Si funksionojnë mashtimet gjatë blerjeve online: ju shesin produkt të gabuar, e pastaj ju bllokojnë

Ka porositur një orë të madhe muri me dizajn modern, ka marrë një të vogël prej plastike me logon e klubit të futbollit “Manchester United”. Një zonjë tjetër ka porositur një fustan të gjelbër të mbyllur me motive me lule të zeza dhe një xhaketë, e ka marrë një fustan me ngjyrë të kaltër të […]

Si funksionojnë mashtimet gjatë blerjeve online: ju shesin produkt të gabuar, e pastaj ju bllokojnë
Foto: Kolazh, Meta.mk

Ka porositur një orë të madhe muri me dizajn modern, ka marrë një të vogël prej plastike me logon e klubit të futbollit “Manchester United”. Një zonjë tjetër ka porositur një fustan të gjelbër të mbyllur me motive me lule të zeza dhe një xhaketë, e ka marrë një fustan me ngjyrë të kaltër të hapur që ka qenë krejtësisht ndryshe nga ai që e ka porositur dhe në vend të luleve të printuara ka pasur flutura. Dikush tjetër ka porositur një bluzë sportive të verdhë, e ka marrë një të bardhë, dikujt i kanë ardhur doreza me një gisht më pak, ndërsa një tjetri që ka porositur një lodër qen, i kanë dërguar një barbi. Pasi i kanë dhënë paratë, mashtruesit i kanë bllokuar, produktin nuk mund ta kthejnë, e as ta zëvendësojnë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Me zhvillimin e internetit qytetarët gjithnjë e më shumë gravitojnë drejt tregtisë online, e si rrjedhojë, duke pasur parasysh njohuritë e pamjaftueshme digjitale dhe financiare të tyre, ata gjithnjë e më shpesh bëhen viktima të tregtarëve mashtrues. Me qindra njerëz në grupet e mediave sociale tregojnë për përvojat e tyre negative me dyqanet që i gjejnë në internet. Grupi në Facebook në të cilin blerësit ankohen për mashtrimet online tani ka mbi 64 mijë anëtarë dhe aty mund të lexoni shumë përvoja të ndryshme të qytetarëve të mashtruar. Por, në parim, mënyra e mashtrimit është e njëjtë.

Lehtësia e vendosjes së produkteve dhe çmimeve në internet së bashku me anonimitetin që e mundëson interneti i inkurajon mashtruesit dhe për momentin mënyra e vetme se si mund të mbrohen qytetarët është që të kenë kujdes se ku blejnë.

Mënyra se si funksionojnë këto dyqane online është e thjeshtë. Ata krijojnë një profil në rrjetet sociale, ngarkojnë në to foto që ta tëheqin vëmendjen e blerësve, ndërsa pasi ndonjë nga blerësit të ketë bërë porosi, ata ia dërgojnë produktin në adresë. Pagesa bëhet me para në dorë dhe ato i jepen punonjësit të postës për kargo dërgesa dhe i cili nuk ka aspak lidhje me  shitësin. Produktin nuk guxoni ta hapni kur e merrni nga punonjësi i kompanisë që bën transportin e mallrave, ndërsa e paguani gjatë dorëzimit. Me qenë se një pjesë e shitësve online nuk janë të regjistruar dhe nuk paguajnë tatim, blerja dhe shitja bëhet “në të zezë”, dhe nuk jepet llogari fiskale.

Mashtrimet që raportohen janë nga ato me produkte të dëmtuara e deri tek dërgimi i produkteve që janë krejtësisht të ndryshme nga ato të cilat i ka porositur blerësi. Meta.mk kontrolloi disa nga profilet me më shumë ankesa. Pra, një pjesë e madhe e tyre janë profile që pas një kohe të caktuar e ndryshojnë emrin e dyqanit. Pasi të jenë bërë publike pakënaqësitë e klientëve, pronarët e “dyqaneve online” krijojnë profile të reja, me emër tjetër, por që i ofrojnë të njëjtat produkte në të njëjtën mënyrë tashmë të njohur. Kur ju shkruani për t’u ankuar dhe për t’u kërkuar zëvendësim, ata ju bllokojnë dhe ju nuk mundemi të kontaktoni më me ato.

Veshje, këpucë, pajisje shtëpiake dhe dekorime janë vetëm disa produktet që i ofrojnë tregtarët mashtrues, të cilat njerëzit shpesh i blejnë për shkak të çmimeve të volitshme dhe dërgesës së shpejtë në shtëpinë e tyre. Këto profile nuk janë vetëm vendore, por shpesh porositë bëhen edhe nga Kosova dhe Turqia.

Për t’i fshehur përvojat negative bëhen edhe postime anonime dhe nga profile të rreme që tregojnë për përvoja pozitive.

Nëse e shohim vetëm tregtinë legale online, vihet re se ajo po rritet shumë shpejt.  Kështu, sipas të dhënave të Bankës Popullore, vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2023 janë shpenzuar mbi 330 milionë euro për tregtarët online në vend.

Në këto të dhëna nuk janë përfshirë dyqanet që ndodhen në rrjetet sociale dhe për produktet e të cilave ju i paguani me para në dorë dërguesit, por tregojnë për një frekuencë të shtuar të blerjeve online. Numri i përgjithsëm me siguri është shumë më i lartë.

Mbrojtja e vetme është edukimi

Për momentin në Maqedoni nuk ka asnjë mënyrë për t’i mbyllur dyqanet jolegjitime.

Me qenë se dyqanet që mashtrojnë përmes rrjeteve sociale nuk japin llogari fiskale dhe tregtari nuk është i regjistruar, Inspektorati Shtetëror i Tregut nuk ka kompetencë të veprojë.

“Nëse tregtari të cilit i referohet kallëzimi nuk është i regjistruar, ne si institucion nuk kemi kompetencë të veprojmë. Në shumicën e rasteve ata që shesin përmes rrjeteve sociale nuk janë të regjistruar, kështu që është e pamundur të gjenden dhe as të veprohet sipas kallëzimit të dorëzuar”, thuhet në ueb-faqen e inspektoratit.

Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë (OKM) mund të ndihmojë vetëm duke edukuar, sepse mekanizma të tjerë mbrojtës nuk ka. Qytetarët e pakënaqur edhe nëse i drejtohen shërbimeve inspektuese, ata do t’u kërkojnë dokumente sepse në Ligjin për Konsumatorë thuhet se mund të reagohet, por vetëm me llogari fiskale.

“Për veshjet e blera online nuk mund të bëhet asgjë sepse nuk keni adresë të kompanisë, nuk keni llogari fiskale, nuk keni kontakt tjetër. Ju keni vetëm një konfirmim nga posta që ju ka dorëzuar produktin, por kjo nuk mjafton. Nëse nuk ju japin fiskale, mos blini”, thekson Tatjana Tasevska nga OKM në një tekst për Meta.mk.

Në vitin 2021 u krijua regjistri i e-tregtarëve, i cili përmban dyqanet që bëjnë pagesë të integruar online në një nga 5 bankat në Maqedoni. Nga Regjistri për E-tregtarët thotë se në këtë mënyrë qytetarët mund të kontrollojnë se nga blejnë.

Ata theksojnë se shumica e ankesave që arrijnë tek ata vijnë vetëm nëse bëhet fjalë për porosi në Facebook (ekonomia gri), dhe jo për blerje që realizohen përmes e-tregtisë nga e-tregtarët e regjistruar.

Për t’u mbrojtur nga mashtrimet në internet, ata këshillojnë që blerësit të informohen se kush qëndron pas dyqanit online/ markës nga ku ata blejnë, cili është personi juridik dhe nëse ai ka publikuar publikisht informacion për kontakt si e-mail, numër telefoni për kontakt, etj.

“Është e rëndësishme që kur blejmë online ta kemi këtë informacion e që nëse nuk jemi të kënaqur me dyqanin online, fillimisht të dimë se ku të drejtohemi për rimbursim, kthim të parave apo zëvendësim të produktit dhe së dyti, të dimë se me kë të kontaktojmë që të ankohemi nëse diçka nuk dorëzohet në përputhje me të drejtat e konsumatorëve”, thonë nga Regjistri për e-tregtarë.

Nga atje shtojnë edhe se nëse blini nga tregtarët online të regjistruar, ato janë të detyruar t’i respektojnë të gjitha të drejtat që konsumatorët i kanë sipas ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, ndërsa kjo nuk ndodh kur blini nga dyqanet e paregjistruara në rrjetet sociale.

“Ashtu si në tregtinë tradicionale edhe për blerjet online ne duhet të informohemi dhe të gjejmë sa më shumë informacion për produktin, për cilësinë, të lexojmë komente rreth tij ose të pyesim dikë që mund ta ketë blerë tashmë dhe po e përdor produktin për atë se sa i kënaqur është, me qëllim që të jemi të sigurt që po blejmë një produkt të mirë”, thonë nga Regjistri.