Ministria e Drejtësisë: Këshilli Gjyqësor ka pesë muaj që nuk sanksionon kryetarin e Gjykatës së Kumanovës për keqpërdorimet e sistemit AKMIS

Ministria e Drejtësisë sot përmes një reagimi njoftoi se përkundër vërejtjeve dhe shkresave  për parregullsitë e konstatuara në punën e Gjykatës Themelore të Kumanovës, Këshilli Gjyqësor është duke zvarritur dhe nuk vepron sipas Raportit, i cili është përgatitur nga ana e tyre dhe i cili është publikuar publikisht në ueb faqen e Këshillit, transmeton Portalb.mk. […]

Ministria e Drejtësisë: Këshilli Gjyqësor ka pesë muaj që nuk sanksionon kryetarin e Gjykatës së Kumanovës për keqpërdorimet e sistemit AKMIS
Ministria e Drejtësisë, foto nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ministria e Drejtësisë sot përmes një reagimi njoftoi se përkundër vërejtjeve dhe shkresave  për parregullsitë e konstatuara në punën e Gjykatës Themelore të Kumanovës, Këshilli Gjyqësor është duke zvarritur dhe nuk vepron sipas Raportit, i cili është përgatitur nga ana e tyre dhe i cili është publikuar publikisht në ueb faqen e Këshillit, transmeton Portalb.mk.

Konkretisht, thonë nga Ministria e Drejtësisë se Këshilli Gjyqësor më 1 shkurt të këtij viti ka bërë një vizitë pune në Gjykatën Themelore të Kumanovës dhe ka përgatitur Raport në të cilin janë konstatuar një sërë shkeljesh të reputacionit të funksionit të gjykatësit, shkelje të rënda të parimit të mos diskriminimit  në  çdo bazë, përdorimi i fjalorit të papërshtatshëm, fyerje dhe nënçmimi i të  punësuarve  nga UD Kryetari i  gjykatës, si dhe keqpërdorimi  me sistemin AKMIS, gjë që ndikon shumë në marrëdhëniet dhe punën e gjykatës.

“Duke marrë parasysh se Raporti është publikuar,  Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga më 11 prill, i ka dërguar shkresë  Këshillit Gjyqësor, ku ka kërkuar të ndërmerren masa apo veprime të duhura në lidhje me pretendimet e konstatuara, veçanërisht për shkak të asaj se shqyrtimi i Raportit ishte në rend dite në seancën e Këshillit Gjyqësor të mbajtur më 13 mars”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga atje shtojnë se në raport janë cekur edhe keqpërdorimet e sistemit AKMIS, përjashtimi i gjyqtarëve të caktuar nga shpërndarja automatike e lëndëve si dhe nga këqyrja në  lëndët në grupin punues është konstatuar se procedura është zgjatur shumë dhe është stërzgjatur, si dhe verifikimi i lëndëve në sistemi AKMIS ishte i parregullt dhe jo azhur.

“Nga Këshilli Gjyqësor, më 12 prill, kemi marrë njoftim se shkresa i është dorëzuar për njohje dhe kompetencë dhe veprim të mëtutjeshëm, koordinatorit për monitorimin e punës së Gjykatës Themelore Kumanovë, anëtarit të Këshillit Hanif Zendeli. Përgjigje nuk morëm, pas së cilës Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, më 22 qershor i ka dërguar sërish Këshillit Gjyqësor urgjencë  për të vepruar sipas kërkesës për gjendjen e konstatuar në Raport. Nga 8 pikat e paraqitura, 7 i referohen kushteve në gjykatë për konstatimin e marrëdhënieve të prishura nder njerëzore dhe raportin jo korrekt të UD Kryetarit të gjykatës ndaj disa të punësuarve”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga atje theksojnë se më 29 qershor nga ana e Zëvendëskryetarit të  Këshillit Gjyqësor, Hanif Zendeli, është dërguar  përgjigje se është përgatitur Raport shtesë, i cili duhet të shqyrtohet në seancën e Këshillit Gjyqësor, pas së cilës do të na informojnë për gjendjen e konstatuar.

Ministria e Drejtësisë apeloi që Këshilli Gjyqësor të veprojë në përputhje me kompetencat e tij, sepse mos dënimi i rasteve të tilla, do të çojë në dëmtimin e mëtejshëm të reputacionit të Këshillit, e me këtë edhe në uljen e besimit tek gjyqësori.

Raporti i plotë për Gjykatën Themelore të Kumanovës gjendet KËTU.

Kujtojmë se, euroambasadori Dejvid Gir më pesë korrik njoftoi se, Bashkimi Evropian (BE) ka dërguar dërgon mision vlerësues në Maqedoninë e Veriut në lidhje me punën e Këshillit Gjyqësor, pas disa skandaleve dhe trazirave së fundmi. Giri sqaroi që tashmë kjo i është propozuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe shpreson se do të realizohet sa më shpejtë që është e mundur. Ai theksoi që duhet të korrigjohet puna e Këshillit Gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor muajin maj ka qenë cak i kritikave negative nga ndërkombëtarët, pasi ish-kryetarja Vesna Dameva u shkarkua nga posti i saj më 26 prill. Në seancën e Këshillit Gjyqësor ka pasur debat kur Dameva ka refuzuar të vendosë një pikë votimi që nuk ishte në rend dite. Zëvendësi i saj Selim Ademi bëri thirrje për votim për shkarkimin e saj. Ai është mbështetur nga shtatë anëtarë dhe ka deklaruar se Dameva është shkarkuar dhe në prani të saj ka marrë drejtimin e seancës.

Pas skandalit ka ardhur një reagim nga ambasada amerikane. Nga aty theksuan se anëtarët e Këshillit kanë për detyrë ndërtimin e një sektori të pavarur gjyqësor. Pas dorëheqjeve të dy gjyqtarëve, Koalicioni “Të gjithë për një proces të drejtë” u bëri thirrje anëtarëve të tjerë që të dorëzojnë dorëheqjet. Gjykatësit kanë ardhur në pozitë tanimë tetë muaj, ndërkaq mandati i tyre është gjashtëvjeçar.