Kurti në mbështetje të Komitetit Paralimpik të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti e përgëzoi Komitetin Paralimpik të Kosovës për angazhimin dhe rezultatet e tyre të deritanishëm që ia mundësuan përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë të garave ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe në lojërat Paralimpike që mbahen vitin e ardhshëm në Paris. Në Lojërat Paralimpike Paris 2024, Kosova do të marrë pjesë me […]

Kurti në mbështetje të Komitetit Paralimpik të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti e përgëzoi Komitetin Paralimpik të Kosovës për angazhimin dhe rezultatet e tyre të deritanishëm që ia mundësuan përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë të garave ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe në lojërat Paralimpike që mbahen vitin e ardhshëm në Paris.

Në Lojërat Paralimpike Paris 2024, Kosova do të marrë pjesë me dy parasportistë në sportin e atletikës: Grevist Bytyçi – në vrapim, Vjollca Hoxha – në vrapim me karrocë. Ata janë licencuar për pjesëmarrje në këto lojëra dhe do të garojnë në disa gara kualifikuese për normë paralimpike, në mënyrë që të fitojnë përvojën e duhur dhe të përgatiten sa më mirë.

Kryeministri Kurti bashkë me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani ka pritur sot në takim Komitetin Paralimpik të Kosovës, ku të pranishëm ishin kryetarja e këtij komiteti, Njomza Emini dhe përfaqësuesit e këtij komiteti: nënkryetari, Daut Tishuki, sekretarja e Përgjithshme, Arjeta Gashi, kryetari i Federatës Paraatletike të Kosovës, Avni Kelmendi, parasportisti Grevist Bytyçi, Vjollca Hoxha dhe trajneri, Adrian Mazreku.

Kryeministri Kurti u shprehu mirëseardhje të pranishmëve në këtë takim në të cili diskutuan për pjesëmarrjen e parë të Kosovës në lojërat Paralimpike, ku Kosova do të shënojë debutimin e parë pjesëmarrës në Lojëra Paralimpike.

Kujtojmë se pas një rrugëtimi të gjatë të ekzistencës së KPK, në pjesën e dytë të vitit 2023 KPK është anëtarësuar me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe Komitetin Paralimpik Evropian. Ky sukses është edhe rezultat i rritjes së mbështetjes financiare të KPK-së në vitin 2022 me rastin e vitit të personave me aftësi të kufizuara.

Në krahasim me vitin paraprak (2021), buxheti i KPK në vitin 2022 ishte rritur për gjashtëfish më shumë dhe po kjo mbështetje ka vazhduar edhe vitin 2023.

Përfaqësuesit e Komitetit Paralimpik të Kosovës e falënderuan kryeministrin dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen që po i japin sportit në përgjithësi, njofton Qeveria.

Ndryshe, për përgatitjen e këtyre sportistëve dhe trajnerëve të tyre për të përfaqësuar Kosovën në Paris 2024, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi të veçantë me Komitetin Paralimpik të Kosovës, në vlerë mbi 40 mijë euro.