A do të dërgohet këto ditë drafti i Asociacionit në Kushtetuese? Flasin deputetët e pozitës dhe opozitës

Franca dhe Gjermania po kërkojnë që draft-statuti i Asociacionit të shkojë në Gjykatën Kushtetuese me kusht që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës (KiE). Për opozitën është e paqartë se cilat janë kushtet që janë plotësuar apo nëse ka kushte shtesë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, drejtuar udhëheqësve të Republikës së Kosovës, pasi […]

A do të dërgohet këto ditë drafti i Asociacionit në Kushtetuese? Flasin deputetët e pozitës dhe opozitës
a-do-te-dergohet-keto-dite-drafti-i-asociacionit-ne-kushtetuese?-flasin-deputetet-e-pozites-dhe-opozites

a-do-te-dergohet-keto-dite-drafti-i-asociacionit-ne-kushtetuese?-flasin-deputetet-e-pozites-dhe-opozites

Franca dhe Gjermania po kërkojnë që draft-statuti i Asociacionit të shkojë në Gjykatën Kushtetuese me kusht që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës (KiE).

Për opozitën është e paqartë se cilat janë kushtet që janë plotësuar apo nëse ka kushte shtesë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, drejtuar udhëheqësve të Republikës së Kosovës, pasi Qeveria është jo transparente lidhur me këtë çështje. Sipas tyre për Kosovën është teper e rëndësishme që Kosova mos ta humbë shancin e anëtarësimit në KiE, në të kundërtën procesi shtyhet për të paktën një vit.

Batusha i LVV-së: Në raportin e Asamblesë Evropiane s’ka qenë parakusht draft Asociacioni në Kushtetuese

Agon Batusha, anëtar i Komisionit për Integrim Evropian nga Lëvizja Vetëvendosje thotë për “Front Online” se Asociacioni nuk ka qenë parakusht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës

“Në raportin e dërguar nëpër Asamblenë Parlamentare nuk ka qenë si parakusht dërgimi draft-Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Kështu që, aktualisht shtetet veç e veç mund të kenë pretendime të ndryshme por të cilat ne si deputet të Komisionit nuk jemi të informuar zyrtarisht”, tha Batusha.

Poashtu, Batusha tha se besojnë që anëtarësimi i Kosovës në KiE do të jetë në agjendë dhe se Kosova do të gjejë mbështetje.

“Ne besojmë që do të jetë në agjendë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe do të kemi mbështetje, por për hapa të mëtutjeshme natyrisht që diplomacia ka më shumë të dhëna në këtë rast, pra Qeveria ka më shumë të dhëna për këtë dhe Komisioni ose Grupi i cili merret Këshillin e Evopës në Kuvendin e Kosovës. Ne momentalisht nuk kemi më shumë të dhëna të asaj që do të vazhdohet më tutje me procedura”, tha Batusha.

Shala i LDK-së: Udhëheqësit shtetëror të na qartësojnë cilat janë kushtet për anëtarësimin në KiE

Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës lidhur me dërgimin e draft-Asociacionit si parakusht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës thotë për Front Online se presidentja, kryeministri, por edhe kryeparlamentari duhet të qartësojnë se cilat janë kushtet dhe se a janë shtuar kërkesa të reja

“Mendoj se Presidentja dhe, sidomos, Kryeministri duhet të qartësojnë se cilat janë kushtet dhe se cilat do të ishin pasojat e mospërmbushjes së tyre. Ata të dy dhe kryetari i Kuvendit kanë bërë zotime të përbashkëta, prandaj duhet të sqarojnë se a janë të mjaftueshme zotimet e tyre apo u janë shtuar edhe kërkesa të tjera. Nga sa kemi parë, vende të rëndësishme, si Gjermania dhe Franca, kanë kërkuar të ndërmerren hapa konkret për miratimin e draft statusit të Asociacionit, vërtetë të autonomisë politike territoriale të serbëve të Kosovës”, tha Shala për Front Online.

Dhe në rast të mosanëtarësimit të Kosovës në KiE, Shala thotë se procesi i anëtarësimit do të shtyhet për së paku një vit.

“Nëse Kosova nuk do të anëtarësohet tani në Këshillin e Evropës, anëtarësimi do të shtyhet për së paku një vit”,
tha ai.

Beqa i PDK-së për draft-Asociacionin: Nëse është kusht, drafti do të dërgohet në Kushtetuese

Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës thotë për Front Online se është e paqartë nëse draft-Asociacioni është kusht apo jo për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, sipas tij në këtë aspekt Qeveria është jo transparente.

“A është kusht apo, unë konsideroj që për këtë duhet përgjigjet Qeveria, e cila është jo transparente, ata duhet me dhënë një përgjigjie. Kosova i ka detyrimet që duhet t’i kryej, por kushtet janë të padrejta. Nëse ky është kusht i vendosur, është i padrejt”, tha Beqa.

Beqa tha se Qeveria Kurti po e përmbushë çdo marrëveshje, por pasi po bëhet dëmi ndaj Republikës dhe qytetarëve

“Nëse është kusht do të dërgohet në Kushtetuese, por nuk e di a është kusht. Kosova ka bërë vazhdimësi kompromise, kompromisi i fundit ishte me vendimin për Manastirin e Deçanit, që mendoj se edhe ai ishte një kusht i padrejt, por se shteti ka obligime që duhet me i kry. Kjo Qeveri po e përmbushë çdo marrëveshje, por pasi po bëhet dëmi ndaj Republikës dhe qytetarëve. Qeveria ka dështuar edhe me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe përbrenda”, tha Beqa.

Tahiri: Nuk është parakusht për anëtarësim në KiE, Qeveria “Kurti” e ka pranuar Asociacionin

Besnik Tahiri nga AAK-ja thekson se Asociacioni nuk është parakusht në raportin i cili është miratuar në Asamblenë Parlamentare.

Tahiri për “Front Online” thotë se tre udhëheqësit e shtetit presidenca, kryeministri dhe kryeparlamentari me një letër drejtuar Këshillit të Evropës kanë konfirmuar zbatimin dhe miratimin e një numër konventave duke e përfshirë edhe zbatimin e Asociacionit

“Asociacioni nuk është parakusht në raportin i cili është miratuar në Asamblenë Parlamentare mirëpo siç shihet nga dy shtete Franca dhe Italia të cilat kanë pozicion rreth qëndrimit të tyre në Komitetin e Ministrave me datën 17 maj që kërkojnë që Kosova ta dërgojë draft Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese. Informata shtesë nuk kemi meqë tani është komunikim mes Qeverisë dhe qeverive të vendeve anëtare, por ajo që dihet është që në raportin e raportueses për Kosovën, nuk ka qenë parakusht kjo”, tha ai.

Tahiri tha se Kurti dhe Qeverisja e tij këta kanë ardhë me kauza kundër Asociacionit dhe tani zbatimi i Asociacionit pak para zgjedhjeve, për ta do të ishte një akt që nuk e di si do ta trajtojnë

“Qeveria Kurti e ka pranuar Asociacionin, respektivisht të tre udhëheqësit e shtetit, presidenca, kryeministri dhe kryeparlamentari me një letër drejtuar Këshillit të Evropës kanë konfirmuar zbatimin dhe miratimin e një numër konventave duke e përfshirë edhe zbatimin e Asociacionit. Pra, ata e kanë pranuar por se si do të sillen tani kjo varet nga çasja si e sheh qeveria sepse këta kanë ardhë me kauza kundër Asociacionit dhe tani zbatimi i Asociacionit pak para zgjedhjeve, për ta do të isht një akt që nuk e di si do ta trajtojnë”, deklaroi tutje ai.

Tahiri në fund theksoi se si Aleancë mendojnë që është teper e rëndësishme që Kosova mos ta humbë shancin e anëtarësimit në KiE.

Muhaxhiri: Nëse Qeveria nuk e dërgon draft-Asociacionin në Kushtetuese, do të ketë pasoja katastrofale për Kosovën

Artan Muhaxhiri, njohës i çështjeve politike thotë për Front Online se dërgimi i draft-Asociacionit si parakusht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës është i patjetërsueshëm sepse në të kundërtën do të ketë bllokadë të Kosovës në shumë procese të rëndësishme për vendin.

“Nëse nuk e dërgojnë draft asociacionin atëherë do të ketë bllokadë të Kosovës, do të ketë ndalim të procesit të dialogut. Prandaj, mendoj që Kosova do të ketë pasoja katastrofale nëse nuk e dërgon draft asociacionin dhe nëse i gjithë procesi kthehet në pikën zero. Jo vetëm që do të humbin një vit në KiE por dotë ketë pasoja jashtëzakonisht për shtetin tonë sepse Kosova do të paraqitet si një partner joserioz dhe i pabesuëshëm”, tha Muhaxheri.

Muhaxheri thekson se parakushte të tilla si kushtëzim për anëtarësimin në KiE vijnë si pasojë e humbjes së besimit të Bashkësisë Ndërkombëtare në fjalët dhe në zotimet e kryeministrit Kurti

“Në bazë të të gjitha zhvillimeve të ditëve të fundit, dërgimi i draft-Asociacionit është i patjetërsueshëm për anëtarësimin në KiE. Nuk është e drejtë që një proces kaq i rëndësishëm të lidhet me kushtëzime të tilla, mirëpo deri te kjo situatë ka ardhë si pasojë e humbjes së besimit të Bashkësisë Ndërkombëtare në fjalët dhe në zotimet e kryeministrit Kurti por natyrisht edhe të presidentit Vuçiq në anën tjetër dhe e gjithë kjo bllokadë në avancimin e dialogut, veçanërisht pas Marrëveshjes së Ohrit ka bërë që edhe Kosova edhe Serbia të përballen me kushtëzime përkatëse. Kosova me çështjen e draftit kurse Serbia me përfshirjen e Marrëveshjes së Ohrit në kapitullin e 35 të BE-së”, tha Muhaxheri.

Sipas Muhaxherit Kryeministri Kurti duhet të gjejë guximin dhe vullnetin që të marr një hap të tillë, ndonëse nuk është aspak e lehtë për të.

“Nuk ka asnjë dilemë që Qeveria e Kosovës do ta dërgojë draftin në Kushtetuese sepse përndryshe do të ballafaqohet me një izolim gjeopolitik dhe kjo do të ketë pasoja katastrofale për shtetin e Kosovës. Nuk ka asnjë mundësi që I gjithë ky presion amerikan dhe evropian të anashkalohet me ndonjë lojë politike. Kryeministri Kurti duhet ta gjejë vullnetin, guximin që ta marrë këtë hap, i cili nuk është i lehtë për të”, theksoi ai.