Parlamenti Evropian: Hetim ndërkombëtar të zgjedhjeve në Serbi, t’i kushtëzohet integrimi

Me 461 vota pro, 53 kundër dhe 43 abstenime Parlamenti Evropian miratoi rezolutën urgjente mbi zgjedhjet e 17 Dhjetorit në Serbi, duke kërkuar një hetim ndërkombëtar, raporton TV Klan. “Bëjmë thirrje për hetime të pavarura nga ekspertë dhe institucione të respektuara ndërkombëtare për parregullsitë në zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale, me kujdes të posaçëm në […]

Parlamenti Evropian: Hetim ndërkombëtar të zgjedhjeve në Serbi, t’i kushtëzohet integrimi

Me 461 vota pro, 53 kundër dhe 43 abstenime Parlamenti Evropian miratoi rezolutën urgjente mbi zgjedhjet e 17 Dhjetorit në Serbi, duke kërkuar një hetim ndërkombëtar, raporton TV Klan.

“Bëjmë thirrje për hetime të pavarura nga ekspertë dhe institucione të respektuara ndërkombëtare për parregullsitë në zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale, me kujdes të posaçëm në zgjedhjet për asamblenë e qytetit të Beogradit”, tha PE.

Gjithashtu rezoluta prej 29 pikash i kërkon Komisionit Evropian që të dërgojë një mision ekspertësh në Serbi për të vlerësuar situatën në lidhje me zgjedhjet e fundit dhe zhvillimet paszgjedhore.

Sakaq kërkohet t’i kushtëzohet Serbisë procesi i anëtarësimit ne BE vetëm në rastin e plotësimit të kushteve dhe të realizimit të reformave.

“PE kërkon pezullimin e fondeve të BE-së në bazë të shkeljeve të rënda të sundimit të ligjit në kontekstin e zgjedhjeve në Serbi, nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të zbatojnë rekomandime të rëndësishme zgjedhore ose nëse rezultatet e këtij hetimi tregojnë se organet shtetërore u përfshinë drejtpërdrejt në mashtrimin zgjedhor”, njoftoi PE.

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR njoftoi se zgjedhjet u përcollën me parregullsi, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti i shtetit Aleksandër Vuçiç, fushata negative dhe përhapje frike.