Zvicra ngriu 8.8 miliardë dollarë të aseteve ruse

Qeveria e Zvicrës ka bërë të ditur se ka ngrirë 8.8 miliardë dollarë në asete financiare që u përkasin rusëve, nën sanksionet e dizajnuara për të ndëshkuar Moskën për pushtimin e saj në Ukrainë, raporton Koha.net. Zvicra edhe vitin e kaluar pati ngrirë rreth 8 miliardë dollarë nga asetet ruse pasi që miratoi sanksionet e […]

Zvicra ngriu 8.8 miliardë dollarë të aseteve ruse
Flamuri i Zvicrës. Foto nga RuthAschilier/Pixabay

Qeveria e Zvicrës ka bërë të ditur se ka ngrirë 8.8 miliardë dollarë në asete financiare që u përkasin rusëve, nën sanksionet e dizajnuara për të ndëshkuar Moskën për pushtimin e saj në Ukrainë, raporton Koha.net. Zvicra edhe vitin e kaluar pati ngrirë rreth 8 miliardë dollarë nga asetet ruse pasi që miratoi sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, shkruan Reuters.

Një shifër më e saktë e aseteve të ngrira pritet në fund të tremujorit të dytë të vitit 2024 kur bankat zvicerane të raportojnë para qeverisë.

Rritja e aseteve të ngrira ndodhi pasi 300 persona dhe 100 kompani dhe organizata ruse janë shtuar në listën e sanksioneve gjatë 12 muajve të fundit.

Berna ka bllokuar gjithashtu lëvizjen e rreth 8 miliardë dollarëve në asete në valutë që i përkasin bankës qendrore ruse.

Megjithatë, asetet e ngrira janë vetëm një pjesë e pasurisë totale të mbajtur nga rusët në Zvicër, me bankat e vendit që mbajnë 150 miliardë franga, sipas vlerësimeve të Shoqatës Zviceriane të Bankierëve.

Presidenti Alain Berset premtoi më shumë mbështetje për Ukrainën gjatë një vizite atje muajin e kaluar dhe ka thënë se fitimet nga asetet e ngrira ruse do të përdoren në rindërtimin e vendit.

Komisioni Evropian po punon për një propozim për të bashkuar disa nga fitimet që rrjedhin nga asetet e ngrira të shtetit rus për të ndihmuar Ukrainën dhe rindërtimin e saj pasluftës. Zvicra po merr pjesë në diskutime, por nuk ka vendosur nëse do ta mbështesë propozimin.

Por Zvicra ka kufizuar mbështetjen për Ukrainën. Shteti helvetik refuzon lutjet e vendeve të tjera për t’u lejuar të dërgojnë armë dhe municione të prodhimit zviceran në Ukrainë, duke përmendur ligjet e vendit për neutralitetin.