Raporti i DASH-it/ Opozita dhe shoqëria civile akuzojnë Kurtin se po u ofron mbështetje të dyshuarve për korrupsion

Në raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për Kosovën për vitin 2023 është thënë se Kosova ka probleme me korrupsionin e lartë. Në raport thuhet se Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive për korrupsionin në qeveri. “Ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, por qeveria […]

Raporti i DASH-it/ Opozita dhe shoqëria civile akuzojnë Kurtin se po u ofron mbështetje të dyshuarve për korrupsion
raporti-i-dash-it/-opozita-dhe-shoqeria-civile-akuzojne-kurtin-se-po-u-ofron-mbeshtetje-te-dyshuarve-per-korrupsion

raporti-i-dash-it/-opozita-dhe-shoqeria-civile-akuzojne-kurtin-se-po-u-ofron-mbeshtetje-te-dyshuarve-per-korrupsion

Në raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për Kosovën për vitin 2023 është thënë se Kosova ka probleme me korrupsionin e lartë.

Në raport thuhet se Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive për korrupsionin në qeveri.

“Ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Pati raportime të shumta për korrupsion në qeveri. Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe sundimi i dobët i ligjit në përgjithësi kontribuuan në këtë problem. Rastet e korrupsionit i nënshtroheshin rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte skadimin e parashkrimit”, thuhet në pjesën për korrupsionin të raportit të DASH-it.

 

Miftaraj: Raporti i DASH-it shqetësues, ndër herët e para që kryeministri i Kosovës përmendët për cenim të sistemit gjyqësor dhe prokurorial

Pas publikimit të këtij raporti për Front Online e ka komentuar drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

Miftaraj e ka vlerësuar si shqetësues, duke thënë se ky është ndër raportet me më së shumti vërejtje.

Ai deklaron se aty thuhet se ka shumë probleme serioze në disa aspekte.

 “Raporti i Departamentit të Shtetit për këtë vit për Kosovën është ndër raportet me më së shumti vërejtje për institucionet e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme që prekin demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Është padyshim shumë shqetësuese se ky raport thekson se Kosova ka probleme serioze lidhur me të drejtat dhe liritë e njeriut, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e shprehjes dhe korrupsionin e lartë”, ka deklaruar Miftaraj.

Raporti i DASH-it sipas Miftarajt, ndahet në dy nivele që pasqyron shtetin.

Miftaraj thotë se niveli i parë lidhët me mungesën e vullnetit politik për sundimin e ligjit.

Ai deklaron se për pushtetin aktual, është normale ministrat të përfshihen në afera korruptive dhe t’iu ofrohet mbështetje.

“Ky raport është një pasqyrë e shtetit të Kosovës në dy nivele. Niveli i parë lidhet me mungesën e vullnetit politik të kësaj qeverie për të zbatuar parimet e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit dhe ndërtimit të kulturës së pandëshkueshmërisë në rastet e korrupsionit. Fatkeqësisht, në këtë qeveri është normale që ministrat dhe pozitat e larta të përfshihen në afera korruptive dhe për këtë të mos ketë fare pasoja, e për më tepër t’iu ofrohet mbështetje dhe mbrojtje edhe nga vet Kryeministri për personat e dyshuar në afera korruptive”, theksoi Miftaraj.

Miftaraj thotë se është ndër herët e para që kryeministri përmendët për cenim të sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Sipas Miftarajt, niveli i dytë është  për mungesën e vullnetit për të hetuar korrupsionin.

“Është ndër herët e para kur vet Kryeministri i vendit përmendet në këtë raport si person që cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Niveli i dytë ndërlidhet me një sistem prokurorial të dobët, të paguximshëm dhe me mungesë vullneti për të hetuar dhe ndjekur korrupsionin e nivelit të lartë”, vlerësoi Miftaraj për Front Online.

 

Lutfi Haziri: Gjendjen reale në Kosovë e pasqyroi raporti i DASH-it, korrupsioni mendësi e qeverisë aktuale

Lutfi Haziri, nënkryetari i LDK-së në një prononcim për Front Online ka folur lidhur me raportin e DASH-it, ku thuhet se Kosova pasqyron korrupsion të lartë.

Haziri ka deklaruar se gjendjen reale në vend e ka paraqitur raporti.

Ai vlerësoi se korrupsioni është bërë mendësi e qeverisë ‘Kurti’.

“Raporti i DASH-it pasqyron gjendjen reale në Kosovë, gjendja sipas raportit është përkeqësuar dhe ka nënvizuar edhe shqetësimet që LDK tash e sa kohë i ka paraqitur lidhur me realitetin në Kosovë. Korrupsioni është bërë mendësi e qeverisë në Kosovë më shumë po administrohet sesa po qeverisët”, theksoi Haziri.

Haziri ka kritikuar pushtetin aktual duke thënë se në vend s’ka as transparencë as llogaridhënie për asnjë proces e vendim.

“Një vend që nuk ka transparencë, llogaridhënie, proces vendimmarrje me organizuar sipas ligjit lenë hapësirë për të konstatuar atë që kemi thënë. I jepet një tender sekret në procesin e panegocinueshëm me procedura jo të hapura dhe korrupsioni është mendësi e qeverisë”, deklaron Haziri.

 

Beqa i PDK-së: Vetëvendosja e ka legalizuar korrupsionin nuk e ka luftuar

Nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsioni është deklaruar deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, lidhur me raportin e DASHI-it.

Beqa thotë se Vetëvendosja nuk e ka luftuar korrupsionin vetëm e ka legalizuar.

Ai madje deklaron se kryeministri Kurti u ka dal në mbrojtje zyrtarëve të akuzuar për korrupsion.

Deputeti Beqa ka kërkuar nga drejtësia të veprojnë për ata që e keqpërdorin shtetin.

“Fatkeqësisht nuk e kanë luftuar korrupsionin Vetëvendosja përkundrazi e kanë legalizuar, ku një kryeministër del dhe i mbron zyrtarët që janë me akuza për korrupsion. Drejtësia duhet të veprojnë, prokuroria dhe gjykata duhet të kryej punën e vet për të gjithë ata që po e keqpërdorin shtetin”, u shpreh Beqa.

 

 

 

Kadrijaj: Raporti i DASH-it konfirmoi skandalet dhe aferat korruptive të Qeverisë ‘Kurti’

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj raportin e DASH-it lidhur me korrupsionin në Kosovë e ka vlerësuar si konfirmim të skandaleve dhe aferave korruptive të qeverisë aktuale.

Kadrijaj tha për Front Online se opozita ka kërkuar Komision Hetimor i cili është kundërshtuar nga mazhoranca.

“Këto shqetësime i kemi ngritë si opozitë ndoshta në çdo seancë dhe jashtë seance. Kemi kërkuar Komision Hetimor të cilat janë bllokuar nga mazhoranca me qëllimin e mos zbulimit të korrupsionit qeveritar. Çdo ditë po publikon skandale dhe afera korruptive të qeverisë. E tash raporti i DASH-it është veç një konfirmim”, u shpreh Kadrijaj për Front Online.

Në raport citohen edhe OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare, për të cilat thotë se “pretenduan për dështime të shumta nga sistemi gjyqësor që të ndiqet penalisht korrupsioni, duke vënë në dukje se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan me dënime. Dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë të dënuar për korrupsion ishte shpesh i butë”.

Në qershor, Gjykata Themelore e Prishtinës përfundoi gjykimin e vitit 2019 të ish-ministrit të Bujqësisë Nenad Rikalo dhe tetë zyrtarëve të tjerë të Ministrisë të cilët ishin të akuzuar për shpërdorim detyre. Gjykata dënoi Rikalon dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë me tre dhe dy vjet burg. Gjashtë të pandehurit e mbetur u shpallën të pafajshëm.

“Mediat raportuan se Prokuroria Speciale dhe Njësia e Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës hapën hetime penale kundër të paktën pesë ministrave dhe dy zëvendësministrave me akuza për vepra të lidhura me korrupsionin. Më vete, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtore ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Liza Gashi për mosdeklarim të pasurisë dhe i gjobiti respektivisht 700 euro (764 dollarë) dhe 500 euro (545 dollarë)”, thuhet në raport.