Merovci na e “rikthen” Rugovën në përvjetorin e Pavarësisë: Shtëpia nuk mbahet pa miq

Ideali jetësor i tij ishte që Kosovën ta shihte shtet të pavarur e demokratik. Nuk arriti të ishte pjesë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, anipse kishte punuar pa reshtur në çështjet kombëtare. Dy vjet para se Kosova ta fitonte Pavarësinë, ai u nda nga kjo jetë, por përvjetori i shtetësisë nuk është i përmbushur […]

Merovci na e “rikthen” Rugovën në përvjetorin e Pavarësisë: Shtëpia nuk mbahet pa miq
merovci-na-e-“rikthen”-rugoven-ne-pervjetorin-e-pavaresise:-shtepia-nuk-mbahet-pa-miq

merovci-na-e-“rikthen”-rugoven-ne-pervjetorin-e-pavaresise:-shtepia-nuk-mbahet-pa-miq

Ideali jetësor i tij ishte që Kosovën ta shihte shtet të pavarur e demokratik.

Nuk arriti të ishte pjesë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, anipse kishte punuar pa reshtur në çështjet kombëtare.

Dy vjet para se Kosova ta fitonte Pavarësinë, ai u nda nga kjo jetë, por përvjetori i shtetësisë nuk është i përmbushur pa të dhe veprën jetësore të tij.

Presidenti historik, Ibrahim Rugova, mbeti shëmbëlltyrë për gjeneratat se si burrështetas i mbijetoi çdo sfide në kohën më të rëndë për Kosovën.

Veprën dhe jetën e tij na sjellë në këtë përvjetor të 16-të të Pavarësisë së Kosovës, dikush që rrugëtimin e bëri bashkë me Rugovën.

Bashkëpunëtori më i afërt i tij, Adnan Merovci, dhe ish-shef i protokollit ka folur në një intervistë për Front Online.

Merovci tregoi se ish-presidenti njëherë ishte krijues letrar e pastaj u murr me politik.

Ai që nga fillimi inkurajoi njerëzit për atdhedashuri.

 “Ibrahim RUGOVA fillimisht ishte krijues letrar dhe pastaj kaloi në veprim politik. Ky është një ndryshim i madh për një njeri i cili nga letërsia kalon në politikë. Ai që nga fillimi kultivoi dhe inkurajoi ndjenjat njerëzore për atdhedashuri dhe të drejta natyrore të shqiptarëve”, deklaroi ai.

Me moton “Liri, Pavarësi, Demokraci”, Rugova nuk bëri dallime tek populli, thotë Merovci.

“Ai nuk bëri dallime as nuk klasifikoi njerëz në të kaluar dhe në të tashëm, pra arriti ta homogjenizoi tërë popullin për kauzën e tij të shprehur me moton: “ Liri, Pavarësi, Demokraci”. Duke i patur këto parasysh shumë më lehtë mund të kuptohet dhe deri në një masë mund të njihet personaliteti i tij”, u shpreh Merovci për Front Online.

 Merovci: Të punosh me Ibrahim Rugovën nuk ishte e lehtë, ishte intelektual kulminant

Personi i cili i qëndroi më së afërmi gjatë jetës Ibrahim Rugovës ishte Adnan Merovci.

Ky i fundit tha se “të punosh me Rugovën nuk ishte e lehtë”.

Ai punonte me orë të tëra.

Ishte intelektual kulminant, kështu e vlerësoi Merovci, ish-Presidentin.

Ai ka rrëfyer në detaje virtytet që e karakterizonin Rugovën.

“Të punosh me RUGOVËN nuk ishte lehtë sepse ai kishte orë të rëndë, ai të impononte vetëkontroll dhe përgjegjësi pa të kontrolluar fare. Ai ishte fjalë pak por rrezatonte një profetizomë të paparë. Të bënte për vete në moment. Kishte një memorie mahnitëse. Për një detaj të vogël ishte në gjendje ta rikujtonte pas një kohe të gjatë. Ishte intelektual kulminant. Njihte historinë dhe kur diçka shpjegonte nuk linte dilema kuptimore”.

“Shtëpia nuk mbahet pa miq”.

Kjo ishte njëra ndër shprehjet që përdorte Rugova, tregon Merovci.

“Respektonte njerëzit pa marrë parasysh statusin e tyre njerëzor, familjar, intelektual, etj. Thoshte: “Shtëpia nuk mbahet pa miq”. Ishte popullor dhe shumë i dashur!”, tregon ai.

Merovci tregon momentin kur filloi punën me vetiniciativë me Ibrahim Rugovën.

“Unë pata fatin dhe kurajon që ti afrohem nga dita e parë me vetiniciativë. Askush nuk më ofroi, kërkoi apo detyroi të punoj afër ti. Në atë kohë unë isha inxhinier me master dhe në punë me përvojë 10-vjeçare në Bankën e Kosovës. Unë iu afrova RUGOVËS e ai njohu dhe respektoi punën time”, rrëfen Merovci për Front Online.

 Merovci për Rugovën: Pavarësinë e Kosovës e shihte si kompromis ndaj Bashkimit Kombëtar

Se sa ka arritur Kosova të përmbush ëndrrën e Ibrahim Rugovës që e shihte ndryshe, në një rrëfim për Front Online ka folur, ish-shefi i protokollit, Adnan Merovci.

Ai thotë se ish-Presidenti Rugova,  Pavarësinë e shihte si kompromis ndaj Bashkimit Kombëtar.

Kërkonte më të mirën e të arritshmen për Kosovën, thotë Merovci.

“Dijetari RUGOVA, ishte marathonomak i kërkesës së tij politike për pavarësi të Kosovës. Bile ai thoshte se pavarësia është kompromis ndaj bashkimit kombëtar. Megjithatë ishte koherent dhe i kishte të njohura standardet e kohës dhe kërkonte të mundurën maksimale të arritshme”, tregon Merovci.

 Merovci: Ibrahim Rugova e dëshironte miqësinë e përhershme me SHBA-në

Rinia ishte pika e dobët e Ibrahim Rugovës.

Adnan Merovci tha se ish-Presidenti, Kosovën e dëshironte me miqësi të përhershme me SHBA-të.

Këto janë tri elementët që sipas Merovcit e dëmtonin Kosovën e Rugovës.

“Ai Kosovën e ka pa përmes rinisë së saj. Ishte i apasionuar rreth pasurive nëntokësore të Kosovës dhe minierave të saj. Thoshte se Kosova mundet të jetë Zvicra e Ballkanit. Ai nuk e imagjinonte Kosovën pa njerëz dhe kjo ishte arsyeja e përcaktimit të tij paqësor për ruajtjen e qenies njerëzore. Kosovën RUGOVA e dëshironte dhe punonte për të të jetë e lirë, demokratike dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të. Kushdo që cenonte këto tri elemente ai dëmtonte Kosovën e RUGOVËS”, u shpreh Merovci.

 Merovci: LDK-ja dhe Ibrahim Rugova ishin dhe mbesin begatia më e madhe e shekullit të kaluar

Adnan Merovci, njeriu më i afërt i ish-Presidentit historik, Ibrahim Rugova ka folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai në një rrëfim për Front Online thotë se fillimet e LDK-së ishin ndryshe nga ato më vonë.

Ndryshimi erdhi pas luftës.

 “Partia e RUGOVËS (LDK-ja) në fillim kishte primesat e një lëvizjeje kombëtare. Ajo merrej me jetën e njeriut, me shëndetësinë, arsimin, solidaritetin, kulturën etj në kushte të një pushtimi klasik me tankse nga regjimi serb. Pas lufte LDK-ja iu nënshtrua metamorfozës së saj normale duke garuar në tregun politik dhe populli ia dha votën e merituar, thotë ai.

Traditën e themelin unik të kësaj partie nuk po e shfrytëzojnë të gjithën, thotë Merovci.

Ai e mbylli rrëfimin duke thënë se begati mbesin, LDK e Ibrahim Rugova.

“Sot LDK-ja duhet të kuptohet si parti normale me një traditë dhe themel unik të cilin fatkeqësisht nuk po e shfrytëzon në plotni. D.m.th. njerëzit e moshuar që ishin pionier dhe shumë të devotshëm të kësaj partie nuk po shfrytëzohen mjaftueshëm nga lidershipi aktual. Megjithatë nuk është gjendja jo normale. Këto gjëra ndodhin gjithandej në botë, por LDK-ja dhe Ibrahim RUGOVA ishin dhe mbesin begatia më e madhe e shekullit të kaluar”, përfundoi Merovci. 

I lindur më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, Ibrahim Rugova ishte bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte lëvizja e parë demokratike gjithë popullore në Kosovë, duke e transformuar këtë lëvizje në parti politike.

Me moton Liri, Pavarësi e Demokraci, presidenti Rugova ishte kryetari i LDK-së që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur ndërroi jetë.

Në 18-vjetorin e vdekjes, pranë varrit të Rugovës, u bënë homazhe dhe u nderua vepra e ish-Presidentit nga liderët e vendit, bashkëpartiakë, bashkëpunëtorë të tjerë dhe ambasadorë të vendeve të tjera të akredituara në Kosovë./Front Online/