Presidenciale 2024: Çfarë ofrojnë kandidatët për të rinjtë e RMV-së?

Na ndajnë më pak se një javë nga rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale të Maqedonisë së Veriut. Derisa shtatë kandidatët për presidentë po zhvillojnë ditët e fundit të fushatës, Portalb.mk analizoi programet e katër kandidatëve për president për sa i takon të rinjve. Inovacion dhe siguri kibernetike Arben Taravari, kandidati i koalicionit të opozitës […]

Presidenciale 2024: Çfarë ofrojnë kandidatët për të rinjtë e RMV-së?
Bujar Osmani, Gordana Siljanovska Davkova, Stevo Pendarovski dhe Arben Taravari. Foto ilustrim nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk (Fotoja në prapavi nga Canva)

Na ndajnë më pak se një javë nga rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale të Maqedonisë së Veriut. Derisa shtatë kandidatët për presidentë po zhvillojnë ditët e fundit të fushatës, Portalb.mk analizoi programet e katër kandidatëve për president për sa i takon të rinjve.

Inovacion dhe siguri kibernetike

Arben Taravari, kandidati i koalicionit të opozitës shqiptare ‘VLEN’ (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët krahu i Taravarit) në programin e tij presidencial nuk premton shumë për të rinjtë. Dy pikat ku përmenden të rinjtë janë inovacioni dhe siguria kibernetike.

Në programin e Taravarit thuhet se Presidenca do të jetë në përkrahje të plotë të të rinjve dhe të rejave tona që mund të bëjnë Maqedoninë e Veriut të së nesërmes.

“Do angazhohem për krijimin e shkollave për inovacion të menaxhuara nga zyra e presidentit. Do angazhohem për rritjen e investimeve publike dhe private në aktivitetet e kërkimit dhe zhvillimit (R&D), krijimin e një çmimi presidencial për inovacion si dhe një çmimi presidencial për startups dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, thuhet në programin e Taravarit.

Aty thuhet se do të zbatohet fushatë ndërgjegjësimi publik për të edukuar qytetarët rreth praktikave më të mira të sigurisë kibernetike, ndër të tjera duke ndarë çmim presidencial për të rinjtë që promovojnë sigurinë kibernetike në vend.

Plan shtetëror për mbajtjen e të rinjve në vendlindje

Bujar Osmani, kandidati i koalicionit të partive shqiptare të pushtetit ‘Fronti Evropian’ (Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare, Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës, Lëvizja Populli, Partia Demokratike Europiane, Partia Demokratike Turke Unioni i Romëve, Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Unioni Demokratik Boshnjak), në programin presidencial përmend disa fusha ku prek të rinjtë.

Në program thuhet se të rinjtë përfshihen në procesin eurointegrues të vendit, konkretisht për arritjen e konsensusit për në BE.

Osmani premton marrëveshje me dhjetë universitetet më të mira të biznesit në botë për të dërgim të studentëve më të mirë me një bursë të plotë, me prioritet për kategorinë vulnerabël të qytetarëve.

Ai premton një plan shtetëror për perspektivën e të rinjve dhe mbajtjen e tyre në vend.

“Këto politika rinore do të fokusohen në Krijimin e perspektivave përmes mundësive të shtuara për arsim, por edhe përmes masave aktive për sipërmarrësi, start-up-e dhe përfshirje në rrjedhat bashkëkohore të biznesit, në mënyrë që të mbahet fokusi i të rinjve në aktivitetet dhe potencialet që i ofron vendi”, thuhet në program.

Sipas programit, Presidenti do të formojë ekip të posaçëm për krijimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave rinore të shtetit. Gjithashtu ai premton se në kabinetin e presidentit do të ketë këshilltar për çështjet rinore.

Ai thotë se në procesin edukativo-arsimor do të propozoj një sërë masash në arsim mes tjerash rritje të buxhetit për arsimin dhe veçanërisht për veprimtarinë hulumtuese-shkencore, si dhe hapjen e detyrueshme të qendrave hulumtuese në çdo universitet.

Mike e rinisë

Gordana Siljanovska Davkova, kandidate e VMRO-DPMNE-së e cila udhëheq koalicionin “Maqedonia jote” në program ajo thotë se do të punojë me dhe për të rinjtë dhe do të jetë mike e tyre.

Ajo premton një këshilltar rinor në kabinetin e saj, formimin e një forumi për të rinjtë nën kujdesin e presidentes.

“Do të promovoj një Forum Presidencial për Rininë për të konsultuar çështjet dhe politikat publike që janë të rëndësishme për të rinjtë, si dhe për të organizuar ngjarje të përbashkëta. Duke ofruar një platformë të strukturuar për t’u dëgjuar zërat e tyre, Forumi do të përpiqet të nxisë një mjedis politik më gjithëpërfshirës, ​​dinamik dhe progresiv. Forumi do të punonte për realizimin e aktiviteteve në disa fusha, si p.sh., arsimi, kultura, teknologjia, sporti etj”, thuhet në program.

Ajo premton gjithashtu se të rinjve do tu jepet mundësi praktike në zyrën e saj. Gjithashtu se do të promovojë ambasadorët e vullnetit të mirë nga profesionistët e rinj nga vendi dhe bota.

Siljanovska premton se do të mbështesë të gjitha format e shprehjes kulturore te të rinjtë. Ndërsa premton edhe se do të iniciojë krijimin e një qendre kërkimore për studentët e rinj dhe të talentuar.

Promotor i të drejtave të rinisë

Presidenti aktual Stevo Pendarovski që është kandidati nga LSDM-ja që udhëheq koalicionin “Ardhmëri Evropiane“, në programin e tij krahas zotimeve, fokus u ka dhënë aktiviteteve të realizuara në mandatin e tij si president.

Për mandatin e dytë ai premton se do të jetë promotor i të drejtave të rinisë. Ai thekson se kujdesi ndaj të rinjve do të jetë obligim për të. Ndërsa fokusohet edhe te migrimi, ku thotë se politikat kombëtare mundin ta luftojnë këtë fenomen.

“Do të themeloj një organ të posaçëm këshillues në kuadër të kabinetit tim, i cili do të punojë në formulimin e politikave demografike moderne dhe efektive për të parandaluar tendencat negative me të cilat po përballemi prej dekadash”, thuhet në program.

Në fushën e politikave për të rinjtë që kanë shkuar përkohësisht ose përgjithmonë jashtë vendit, ai thotë se do të iniciojë një projekt për krijimin e një databaze qendrore për të gjithë të rinjtë që arsimohen, përmirësojnë aftësitë e tyre ose zbatojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre duke punuar në kompanitë dhe organizatat e huaja.

“Në këtë mënyrë ne do të mund të mbajmë kontakte me të rinjtë tanë për të përdorur njohuritë dhe aftësitë e tyre dhe për t’u ofruar kushte për t’u kthyer në vendlindje dhe për të punuar për vendin tonë të përbashkët”, thuhet në program.

Ai thekson se do angazhohet edhe në luftën kundër populizmit te të rinjtë, gjithashtu edhe në çështjen e propagandës dhe dezinofrmatave që ngrenë çështjet e sigurisë sidomos te të rinjtë.

Pendarovski në program thotë se me integrimin evropian të vendit përfitimet do të ndjehen më fortë te të rinjtë.

Presidentë TikToku

Kur jemi te të rinjtë, Kandidatët për president të shtetit këtë cikël zgjedhor kanë zbuluar një recetë të re, atë të TikTokut ku audienca më e përqendruar aty janë të rinjtë, kështu që kandidatët e kanë kapur seriozisht këtë rrejt social duke i kushtuar hapësirë të veçantë fushatës së tyre dhe për të tërhequr vëmendjen e të rinjve.

Profilet e Tiktok-ut kanë Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska-Davkova, Bujar Osmani, Arben Taravari, Stevço Jakimovski dhe Biljana Vankovska. Përjashtim bën kandidati Maksim Dimitrievski.

Kujtojmë që rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 24 prill, ndërsa rrethi i dytë me 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.