Takimi Osmani-Escobar, në fokus situata aktuale në Ballkanin Perëdimor dhe procesi eurointegrues i RMV-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot u takua me Gabriel Eskobarin, Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësues Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, transmeton Portalb.mk. Në fokus të bisedimeve ishte situata aktuale në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës Osmani e brifoi përfaqësuesin e lartë amerikan për Planin 9-pikësh […]

Takimi Osmani-Escobar, në fokus situata aktuale në Ballkanin Perëdimor dhe procesi eurointegrues i RMV-së
Gabriel Escobar - Bujar Osmani. Foto: MPJ

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot u takua me Gabriel Eskobarin, Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësues Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Në fokus të bisedimeve ishte situata aktuale në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës Osmani e brifoi përfaqësuesin e lartë amerikan për Planin 9-pikësh për deeskalimin e tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilin e ka iniciuar në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së.

Njëherazi, u diskutua nevoja për përshpejtimin e proceseve integruese europiane të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të rajonit si qëllim strategjik i përbashkët.

“Procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian paraqet çështje sigurie dhe për këtë arsye përshpejtimi i proceseve eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie kyçe për ruajtjen e stabilitetit në rajonin tonë, por edhe në Europë si tërësi. E vlerësojmë lart mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së në atë drejtim, që është interes i përbashkët strategjik, por edhe garanci për kufizimin e ndikimit të palëve të treta”, theksoi Osmani.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në kuadër të Dialogut Strategjik, si dhe për mbështetjen e përgjithshme për forcimin e institucioneve demokratike, përparimin në sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.

Në të njëjtën kohë, në takim u mirëprit aleanca mes dy vendeve në kuadër të NATO-s, ku u theksua mbështetja për Ukrainën dhe zotimet e përbashkëta për mbrojtjen e parimeve dhe vlerave bashkëkohore demokratike, si dhe u dënua ashpër invazioni ushtarak rus.

Në margjinat e Forumit të Dubrovnikut 2023, Osmani zhvilloi takim me Kryetaren e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odil Renaud-Baso, ndërsa do të zhvillojë takime të veçanta edhe me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Marija Gabriel, dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Armenisë, Ararat Mizorjan.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Kujtojmë se lideri i VMRO-së Hristijan Mickoski, realizoi takim me kryeministrin dhe kryetarin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ku ishte propozuar që të formohet Qeveri kalimtare me VMRO-në dhe 5 nga 10 ministrat e LSDM-së t’i kalojnë opozitës maqedonase, por që paraprakisht të votohen ndryshimet kushtetuese. Mickoskit i kishte pëlqyer ideja, por kishte një kusht, që BDI-ja të mos jetë pjesë e kësaj Qeverie. Pas kësaj edhe BDI pranoi kërkesën e VMRO-DPMNE-së, por pavarësisht kësaj, kryeopozitari HristijanMickoski, nuk ka një qëndrim të qartë nEse do t’i përkrahë ose jo ndryshimet kushtetuese. Ai përsërit vazhdimisht fjalinë se “VMRO-DPMNE nuk do t’i mbështetë ndryshimet kushtetuese nën diktat bullgar”.