Nuk ka çmime në tabelat informuese për parking në Strugë, autoritetet fajësojnë “qytetarët e pandërgjegjshëm”

Mungesa e çmimeve në disa nga tabelat informuese të parkingut në rrugën kryesore rreth liqenit në Strugë, shkakton huti dhe pasiguri tek njerëzit nëse duhet apo nuk duhet të parkohen në ato lokacione. Për këtë fenomen nga EKO Struga, ndërmarrja publike përgjegjëse për parkingjet e qytetit, shprehen se shkaktarë janë qytetarë të pandërgjegjshëm të cilët […]

Nuk ka çmime në tabelat informuese për parking në Strugë, autoritetet fajësojnë “qytetarët e pandërgjegjshëm”
Tabelë parkimi në Strugë - Fotografuar më 29.07.2023 nga Shefkije Alasani / Portalb.mk

Mungesa e çmimeve në disa nga tabelat informuese të parkingut në rrugën kryesore rreth liqenit në Strugë, shkakton huti dhe pasiguri tek njerëzit nëse duhet apo nuk duhet të parkohen në ato lokacione. Për këtë fenomen nga EKO Struga, ndërmarrja publike përgjegjëse për parkingjet e qytetit, shprehen se shkaktarë janë qytetarë të pandërgjegjshëm të cilët i largojnë çmimet nga tabelat. Përndyshe parkingu në Strugë është relativisht i lirë duke filluar nga 40 apo 30 denarë ora e parë, varësisht zonës së parkimit, për të vazhduar me 30 apo 20 denarë për orët në vijim, shkruan Portalb.mk.

Në rrugën kryesore rreth liqenit të qytetit turistik të Strugës tabelat informuese për parkim dhe pagesë me telefon janë të pa kompletuara me informacion. Në asnjë nga tabelat të vendosura në rrugën “Partizanska”, prej tek rreth-rrotullimi te “Foni” deri tek Euro Hoteli, nuk figuron çmimi i parkingut në zonat përkatëse. Qytetarët por edhe turistët, qofshin vendas apo të huaj, shprehen të hutuar dhe të pasigurt nëse duhet të parkohen në hapësirat e parkimit në rrugën rreth liqenit.

“Paramendoni të hyni në market dhe aty të moa ketë çmime dhe në fund te shitësi të prisni se sa do të ju thotë të paguani. Domosdo duhet të ketë çmimore që qytetarët dhe turistët ta dinë dhe të vendosin nëse duan apo nuk duan të parkohen. Personalisht u ndjeva i mashtruar – marr një shërbim që nuk e di sa do të më kushtojë. Shpresoj që autoritetet ta rregullojnë këtë çështje”, thotë një turist për Portalb.mk.

“Sinqerisht nuk e di nëse duhet apo nuk duhet të parkohem. Përderisa nuk figuron çmimi nuk e di nëse duhet të rrezikoj të parkohem pasi frikësohem mos duhet të paguaj ndonjë shumë të paarsyeshme. Detyrohem të bredh nëpër qytet deri sa të gjej diçka të arsyeshme”, u shpreh një qytetare vendase. 

“Pyetëm disa vendas dhe na thanë që është me pagesë parkimi por nuk është shtrenjtë. U parkuam dërguam mesazhi me të cilin u aktivizua pagesa e parkimit. Do e shohim në fund sa do të paguajmë. Patjetër se duhet të ketë informacion, kjo është një lëshim i paarsyeshëm”, deklaroi një vizitor.

Për mungesën e çmimeve në tabelat informuese nga EKO Struga thonë se shkaktarë janë qytetarët e pandërgjegjshëm. Nga ky institucioni nuk na dhanë detaje se si arrijnë qytetarët e pandërgjegjshëm ti heqin çmimet nga tabelat, disa nga të cilat janë të vendosura në lartësi të konsiderueshme dhe as nëse është identifikuar dikush apo nëse ka kallëzime penale për të tilla raste.

“Çmimet te tabelat informative qytetarët e pandërgjegjshëm vetë i largojnë dhe ne mundohemi gjithmonë t’i rregullojmë. Çmimi i parkimit është i ndryshëm tek Ekstra zona dhe Zona e parë”, deklaruan për Portalb.mk nga EKO Struga.

Nga Ndërmarrja publike për parqe dhe gjelbërime që është dhe përgjegjëse për parkingjet në Qytetin e Strugës sqarojnë se në periudhën nga 1 maji deri më 30 shtator në vitin rrjedhës çmimet tek ekstra zona janë 40 denarë ora e parë, 30 denarë ora e dytë, 20 denarë ora e tretë dhe orët e tjera me radhë. Kurse çmimet në zonën e parë janë 30 denarë ora e parë, 20 denarë ora e dytë dhe orët tjera me radhë. Përndryshe, parkimi me pagesë në qytetin e Strugës vlen gjatë gjithë vitit, përfshirë fundjavat, nga ora 7.30 në mëngjes deri në ora 24.00.