Mbledhja e Qeverisë, këto janë vendimet që u morën
Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 200’të, ku ka miratuar disa projektligje, vendime e kërkesa. Më poshtë gjeni të gjitha vendimet: – Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZhKE) për […]
Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 200’të, ku ka miratuar disa projektligje, vendime e kërkesa.
Më poshtë gjeni të gjitha vendimet:
– Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZhKE) për Projektin “Banimi Social Adekuat”. Marrëveshja e Kredisë kap vlerën totale prej 25 milionë euro. Objektivi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i sistemit të menaxhimit të banimit social në Kosovë, dhe ngritja e numrit të njësive të banimit social në vend.
– Dhënë mendimin e saj lidhur me Nismën legjislative për “Projektligjin për Kripto- Asetet”. Përtej komenteve specifike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qeveria e Republikës së Kosovës, konstaton që Projektligji i tillë është i nevojshëm, i domosdoshëm për të harmonizuar këtë sferë të ndjeshme me legjislacionin e BE-së, dhe në dritë të kësaj, i rekomandon Kuvendit t’ju përmbahet parimeve të BE-së në kuptim të licencimit, mbrojtjes së konsumatorëve e parandalimit të abuzimit të tregut në këtë fushë.
– Aprovuar shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, Segmenti Dollc-Ramun. Ky vendim është për pjesën në vazhdim të rrugës.
– Aprovuar shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të parcelave Nr.1504-16 dhe 1504-17 dhe Objektit/Ndërtesës ish prona shoqërore ‘’Pallati i Shtypit – Nderm. Inf. Botuese”, për nevoja të Depos Qendrore të Barnave dhe akomodim të administratës së Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë ka konsideruar se funksionalizimi i kësaj hapësire, pra e Depos Qendrore do t’i shërbejë për deponim të barnave dhe ruajtjen e produkteve e pajisjeve medicinale. Gjithashtu kanë planifikuar që një pjesë të objektit ta shfrytëzojnë për transferim të një pjese të administratës së Ministrisë së Shëndetësisë.
– Themeluar Parkun Industrial dhe Teknologjik me emërtimin Park i Përgjithshëm në Komunën e Podujevës më kohëzgjatje prej 99 vjet. Komuna e Podujevës ka adresuar kërkesën për krijimin e Parkut Industrial. Pas vlerësimeve nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka sjellë vendimin për themelimin e tij. Më këtë Park Industrial, krijohet ambienti fizik me infrastrukturë përcjellëse për bizneset vendore dhe ndërkombëtare; ndikojmë në tërheqjen e investimeve të reja; zgjerohen kapacitetet e ndërmarrjeve industriale ekzistuese; ofrohen mundësi të reja për qasje në tregun e punës, si dhe ndikojmë në rritjen e prodhimit e konsumit vendor. Pronat e paluajtshme më të cilat themelohet Parku industrial dhe teknologjik në vendin e quajtur Livadicë, Komuna e Podujevës është e regjistruar në emër të komunës së Podujevës dhe është në sipërfaqe prej 298 314 m2.
– Ndryshuar dhe plotësuar vlerën e shpenzimeve të transportit detar dhe kontejnerëve në Shtojcën 2. të Udhëzimit Administrativ Nr.062015 për Përcaktimin e Kostos së Shpenzimeve të Transportit të Mallrave të Importuara, konform listës së çmimeve të përditësuara. Dogana e Kosovës, gjatë vlerësimit, analizës, hulumtimeve dhe përcjelljes së trendit të lëvizjes së çmimeve sa i përket shpenzimeve të transportit detar, për shkak të krizës në Detin e Kuq/ kanali i Suezit ka vërejtur ndryshim në ngritje të çmimeve sidomos atyre nga Azia. Me qëllim të ndjekjes dhe harmonizimit të çmimeve të transportit detar, Dogana e Kosovës ka rekomanduar rishikimin e shpenzimeve të transportit detar me kontejnerë, duke qenë se janë vërejtur ndryshime në ngritje të çmimeve.
– Miratuar vendimin me të cilin i rekomandohet Presidentes së Republikës së Kosovës që ta autorizojë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit Saudit për Zhvillim për Projektin e Magjistrales Prishtinë – Mitrovicë. Qeveria e Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka negociuar një marrëveshje të kredisë me Fondin Saudit për Zhvillim për projektin e Magjistrales Prishtinë – Mitrovicë. Shuma totale kapë shifrën e afro 17 milionë euro, nga të cilat rreth 13 milionë euro janë kredi e marrë nga Fondi Saudit për Zhvillim dhe 4 milionë euro janë kontribut i Qeverisë sonë. Qëllimi i këtij projekti është lidhja e kryeqytetit me qytetet e Vushtrrisë dhe Mitrovicës, kurse zbatimi do të bëhet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
– Miratuar vendimin me të cilin i rekomandohet Presidentes së Republikës së Kosovës që ta autorizojë Zëvendëskryeministrin e Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, për nënshkrimin e amendamentimit Nr. 2. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2016
– Ndarë 10 milionë euro për zbatimin e Masës 2.2 – Mbështetje bizneseve për qasje në financa të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
– Miratuar Koncept-dokumentin për fushën e Transportit Tokësor të Mallrave të Rrezikshme. Për shkak të mangësive të identifikuara në legjislacionin aktual, dhe për shkak të vështirësive që janë hasur në terren, ky koncept-dokument propozon mundësinë e plotësim ndryshimit të legjislacionit ekzistues.
– Miratuar Koncept-dokumentin për fushën e Zejtarisë. Sipas propozimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me koncept dokumentin për fushën e zejtarisë, gjegjësisht ligji i ri do t’i shërbejë parimit të promovimit të rritjes ekonomike të qëndrueshme. Me këtë koncept-dokument do të ketë ndikim pozitiv në sektorin e ndërmarrjeve. Kjo përfshinë edhe aftësimet profesionale, por edhe mundësinë e zhvillimit të bizneseve të sektorit të zejtarisë, duke mbështetur prodhimin dhe ofrimin e shërbimeve në këtë fushë.
– Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 05/24, të datës 14 gusht 2020. Ky plotësim-ndryshim po bëhet për Riorganizimin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime. Jemi të përkushtuar ndaj themelimit të mekanizmit për dialog publiko-privat, duke përfshirë të gjithë akterët që mund dhe kanë detyrë të kontribuojnë ndaj zhvillimit ekonomik në Republikën e Kosovës. Përballë Agjencisë për Investime dhe Eksport që Qeveria synon të themelojë në Zyrën e Kryeministrit, ky Këshill do jetë ndër mjetet esenciale për ndërtim të dialogut të domosdoshëm për avancim të ekonomisë tonë.
– Ndarë 200 mijë euro për Zyrën e Kryeministrit, përkatësisht për nevojat e Zyrës së Ekspertizës. Kjo zyre do të lehtësojë angazhimin efikas të ekspertëve për projekte në fusha të ndryshme. Përveç këtij përfitimi të menjëhershëm, financimi fillestar i caktuar për këtë zyrë do të shënojë fillimin e një njësie të qëndrueshme. Kjo njësi do të shërbejë si burim për sigurimin e ekspertizës për Qeverinë tonë, duke rritur kapacitetet institucionale për planifikimin dhe zbatimin efikas të projekteve.