Michel: Dhuna nuk është e pranueshme, mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen

Presidenti i Këshillit Evropian ka thënë në një intervistë me një grup të gazetarëve në Bruksel, se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, që nis të zbatohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm, është një vendim i dukshëm për qytetarët dhe për përkushtimin e BE-së ndaj tyre. Ka thënë se sa u përket […]

Michel: Dhuna nuk është e pranueshme, mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen
michel:-dhuna-nuk-eshte-e-pranueshme,-mosmarreveshjet-mes-kosoves-dhe-serbise-duhet-te-zgjidhen

michel:-dhuna-nuk-eshte-e-pranueshme,-mosmarreveshjet-mes-kosoves-dhe-serbise-duhet-te-zgjidhen

Presidenti i Këshillit Evropian ka thënë në një intervistë me një grup të gazetarëve në Bruksel, se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, që nis të zbatohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm, është një vendim i dukshëm për qytetarët dhe për përkushtimin e BE-së ndaj tyre. Ka thënë se sa u përket vendimeve rreth Kosovës në procesin e zgjerimit “kjo do të varet nga raporti i Komisionit Evropian”

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka paralajmëruar se në samitin joformal të BE-së në Grënada të premten, sikur edhe në samitin e Bashkësisë Politike Evropiane një ditë më herët në të njëjtin qytet, zgjerimi i BE-së dhe reforma e Unionit do të jenë ndër temat kryesore.

Ai ka shprehur kënaqësi që propozimi i tij që viti 2030 të caktohet si një afat kohor deri kur edhe BE-ja, edhe vendet që synojnë anëtarësimin të bëhen gati për zgjerim.

Presidenti i Këshillit Evropian ka thënë në një intervistë me një grup të gazetarëve në Bruksel, ku ishte ftuar edhe “Koha Ditore”, se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, që nis të zbatohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm, është një vendim i dukshëm për qytetarët dhe për përkushtimin e BE-së ndaj tyre. Ka thënë se sa u përket vendimeve rreth Kosovës në procesin e zgjerimit “kjo do të varet nga raporti i Komisionit Evropian”.

Por në shumë pyetje lidhur me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Kosovën, Michel u është referuar tensioneve në raportet Kosovë – Serbi. Ka paralajmëruar se në margjinat e samitit në Grënada, do të ketë diskutime mes liderëve edhe për situatën aktuale.

“Dhuna nuk është e pranueshme. Është me rëndësi që liderët në vendet e Ballkanit Perëndimor të kuptojnë se për integrim në Bashkimin Evropian, krahas reformave që kërkohen, kusht është edhe zgjidhja e mospajtimeve bilaterale. Mospajtimet mes Kosovës dhe Serbisë, po ashtu, duhet të zgjidhen si kusht për integrim në BE”, ka thënë Michel.

I pyetur se si mund të flitet në një anë për zgjerimin e BE-së e në anën tjetër rajoni duket të jetë më afër luftës sesa integrimit në BE, Michel ka thënë se BE-ja me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët, njëzëshëm po angazhohen që dhuna të mos tolerohet”.

“Duhet t’i bindim liderët në rajon se dhuna nuk tolerohet dhe se diplomacia e dialogu janë rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve. Kur ka tensione kjo ndikon keq edhe në investime në rajon dhe kjo shkon në dëm të vendeve të rajonit”, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian.

Michel në këtë intervistë ka thënë se ai i mbetet besnik idesë së tij që viti 2030 të jetë afat kur edhe BE-ja, edhe vendet kandidate të jenë gati për zgjerim.

“Ky afat është ambicioz por edhe real”, ka thënë Michel, duke shtuar se i vjen mirë që prej kur e ka përmendur këtë afat, ai është bërë një kornizë rreth së cilës tash zhvillohet i tërë debati për zgjerimin e BE-së në të ardhmen.

Presidenti i Këshillit Evropian ka thënë se në samitin e Grënadës tema e zgjerimit do të diskutohet në mënyrë joformale, por vendime konkrete për këtë proces priten në samitin formal në Bruksel në muajin dhjetor, kur do të zhvillohet edhe samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor. Ai ka përmendur vendimet e mundshme për Ukrainën dhe Moldavinë, me të cilat mund të vendoset të nisen negociatat e anëtarësimit. Ka përmendur edhe Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën e Gjeorgjinë, por jo edhe Kosovën.

Në pyetje se a pritet ndonjë hap rreth Kosovës, e cila në dhjetor të vitit të shkuar ka aplikuar për anëtarësim në BE e asnjë hap nga Këshilli nuk ka pasuar, Michel ka thënë se edhe kjo “do të varet nga raporti i Komisionit Evropian”.

Presidenti i Këshillit Evropian ka mbështetur edhe propozimet që vendet e përfshira në procesin e zgjerimit gradualisht të integrohen në disa politika të BE-së dhe në struktura të unionit edhe pa pasur nevojë të presin anëtarësimin e plotë formal. Ka thënë se i vjen mirë që edhe për këtë ide ka gjithnjë e më shumë përkrahje nga liderët e BE-së.