RMV, me aksion për dhurimin e gjakut u shënua Dita Botërore e Lirisë së Medias

Me aksionin për dhurimin e gjakut që u zhvillua sot (02.05.2024) në katër qytete të Maqedonisë, gazetarët dhe punonjësit e medias shënuan 3 majin – Ditën Botërore të Lirisë së Medias, transmeton Portalb.mk. Aksionit të organizuar nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik (SPGPM) me mbështetjen e Kryqit të Kuq të Qytetit të […]

RMV, me aksion për dhurimin e gjakut u shënua Dita Botërore e Lirisë së Medias
Aksioni për dhurimin e gjakut me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Medias. Foto: SPGPM

Me aksionin për dhurimin e gjakut që u zhvillua sot (02.05.2024) në katër qytete të Maqedonisë, gazetarët dhe punonjësit e medias shënuan 3 majin – Ditën Botërore të Lirisë së Medias, transmeton Portalb.mk.

Aksionit të organizuar nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik (SPGPM) me mbështetjen e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, i janë bashkangjitur dhjetëra gazetarë dhe punëtorë mediatikë nga Shkupi, Shtipi, Strumica dhe Manastiri.

Ky aktivitet mbahet për të dytin vit radhazi dhe është pjesë e fushatës për shënimin e Ditës Botërore të Lirisë së Medias, e udhëhequr nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, anëtare e së cilës është edhe SPGPM.

Me këtë rast, kryetari i SPGPM-së, Pavle Belovski, mbajti fjalën e tij, i cili tha se me rastin e kësaj dite duhet të dërgohen dy mesazhe të rëndësishme.

“Sot nga këtu duhet të dërgojmë disa mesazhe të rëndësishme dhe ato kanë të bëjnë me lirinë e medias, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e lirisë së fjalës. Liria e medias bazohet në dy themele. Është vendi i shëndetshëm i punës dhe liria e shprehjes, pra e drejta e mendimit të lirë. Dhe këtu duhet të pyesim veten nëse po punojmë në kushte të tilla. Megjithatë, shifrat janë shkatërruese, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të theksojmë se 70% e punonjësve, mbi 2000 punonjës të medias, paguhen nën mesataren kombëtare dhe po aq duan të largohen nga ky profesion”, ka thënë Belovski.

Sipas tij, solidariteti është shumë i rëndësishëm në luftën për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

“Njëqind e njëzet kolegë tanë në botë humbën jetën. Prandaj duhet të solidarizohemi dhe të tregojmë sot me këtë fushatë dhurimi gjaku se edhe pse puna jonë shpeshherë lavdërohet dhe inkurajohemi që jemi më të rëndësishëm se të tjerët, nuk është kështu, ne jemi njerëz të thjeshtë, por jemi të rëndësishëm për një çështje, dhe ajo është se ne kujdesemi për demokracinë dhe përmes punës sonë inkurajojmë lirinë e shprehjes dhe ndërtojmë shoqëri më të mira. Por që të mund të ndërtojmë një shoqëri më të mirë dhe një demokraci të shëndoshë, duhet të kemi parasysh se duhet të jemi të lirë në atë që bëjmë”, shtoi Belovski.

Në këtë ngjarje foli edhe Dragan Sekulovski, drejtor ekzekutiv i ShGM-së, i cili theksoi se kjo ditë është e rëndësishme në luftën e gazetarëve për kushte më të mira pune.

“Gazetarët shpesh punojnë në mjedise të pasigurta, duke u përballur me censurën, ngacmimin, frikësimin dhe madje edhe dhunën. Liria e medias është e lidhur ngushtë me të drejtën e qytetarëve për qasje në informacion. Kjo ditë qëndron për lirinë e informimit si e drejtë themelore e njeriut, kyç për vendimmarrje të informuar dhe funksionimin e një demokracie”, tha Dragan Sekulovski.

Sekretarja e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit, Suzana Tuneva Paunovska, falënderoi për humanizmin dhe shtoi se funksioni i gazetarëve është shumë i rëndësishëm.

“Aktiviteti juaj, puna juaj në shoqërinë tonë dhe globalisht në nivel botëror vërtet tregon se jeni njerëz që meritoni respekt sepse si në kohë paqeje ashtu edhe në kohë krizash, luftërash jeni këtu për të informuar njerëzit për atë që po ndodh. Besoj se numri prej 125 gazetarësh që humbën jetën në një vit edhe në vendin e tyre të punës flet se sa të ekspozuar jeni ndaj rreziqeve. Megjithatë, përsëri e theksoj se mënyra se si e festojmë këtë ditë në Maqedoni vërtet tregon respekt për jetën”, tha Tuneva-Paunovska.