Tentativa e Edi Ramës për ta zgjidhur “nyjën e Asociacionit” – Kurti e Osmani s’e komentojnë, Konjufca e kritikon

Krerët e shtetit në Kosovë duket se u zunë në befasi nga njoftimi i kryeministrit shqiptar, Edi Ramës, se Shqipëria ka përcjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Vetë kryeministri Kurti gjatë ditës së sotme nuk ka dashur të komentojë […]

Tentativa e Edi Ramës për ta zgjidhur “nyjën e Asociacionit” – Kurti e Osmani s’e komentojnë, Konjufca e kritikon

Krerët e shtetit në Kosovë duket se u zunë në befasi nga njoftimi i kryeministrit shqiptar, Edi Ramës, se Shqipëria ka përcjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Vetë kryeministri Kurti gjatë ditës së sotme nuk ka dashur të komentojë mbi këtë draft, por gjatë ditës nga Qeveria kanë pasur kritika, duke thënë se nga Shqipëria zyrtare presin mbështetje pasi ndërmjetësues tashmë janë bërë shumë.

Zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për ndërmjetësues të tjerë në këtë proces.

“Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj. Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës, dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiqit që synonte një Republikë Serbe në Kosovë dhe së fundmi me Non-paperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për “Botën Serbe”, tha Kryeziu për RTK-në.

“Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë”, ka deklaruar më tej ai.

Përgjigje ndaj çështjes së draftit nuk dha sot para mediave as presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

I vetmi që foli ishte kryeparlamentari Glauk Konjufca.Konjufca e ka cilësuar të gabuar veprimin e kryeministri Edi Rama.

Konjufca tha se kryeministri Rama nuk do të duhej që të bënte veprime të tilla pa u ulur dhe sqaruar me kryeministrin Albin Kurti.

I pyetur nëse kanë kërkuar nga Rama që ta kenë draftin e Asociacionit, Konjufca tha jo, pasi që, sipas tij, nuk kanë interes.

“Jo nuk kemi interes, sepse mendoj që kjo është çështje e institucioneve të Kosovës. Kryeministri shqiptar tha se është sekret, por nënkryetari jonë tha se e ka parë. Shumë drafte kanë qarkulluar deri tash por asnjëri nuk ka pasë efekt në Kosovë. Nuk besoj se nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen. Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes. Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku. Ata takohen shpesh mendoj por ky ishte një veprim i anshëm”, tha ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten zuri opinionin në Kosovë e Shqipëri në befasi kur bëri të ditur se ua ka dorëzuar presidentit francez, Emanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin e kishte planifikuar prej kohësh.

Rama tha se ky është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë e evropianë, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, siç ka thënë ai, kur palët nuk po arrijnë të merren vesh assesi.

“Palët s’po merren vesh se as kush duhet ta shkruajë këtë tekst. Ky natyrisht është dokument konfidencial, që nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale por ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar”, tha Rama, ndër të tjera.

I bindur, kryeministri shqiptar deklaroi se asnjëra palë, as Kosova e as Serbia, nuk e duan Asociacionin, dhe se do të bëjnë çmos për ta shtyrë themelimin e tij “me lloj-lloj artificesh politike apo teknike”.

Inkuadrimi i Edi Ramës në çështjen delikate të Asociacionit nuk u prit mirë nga pjesëtarë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, por jo vetëm. Edhe LDK-ja e kritikoi, kurse PDK e mbështeti. Reagime pati edhe nga politika shqiptare, të cilët po ashtu s’patën fjalë të mira për këtë veprim të kryeministrit Rama.