Ambasadori francez: Kosova duhet dhe do të jetë anëtare e KiE
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka thënë se Kosova meriton anëtarësimin në Këshillin e Evropës, por sipas tij, ka ende procese në të cilat duhet të kalohet. Ai tha se marrëveshja e Ohrit nuk po gjen zbatim, teksa konsideron i rëndësishëm është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Pas zbatimit […]
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka thënë se Kosova meriton anëtarësimin në Këshillin e Evropës, por sipas tij, ka ende procese në të cilat duhet të kalohet. Ai tha se marrëveshja e Ohrit nuk po gjen zbatim, teksa konsideron i rëndësishëm është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Pas zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për dhënien e tokës për Manastirin e Deçanit, Kosova është edhe një hap para drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Përkrahje për këtë po jep edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, i cili në një intervistë për Tëvë1, tha se vendi ka bërë hapa të rëndësishëm për t’u bërë pjesë e Këshillit.
E rëndësishme po shihet edhe nisma për largimin e kryetarëve në katër komunat veriore.
Por, sipas ambasadorit francez, janë edhe disa hapa në të cilët duhet të kalohet për në fazën përfundimtare.
“Mendoj që Kosova si vend me përkushtim evropian sigurisht duhet, dhe do të jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Ekziston një proces për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Së pari, vendet anëtare duhet të vendosin për këtë. Hapi i parë është marr disa muaj më parë, kur vendet anëtare vendosën që parlamenti të shqyrtojë këtë. Ishte një lidhje mes dialogut dhe normalizimit, derisa anëtarët e parlamentit diskutonin për këtë. Tani asambleja e parlamentit mund të kërkojë të diskutojë rreth aplikimit të Kosovës”, ka thënë ambasadori francez.
E të rëndësishme, diplomati francez e sheh edhe zbatimin e marrëveshjes së arritur në shkurt të vitit 2023, mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.
Guerot, konsideron se është koha e duhur për të themeluar edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.