aksidentin e “Llaskarcës” ku humben jetën 16 persona, me parashtrimin e pyetjeve ndaj ekspertëve të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit. Avokati i shoferit sot insistoi të marrë sqarime nga eksperti për trajektoren e lëvizjes së autobusit. Sipas ekspertit, autobusi […]

“Llaskarca”, eksperti i komunikacionit: Deklaratat e dëshmitarëve nuk janë të sakta, autobusi ka shkuar drejtë, shoferi nuk ka lakuar
Rasti "Durmo Turs" - Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk

Për të 13-tën seancë me radhë, në Gjykatën Penale të Shkupit, vazhdoi gjykimi për aksidentin e “Llaskarcës” ku humben jetën 16 persona, me parashtrimin e pyetjeve ndaj ekspertëve të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit. Avokati i shoferit sot insistoi të marrë sqarime nga eksperti për trajektoren e lëvizjes së autobusit. Sipas ekspertit, autobusi ka lëvizur drejtë, derisa rruga qenë duke u lakuar, por për avokatin kjo është kontestuese pasi shumë dëshmitarë kanë thënë se autobusi ka lakuar në të majtë apo djathtë. Eksperti tha se këto dëshmi nuk janë të sakta, shkruan Portalb.mk.

Tanimë disa seanca përsëriten sqarimet për teoritë e superekspertëve të komunikacionit, të cilët mes tjerash thonë se shoferi nuk ka reaguar fare as nuk ka frenuar e as nuk e ka kthyer timonin, ashtu sikur vazhdon traseja e rrugës, në të djathtë. Sipas tyre, autobusi ka lëvizur drejtë dhe ka goditur bankinat, pastaj ka dalë në pjesën e autostradës ku lëvizet në anë të kundërt, i ka goditur edhe bankinat mbrojtëse dhe ka dalë nën rrugë dhe ka përfunduar në fushë i përmbysur.

Avokati i shoferit, Lupço Micevski, nisi sot me një seri pyetjes duke cituar deklarata të dëshmitarëve të cilat, para gjykatës kanë thënë se në momentin e parë që kanë ndjerë diçka që nuk është mirë, kanë ndjerë se autobusi ka lëvizur, në të majtë, e disa kanë thënë se ka pasur lëvizje në të djathtë dhe në të majtë. Sipas avokatit, kjo e rrëzon teorinë e ekspertëve të superekspertizës së komunikacionit, të cilët thonë se shoferi fare nuk ka reaguar.

Por, pas ankesës së avokatëve të “Durmo Turs”, Gjykata nuk lejoi, pyetjen e parë me arsyetimin se “ekspertët kanë deklaruar se i kanë marrë parasysh të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve”.

Avokati vazhdoi me pyetje tjetër me të njëjtit karakter, por të një dëshmitari tjetër. Avokatët e “Durmo Turs”, sërish u ankuan.

Pas kësaj, prokurori i çështjes, Darko Jakimovski, tha se megjithatë, eksperti duhet të përgjigjet, pasi që “po përballet me teorinë e tij për lëvizje të autobusit drejtë:.

“Thotë vazhdimisht se i kemi parasysh provat, por dëshmitë e dëshmitarëve thonë se ka pasur lëvizje të autobusit”, tha Jakimovski, pas çka Gjykata lejoi të përgjigjet eksperti.

“Të gjithë dëshmitarët i kemi pasur parasysh, të cilët kanë qenë në dokumente dhe i kemi lexuar dhe analizuar. Kemi konkluduar se ka shumë kontraditka në dëshmitë e tyre. Disa thonë se autobusi ka lëvizur në të djathtë, disa ka pasur kthim të papritshëm në të majtë, e kështu me radhë.”, tha eksperti Apostollov, duke shtuar se “shihet se deklaratat nuk janë të sakta”.

Ai tha se dëshmitë e dëshmitarëve nuk janë në përputhje me teorinë e tyre se autobusi ka lëvizur drejtë.

“Për të gjithë dëshmitarët e radhës që do të më pyetni është përgjigja e njëjtë”, tha eksperti, ndaj çka gjykatësja Diana Gruevska Ilievska shtoi se “nuk mund ta dijë se cilët janë dëshmitarët”.

“Kjo është tragjedia, sepse ende pa e pyetur e di”, tha avokati Micevski.

Avokati, vazhdoi me citimin e dëshmive të dëshmitarëve para gjykatës, në pjesët ku ata kanë deklaruar se autobusi ka kthyer në të majtë ose në të djathtë.

Megjithatë, avokati vazhdoi me citimet nga deklaratat e dëshmitarëve duke kërkuar nga eksperti të thotë nëse deklaratat e tyre të cilët thonë se autobusi ka kthyer në të majtë ose të djathtë janë apo nuk janë në pajtueshmëri me deklaratën e tij që thotë se autobusi ka lëvizur drejtë.

Megjithatë, ashtu siç edhe paralajmëroi gjykatësi, pyetjet e këtilla nuk i lejoi.

“Lejova njëherë të përgjigjet eksperti, pas intervenimit të prokurorit, por pyetjet tjera të këtij lloji nuk do të lejohen për arsyet që i përmenda më herët”, tha gjykatësja Gruevska-Ilievska.

Gjatë seancës së sotme, avokati i shoferit gjithashtu e riaktualizoi edhe çështjen e frenimit të autobusit, por megjithatë, eksperti i përsëriti qëndrimet e mëparshme se “shoferi nuk ka frenuar” dhe se ngadalësimi i shpejtësisë ka ndodhur për shkak të rezistencës nga faktorë të ndryshëm të cilat mes tjerash janë, rrjedhja e lëngut të hidraulikës, gomave, e kështu me radhë.

Prej 30 majit, tanimë 13 seanca me radhë po pyeten ekipi i ekspertëve që e ka përgatitur superekspertizën e komunikacionit të porositur nga Gjykata Penale e Shkupit. Lupço Micevski, avokat i shoferit të autobusit të aksidentuar, tanimë 7 seanca seanca vazhdon me pyetjet e tij ndaj ekspertit. Paraprakisht, 5 seanca ka parashtruar pyetje prokurori, Darko Jakimovski.

  • 30 maj – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 6 qershor – u anulua seanca
  • 8 qershor – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 15 qershor – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 13 korrik – Prokuroria ka parashtruar pyetje
    Pushim veror
  • 12 shtator – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 14 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 19 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 21 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 23 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 12 tetor – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 19 tetor – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 31 tetor – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 7 nëntor – Vazhdon me parashtrimin  pyetjeve

Sipas dinamikës, së deritanishme, pasi avokati i shoferit të mbarojë me parashtrimin e pyetjeve, më pas, duhet të parashtrojnë pyetje avokatët e “Durmo Tursit”. Pastaj, do të duhet të jepen fjalët përfundimtare nga palët dhe krejt në fund të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë.

Në bisedë jozyrtare me avokatët dhe palët, ata shpresojnë që deri në dhjetor të mbarojë procesi i shkallës së parë. Nga ana tjetër, në kalendarin e gjykimeve të Gjykatës Penale, përveç seancës së sotme janë caktuar edhe 6 termine tjera. Termini i fundit për seancë gjyqësore është caktuar për më 14 dhjetor.

Superekspertiza e komunikacionit, ashtu sikur superekspertiza makinerike, është përgatitur me urdhër të gjykatës, ekspertizat paraprake kanë pasur kontradikta mes tyre. Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, fajin ia hedhin shoferit të autobusit, ndërkaq avokati i shoferit, pretendon që fajtore është kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Sipas dy ekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.

Prokurori konteston superekspertizat, ashtu sikur edhe familjarët e viktimave, ndërkaq përfaqësuesit e kompanisë “Durmo Turs”, i kane hedhur këto pretendime, duke theksuar se bëhet fjalë për ekspertizë e cila nuk është porositur prej tyre, por prej gjykatës.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.