Analizë e “Finance Think”-ut për premtimet ekonomike në programet zgjedhore të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së

Të dyja partitë në programet e tyre premtojnë rritje ekonomike prej 5 përqind (VMRO-DPMNE) ose 5.1 përqind (LSDM) deri në vitin 2028. Vlerësimet e think tank-ut, të cilat, sipas analizës, janë pothuajse tërësisht në përputhje me parashikimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), se rritje mesatare prej më shumë se 4 përqind gjatë […]

Analizë e “Finance Think”-ut për premtimet ekonomike në programet zgjedhore të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së
Tubim i VMRO-së. Foto nga faqja e Facebookut të partisë

Të dyja partitë në programet e tyre premtojnë rritje ekonomike prej 5 përqind (VMRO-DPMNE) ose 5.1 përqind (LSDM) deri në vitin 2028. Vlerësimet e think tank-ut, të cilat, sipas analizës, janë pothuajse tërësisht në përputhje me parashikimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), se rritje mesatare prej më shumë se 4 përqind gjatë periudhës së ardhshme katërvjeçare është e pamundur edhe nëse supozohet se nuk do të ketë goditje të reja të mëdha në ekonominë globale, raporton 360Stepeni, transmeton Portalb.mk.

Think-tank organizata “Finance Think” në një analizë të shkurtër me titull “Paragrafi 61” i përmbledh premtimet në sferën e ekonomisë në programet zgjedhore të dy partive më të mëdha politike në bllokun maqedonas – LSDM dhe VMRO-DPMNE.

Analiza ekonomike, ekonomi, euro, denare
Foto: Meta.mk

Analiza e “Finance Think” i referohet tetë kategorive ekonomike nga programet e të dyja partive – Rritja Ekonomike, Punësimi, Investimet, Pagat, Pensionet, Ndihma Sociale, Tatimet dhe Subvencionet. Në të bëhet një krahasim i drejtpërdrejtë i premtimeve të partive me një koment të shkurtër të përmbledhur në qëndrimin e think-tank-ut, i cili, sipas tyre, bazohet në punën afatgjatë të prodhimit të provave shkencore mbi një bazë të të dhënave, referenca e së cilës jepet gjatë tekstit të analizës.

Rritja ekonomike

Kështu, në lidhje me premtimet për rritjen e ekonomisë në analizë vihet re se programi i LSDM-së parashikon rritje mesatare të bruto prodhimit vendor (BPV) për periudhën 2024-2028 prej 5,1 përqind, ndërsa në programin zgjedhor kundërshtari i tyre politik VMRO-DPMNE është për një përshpejtim gradual të rritjes aktuale deri në 5 përqind në vitin 2028. Kjo, sipas Finance Think jep rritje mesatare të PBV-së prej katër përqind për të gjithë periudhën katërvjeçare.

Vlerësimet e think tank-ut, të cilat, sipas analizës, janë pothuajse tërësisht në përputhje me parashikimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), se rritje mesatare prej më shumë se 4 përqind gjatë periudhës së ardhshme katërvjeçare është e pamundur edhe nëse supozohet se nuk do të ketë goditje të reja të mëdha në ekonominë globale.

“Nëse supozohet mungesë e goditjeve të reja të rëndësishme në ekonominë globale – veçanërisht goditje nga ana e ofertës që mund të ndikojnë dukshëm në çmimet dhe/ose të imponojnë kufizime dhe bllokime në furnizimin e mallrave të rëndësishme në fushën e të ushqyerit, energjisë dhe inputeve të industrive kryesore për kontinentin evropian – Maqedonia e Veriut mund të arrijë rritje që do të lëvizë rreth rritjes potenciale prej 4-4,5% në afat të mesëm 3-4 vjeçar, që do të rezultonte me një rritje mesatare prej 4% ose diçka më të ulët”, thuhet në analizë.

Sipas “Finance Think” programet e dy partive politike janë mjaft uniforme sa u përket burimeve të rritjes. Të dyja partitë, thuhet se theksojnë ambicien për vlerë më të madhe të shtuar, produktivitet dhe konkurencë më të madhe të ekonomisë dhe planifikojnë t’i realizojnë ato përmes investimeve më të mëdha në kapitalin njerëzor, mbështetjes të eksportit dhe forcimit të kapaciteteve eksportuese, mbështetjes të sistemit të inovacionit dhe sipërmarrjes.

Megjithatë, analiza vë në dukje se për të përfituar nga këta faktorë të rritjes ekonomike është e nevojshme të merren parasysh dobësitë e sistemit, realizimi i dobët i strategjive kyçe dhe stagnimi i reformave kyçe në periudhën e kaluar. Si shembull në segmentin e fundit vërehen pamjaftueshmëria e reformave arsimore, mungesa e kalimit të fuqisë punëtore nga sistemi i mbrojtjes sociale në tregun e punës, sistemi arbitrar i ndihmës shtetërore, kompromitimet e sistemit të mbështetjes së inovacionit etj.

“Të dy programet vënë theksin mbi investimet e brendshme dhe të huaja, por në programin e VMRO-DPMNE-së më shumë theksohet përqendrimi në tërheqjen e investimeve të huaja, ndonëse edhe  programi i LSDM-së e bën këtë edhe përmes konceptit “nearshoring”, gjegjësisht tërheqjen e investimeve të huaja të cilat për shkak të fragmentimeve gjeopolitike zhvendosen më afër kompanive amë të tyre”, thuhet në analizë.

VMRO - DPMNE, foto nga Vanço Xhambaski
VMRO – DPMNE, foto nga Vanço Xhambaski

E përmbledhur, përshtypja e analizës së programeve të dy partive politike sa i përket modelit të rritjes ekonomike është se VMRO-DPMNE-ja pothuajse ekskluzivisht mbështetet në konceptin e krijimit të vlerës së re të shtuar në ekonomi, ndërsa për LSDM-në, përveç krijimit të vlerës së re të shtuar, mbetet e rëndësishme rishpërndarja e të ardhurave tashmë të krijuara.

Punësimi

Në lidhje me punësimin programet e të dyja partive politike parashikojnë uljen e papunësisë. Dallimi në ambicie është i vogël dhe arrin në 0,5 përqind, gjegjësisht LSDM-ja premton ulje të papunësisë për 7 përqind deri në vitin 2028, ndërsa për VMRO-DPMNE-në kjo përqindje është 7,5 përqind. Kjo barazohet me krijimin e rreth 50.000 vendeve të tjera të punës, që është plotësisht reale për periudhën e ardhshme katërvjeçare.

Megjithatë, nga “Finance Think” bëjnë me dije se për ta arritur këtë qëllim është i nevojshëm administrimi i duhur i kontingjentit të të papunëve në vend, sa i përket nevojës për kualifikim plotësues, rikualifikim të tyre, duke pamundësuar mbështetjen me ndihmën sociale për një periudhë të pakufizuar kohore dhe duke pamundësuar krijimin e të ardhurave në ekonominë gri.

“Përveç kësaj, arritja e këtij qëllimi është e mundur vetëm në kushtet e mbështetjes së kontrolluar mbi punëtorët e huaj, kryesisht përmes një programi për importimin e punëtorëve në sektorë për të cilët nuk mund të sigurohen punëtorët përmes kontingjentit vendas të fuqisë punëtore në dispozicion”, thuhet në analizë.

Në kuadër të kësaj kategorie shtohet se premtimi i LSDM-së për zvogëlimin e orarit të punës nga tetë në shtatë orë në ditë është plotësisht në mospërputhje me premtimet për rritje dhe produktivitet më të lartë, të cilat, shton analiza, mund të arrihen vetëm me më shumë përpjekje dhe investime, gjegjësisht me më shumë punë dhe orë pune.

Investimet

Sa u përket investimeve, programi i VMRO-DPMNE-së parasheh tre miliardë euro investime kapitale për tërë mandatin, ndërsa programi i LSDM-së 3,5 miliardë euro.

Edhe pse i dëshirueshëm për rritjen e ekonomisë, ky kontigjent investimesh kapitale, sipas “Finance Think”, duhet parë në kuadër të kapacitetit të shtetit në realizimin e këtij lloji investimesh, i cili sillet rreth 500 milionë euro për vit.

“Pa i hequr dobësitë sistematike për planifikim, prioritizimin, kapacitetet teknike për tenderim dhe zbatim nga ana e institucioneve, këto premtime janë të vështira për t’u realizuar”, thuhet në analizë.

Nga “Finance Think” thonë se transferet kapitale për komunat në vlerë prej 250 milionë euro në vit që VMRO-DPMNE-ja premton në programin e saj do të ndikonin pozitivisht në rritjen ekonomike, por këto transferta, shton analiza, duhet të jenë të lidhura ngushtë me investimet kapitale dhe duke rritur vjeljen e tatimit në pronë nga komunat, që është burim i tyre i rëndësishëm i të ardhurave.

Pagat

Pagat janë përmendur si premtim direkt vetëm në programin e LSDM-së, por jo edhe në premtimet e VMRO-DPMNE-së. Deri në vitin 2028, LSDM-ja premton se paga mesatare do të jetë 1.100 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro. Në programin e VMRO-DPMNE-së përmendet se pagat në sektorin publik do të rriten me rritjen e ekonomisë, gjë që mund të jetë tregues se qëndrimi i VMRO-DPMNE-së në raport me të gjitha pagat është se ato do të dalin nga rritja e ekonomisë, thuhet në analizë.

Ky qëndrim, sipas think-tank-ut, është i qëndrueshëm dhe në përputhje me parimet e ekonomisë së tregut. Nga ana tjetër, premtimet për rritje konkrete të pagave, siç është rasti në programin e LSDM-së, të cilat nuk janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë, sipas “Finance Think” mund të dërgojnë sinjale të gabuara te votuesi i informuar. Qëndrimi i fundit është i qëndrueshëm dhe në përputhje me parimet e ekonomisë së tregut. Angazhimi për rritjen specifike të pagave, të cilat nuk janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë, mund t’i dërgojë sinjale të gabuara votuesve të informuar.

“…Domosdoshmërisht duhet të vërehet se rritja e pagave në 2-3 vitet e fundit është kryesisht, por jo ekskluzivisht, pasojë e përshtatjes me rritjen e nivelit të çmimeve”, thekson analiza.

Pensionet

Sa u përket pensioneve programi i LSDM-së parasheh rritje të pensionit mesatar deri në 30.000 denarë deri në vitin 2028 dhe pensionit minimal deri në 20.000 denarë. Në raport me pensionin mesatar aktual, rritja e parashikuar është 50 përqind, pra 11 përqind rritje mesatare vjetore. Programi i VMRO-DPMNE-së, nga ana tjetër, parasheh 5.000 denarë për çdo pensionist më së voni deri në fund të vitit të parë, gjegjësisht rritje të pensioneve për 25 përqind në vitin e parë.

Nga “Finance Think” thonë se mbeten në qëndrimin të shprehur disa herë se rritja e pensioneve, e cila devijon nga formula e përafrimit të tyre me rritjen e pagës mesatare dhe rritjen e çmimeve, do të prishë rrugën e stabilizimit të Fondit SPIM-së, i cili kaloi një reformë të butë në vitin 2018 që e bëri të mundur këtë stabilizim.

Ndihma sociale

Ndihma sociale, sipas analizës së think-tank-ut, është jashtë fokusit në programet politike të të dyja partive, ndonëse LSDM-ja fokusohet edhe në rishpërndarjen e të hyrave.

“Programi i LSDM-së fokusohet në përmirësimin e sistemit të aktivizimit të përfituesve të ndihmës sociale dhe forcimin e shërbimeve sociale, që është një qëndrim i duhur dhe është në përputhje me konstatimet tona në Studimin e Politikave 31”, thonë nga “Finance Think”.

Nga ana tjetër, në programin e VMRO-DPMNE-së thuhet se do të rritet ndihma sociale, por nuk jepen detaje se si dhe në çfarë vlere. Analiza e merr këtë si një tregues se do të harmonizohet në përputhje me mekanizmat ekzistues të harmonizimit.

“Ky i fundit është një qëndrim i duhur ndaj ndihmës sociale, megjithëse disa adaptime të caktuara, si për shembull harmonizimi i dyfishtë me rritjen e çmimeve, ose ndërhyrje të caktuara në fushën e ndihmës së fëmijëve, mund të sigurojnë rezultate më të mira për standardet jetësore”, shtohet aty.

Tatimet

Sa u përket tatimeve, analiza e “Finance Think” vlerëson se LSDM-ja, në përputhje me qëndrimet e saj për rishpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë, parasheh vendosjen e taksës për luksin (pasurinë), për të cilën nuk jepen konturime më konkrete, si dhe shqyrtim të një modeli për taksimin progresiv të të ardhurave. Përveç kësaj, LSDM-ja parasheh tatim mbi të ardhurat prej 0 përqind për pagën minimale. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja paraqet qëndrim për ruajtjen e normave aktuale tatimore dhe ngritjen e pragut të regjistrimit për obliguesit e TVSH-së në tre milionë denarë.

“Programi për Ardhmërinë Evropiane 2024” i LSDM-së / Burimi: LSDM
“Programi për Ardhmërinë Evropiane 2024” i LSDM-së / Burimi: LSDM

Programi i VMRO-DPMNE-së, sipas analizës, fokusin e zhvendos në luftën kundër ekonomisë gri, si kusht i domosdoshëm që në afat të mesëm të arrihet një bazë më e madhe tatimore dhe të hyra më të larta tatimore.

Nga “Finance Think” thonë se janë plotësisht dakord me këtë qëndrim dhe e bazojnë në katër fakte:

  • Ekonomia gri në Maqedoninë e Veriut është flagrante me një vlerësim konservativ prej 21.3 përqind të ekonomisë totale, që është e barabartë me të ardhurat tatimore të pavjelura prej të paktën 700 milionë euro në vit,
  • Ekonomia gri është e përhapur dhe përfshin forma të ndryshme të punëtorëve të padeklaruar, punës së raportuar jo plotësisht, qarkullimit jo plotësisht të raportuar dhe raportimit jo të plotë të të ardhurave familjare,
  • Ekonomia gri kërkon gjithashtu masa që nxisin formalizimin dhe masa ndëshkuese,
  • Taksat më të larta dhe progresive në kushtet e ekonomisë gri dhe mekanizmat e pamjaftueshëm të fortë për ta luftuar atë, nxisin evazionin fiskal dhe rrjedhimisht kthim më të madh drejt ekonomisë gri.

“Sa i përket premtimit për 0% tatim mbi të ardhurat për punëtorët me paga minimale, theksojmë se megjithëse siguron progresivitet adekuat në tatimim, ai sërish do të shkaktojë deformim sa i përket përfaqësimit të ekonomisë gri tek punëtoret me paga minimale”, thuhet në analizë.

Subvencionet

Sa u përket subvencioneve, programet e të dyja partive, sipas “Finance Think”, tregojnë për një respektim të përgjithshëm të modeleve aktuale të subvencionimit.

“I referohemi dy grupeve të subvencioneve: për fermerët dhe për kompanitë vendase, sepse këto janë dhëniet më të mëdha të ndihmës shtetërore. Programi i LSDM-së parasheh një shumë totale për subvencione bujqësore prej 850 milionë eurosh (mbështetje direkte financiare dhe mbështetje për zhvillimin rural), që është një shumë mesatare vjetore prej 215 milionë eurosh, ndërsa shuma adekuate në programin e VMRO-DPMNE-së është 180 milionë euro. Të dy shumat e premtuara janë dukshëm mbi realizimet aktuale prej rreth 130 milionë eurosh. Edhe nëse shumat rriten në nivelet e parashikuara, aspekti më i rëndësishëm i subvencioneve bujqësore me të cilin programet politike nuk merren apo merren në mënyrë margjinale (VMRO-DPMNE) është nevoja për të braktisur sa më shpejt modelin e shpërndarjes së subvencioneve sipas parimit të inputeve (njësi sipërfaqe ose kokë bagëtish) dhe kalimi në parimin e outputeve (cilësia e prodhimit, gjegjësisht vëllimi i prodhimit për njësi sipërfaqeje). Të dy programet parashikojnë mbështetjen e progresit teknologjik dhe inovacioneve në bujqësi, nëpërmjet shfrytëzimit të mëtejshëm të programit IPARD”, thuhet në analizë.

Sa i përket mbështetjes me ndihma shtetërore për kompanitë, të dy programet e vënë më shumë theksin te mbështetja e kompanive vendase përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve. LSDM-ja parasheh ruajtjen e zgjidhjes ekzistuese me 180 milionë euro ndihma shtetërore në vit, ndërsa qëndrim të ngjashëm ka edhe VMRO-DPMNE-ja, pa treguar shumë të caktuar dhe duke lajmëruar përshtatje të Ligjit për shumat më të mëdha dhe fokus te kompanitë eksportuese.