Bullgaria pajis rojet bregdetare me raketa për t’u përballur me kërcënimin rus

Bullgaria ka filluar pajisjen e rojeve së saj bregdetare me raketa, në mënyrë që “askush të mos guxojë t’u afrohet qyteteve të Detit të Zi” të vendit, njoftoi të enjten kryeministri Nikollaj Denkov teksa iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve në Facebook, transmeton Portalb.mk nga Euractiv. Denkov shtoi se shteti duhet të zhvillojë forcat e tij […]

Bullgaria pajis rojet bregdetare me raketa për t’u përballur me kërcënimin rus
Deti i Zi. Foto: Arman Barsegyan në Canva

Bullgaria ka filluar pajisjen e rojeve së saj bregdetare me raketa, në mënyrë që “askush të mos guxojë t’u afrohet qyteteve të Detit të Zi” të vendit, njoftoi të enjten kryeministri Nikollaj Denkov teksa iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve në Facebook, transmeton Portalb.mk nga Euractiv.

Denkov shtoi se shteti duhet të zhvillojë forcat e tij detare për të qenë mjaftueshëm i përgatitur për të mbrojtur vendin.

“Për momentin nuk shohim kërcënim të drejtpërdrejtë për portet bullgare, por forca përgjigjet me forcë. Kjo është arsyeja pse ne filluam të blejmë raketa për rojet bregdetare, në mënyrë që askush të mos guxojë tu afrohet qyteteve tona të Detit të Zi”, shtoi Denkov.

Në këtë kontekst, ai kujtoi sulmin e Perandorisë Ruse kundër Varnës në vitin 1915.

“Një sinjal i është dërguar NATO-s se Rusia po përpiqet ta bëjë Detin e Zi një liqen rus, mënyra e vetme për të rezistuar është t’i përgjigjemi forcës me forcë. Shumë e shumë vite më parë, Varna u granatua nga Rusia përgjatë Detit të Zi. Ne nuk duhet ta lejojmë atë”, tha Denkov.

Sulmi me artileri nga flota ruse kundër qytetit më të madh bullgar të Detit të Zi ndodhi më 14 tetor 1915, kur njerëzit e Varnës ishin në rrugë për të festuar një nga festat e krishtera: “Petkovden”. U qëlluan vetëm mbi objekte civile, duke vrarë nëntë persona dhe duke plagosur 38. Më 13 dhjetor 1916, gjatë një feste tjetër (Dita e Andreevit), Balçiku u granatua gjithashtu.

“Politikanët rusë kanë thënë vazhdimisht se pas Ukrainës, pasojnë republikat baltike dhe Moldavia. Është koha që qytetarët bullgarë të hapin sytë se ekziston një agresor që dëshiron të rimarrë ndikimin perandorak”, tha Denkov.

Marina bullgare aktualisht ka tre fregata, një anije roje, tre korveta dhe shumë minahedhës.

Në vitin 2025 dhe 2026, Marina Bullgare do të marrë dy anije të reja patrullimi, Brave dhe Courageous, që po ndërtohen aktualisht në kantierin detar bullgar MTG ‘Dolphin’. Edhe synimet për blerjen e dy nëndetëseve të përdorura nga vendet partnere në NATO po ndahen publikisht, por për momentin nuk ka asnjë qartësi për këtë çështje.

Më 22 gusht, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i tha Denkovit se sjellja agresive e Rusisë në Detin e Zi ngre çështjen e përpjekjeve koherente të anëtarëve të NATO-s në kufi me detin strategjik.

Më herët, ministri bullgar i mbrojtjes Todor Tagarev deklaroi se mundësia e shpërthimit të një konflikti detar në Detin e Zi nuk mund të përjashtohet për shkak të sjelljes agresive të Rusisë.

Kremlini përdor anije nga marina e tij për të parandaluar eksportet e grurit nga Ukraina. Në gusht, një luftanije ruse lëshoi një paralajmërim për të ndaluar një anije mallrash me flamur Palau në Detin e Zi.