DiGiovanni: Mbulimi i vaksinimit po bie për shkak të dezinformatave

Vaksinat shpëtojnë miliona jetë. Kjo për shkak të orarit rutinë të imunizimit. Ne kemi vaksina për të parandaluar mbi 20 sëmundje të rrezikshme. Për herë të parë në 3 dekada, kemi një pengesë të madhe kur bëhet fjalë për mbulimin për shkak të dezinformatave. Këtë e theksoi sot përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia DiGiovanni, në një […]

DiGiovanni: Mbulimi i vaksinimit po bie për shkak të dezinformatave
Java Evropiane e Imunizimit. Foto: MASH

Vaksinat shpëtojnë miliona jetë. Kjo për shkak të orarit rutinë të imunizimit. Ne kemi vaksina për të parandaluar mbi 20 sëmundje të rrezikshme. Për herë të parë në 3 dekada, kemi një pengesë të madhe kur bëhet fjalë për mbulimin për shkak të dezinformatave. Këtë e theksoi sot përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia DiGiovanni, në një konferencë për media të mbajtur me rastin e Javës Evropiane të Imunizimit, transmeton Portalb.mk.

Me këtë rast, në çdo qytet të Maqedonisë do të vizitohen rreth 3000 familje, të cilëve do t’u tregohet rëndësia e vaksinimit, veçanërisht vaksina kundër fruthit dhe pertusisit.

“Prindër, mos prisni që të shpërthejë një epidemi për të mbrojtur fëmijët tuaj. Ju ndoshta nuk e mbani mend kur prindërit tuaj ju kishin çuar për vaksinim, por duke bërë kështu ata ndihmuan që të jeni pjesë e një prej arritjeve më të mëdha të njerëzimit. Jepuni fëmijëve tuaj mbrojtjen që prindërit ju kanë dhënë në të kaluarën. Së bashku ne mund të bëjmë një kthesë dhe të rivendosim imunitetin kolektiv”, tha DiGiovanni.

Në konferencë, të pranishëm ishin edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, përfaqësuesi special i OBSH-së në vend, Ane Johansen dhe Keti Stavridis nga Instituti i Shëndetit Publik.

Demiri theksoi se Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e agjencive të OKB-së, ndërmerr më shumë aktivitete për shënimin e Javës Evropiane të Imunizimit.

“Po organizohet një aksion që tashmë po zhvillohet, i ashtuquajturi “sprint për imunizimin”, ku mbi 70 ekipe mjekësh dhe infermierësh do të dalin dhe do të vizitojnë mbi 3000 familje të fëmijëve të pavaksinuar me fokus vaksinimin nga kolla e mirë dhe fruthit. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë siguroi mjete nga Programi i imunizimit për të gjitha pikat e vaksinimit në qendrat shëndetësore në mbarë Maqedoninë për të shënuar siç duhet javën e imunizimit me manifestime promovuese”, tha Demiri.

Ai u bëri tirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse mbulimi i lartë i vaksinimit në moshën e duhur krijon imunitet kolektiv.

“Me vaksinimin e rregullt mbrojmë fëmijët, të dashurit dhe komunitetin e gjerë nga sëmundjet e rënda infektive. Vaksinat janë absolutisht të sigurta dhe me futjen e vaksinimit si masë për mbrojtjen nga sëmundjet infektive janë arritur rezultatet më të mira në historinë e mjekësisë”, tha Demiri.

Stavridis prezantoi shifrat më të fundit lidhur me shkallën e vaksinimit në vitin 2023, nga të cilat mund të konstatohet se mbulimi i vaksinave të detyrueshme në vend është ende nën 95% të rekomanduar dhe për të gjitha vaksinat është nën 90%.

“Në vendin tonë, pas njëzet vitesh, për herë të parë në vitin 2020, u regjistrua një mbulim nën 90 për qind për vaksinimin parësor me tre doza të vaksinës DiTePer/IPV. Gjatë vitit 2023, mbulimi për vaksinimin parësor me tre doza të vaksinës DiTePer/IPV/HiB, si dhe me vaksinën e hepatitit B, është rritur krahasuar me vitin 2021 dhe 2022, por është ende më i ulët se 90%. Mbulimi i vaksinimit primar (me tre doza) me vaksinat e përfshira në vaksinat polivalente (HiB/DiTePer/IPV) ka shënuar rritje krahasuar me vitin 2022 (84,1%) dhe është 86,3%, dhe për vaksinën e Hepatitit B është 85.8%”, theksoi Stavridis.

Johansen theksoi se aktualisht me mbështetjen financiare të USAID-it, Organizata Botërore e Shëndetësisë po mbështet nismën “Sprint for Immunization” në të gjithë vendin.

“Kjo nismë synon të përmirësojë qasjen dhe të rrisë normat e mbulimit në të gjitha rajonet e vendit duke zgjeruar disponueshmërinë e shërbimeve të vaksinimit në nivel lokal, duke ofruar vaksinim në vend nëpërmjet ekipeve të lëvizshme të vaksinimit në nivel kombëtar dhe duke shkëmbyer materiale informative të imunizimit të bazuara në fakte. Këto aktivitete tona do të vazhdojnë derisa çdo person i kualifikuar të vaksinohet plotësisht. OBSH do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e qeverisë për të forcuar programet e imunizimit në të ardhmen, duke përfshirë mbështetjen e zhvillimit të Rregulloreve të reja të imunizimit, forcimin e kapaciteteve për planifikimin dhe zbatimin e proceseve të vaksinimit, dhe mbështetjen e zbatimit të suksesshëm të planit kombëtar të vaksinimit dhe shumë më tepër”, theksoi Johansen.

Për sa i përket vaksinimit, mbulimi i vaksinës rotavirus (që nga prezantimi i saj në vitin 2019) është rritur vazhdimisht, duke arritur në 67,9 për qind.

Mbulimi me vaksinim MRP është rritur në krahasim me vitin 2022 (70.7%), por ende ka një mbulim të ulët prej 73.4%, që është larg mbulimit të rekomanduar prej 95%.

Vaksina kundër infeksionit HPV, si çdo vit që nga prezantimi i saj, ka mbulimin më të ulët (56.6%). Megjithatë, ka një rritje të mbulimit në krahasim me vitin 2022 (52.5%), dhe veçanërisht në krahasim me vitin 2020 (35.5%).

Vaksinimi është bërë me sukses të jashtëzakonshëm në territorin e Pehçevës, ku mbulimi me të gjitha vaksinat është 100 për qind. Në territorin e CJZ Koçani, CJZ Koçani/NP Vinica, CJZ Ohër/NP Dibër dhe CJZ Kumanovë/NP Kratovë për të gjitha vaksinat mbulimi është mbi 90 për qind, ndërsa për disa vaksina arrin 100 për qind.