Forumi për Ndryshimin Arsimor: Arsimi i Lartë në Maqedoninë e Veriut është në krizë

Forumi për Ndryshimin Arsimor ka reaguar përsmes një postimi në Facebook nga ku thoinë se profesorë të korruptuar, hajna dhe plagjiatorë përditë po prodhojnë analfabetë funksional. Skandali, sipas tyre, thellohet kur këta shkatërrues të cilësisë në arsimin e lartë po rehablitiohen nga personat më kompetent për t’i ndëshkuar ata, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton […]

Forumi për Ndryshimin Arsimor: Arsimi i Lartë në Maqedoninë e Veriut është në krizë
Universiteti i Tetovës (UT). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Forumi për Ndryshimin Arsimor ka reaguar përsmes një postimi në Facebook nga ku thoinë se profesorë të korruptuar, hajna dhe plagjiatorë përditë po prodhojnë analfabetë funksional. Skandali, sipas tyre, thellohet kur këta shkatërrues të cilësisë në arsimin e lartë po rehablitiohen nga personat më kompetent për t’i ndëshkuar ata, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri dhe drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Halit Ferati, transmeton Portalb.mk.

“Për të shpëtuar arsimin nga fundosja e tërësishme, FNA-ja disa herë ka denoncuar dhe ka ofruar prova për raste të hajnisë dhe korrupsionit në arsimin e lartë. Rrallë kemi marrë përgjigje ndërsa asnjëherë s’janë ndërmarrë masa konkrete kundër shkelësve të denoncuar nga ne, përkundër vendimeve për shkelje të konstatuara. Kështu, Halit Ferati dhe Jeton Shaqiri po stimulojnë korrupsionin në arsim”, thonë nga FNA.

Ata shtojnë se po bëhet 1 vit që kur u konstatua se Agron Alili ishte avancuar kundërligjshëm dhe asgjë nuk është ndërmarrë deri sot, përkundër që FNA-ja posedon prova ku ministri Shaqiri premton se do të ndërmerr masa.

“Alili vijon që çdo mëngjes të vishet nën petkun e profesorit dhe të del para studentëve, sikur të mos ishte një prej personave që rrezikon cilësinë e arsimit të lartë. Theksojmë se ky nuk është rasti i vetëm pa epilog. Aleat i ministrit në këtë ‘luftë’ për mbrojtje dhe strehim të shkelësve të ligjit është drejtuesi i Inspektoratit të Arsimit, Halit Ferati. Deri te ky institucion, FNA-ja ka kohë që dorëzon prova dhe indicie për shkelës potencial ndërsa nuk po marrim asnjë përgjigje. Halit Ferati ta lëshojë karrigen e drejtorit nëse s’ka guxim, s’din ose nuk dëshiron që të luftojë korrupsionin në arsim”, thonë nga FNA

FNA-ja konsideron se me praktikën e mosndëshkueshmërisë të ministrit Shaqiri, frikën e Feratit për t’i çuar deri në fund hetimet dhe gjendjen në të cilën ndodhet arsimi sot se janë pjekur kushtet që kryeministri të ndërhyjë dhe t’i shkarkojë urgjentisht “dy frenuesit më të mëdhenj të luftës kundër korrupsionit, hajnisë dhe plagjiaturës në arsimin, Jeton Shaqirin dhe Halit Feratin”.

“FNA-ja nuk do të qëndrojë duarkryq, ndërkohë që presim persona më kompetent t’i zënë karriget e institucioneve të lartëpërmendura, do të vazhdojmë të bëjmë publike çdo parregullsi që vë në rrezik cilësinë e arsimit të lartë. FNA-ja përsërit edhe njëherë nevojën për veting në arsim të lartë, vetëm në atë formë do ta shpëtonim arsimin nga këto hajna, plagjiatorë dhe persona të korruptuar”, thonë nga ky Forum.

Kujtojmë se më 13 dhjetor 2023, Forumi për Ndryshime në Arsim akuzoi Ministrinë e Arsimit për heshtje në rastin e avancimit kundërligjor të një profesori të USHT-së. Sipas drejtuesve të Forumit, Agron Alili ka fituar thirrjen shkencore docent nga fakulteti i shkencave matematiko-natyrore pa i përmbushur kushtet elementare, përkatësisht titulli i është dhënë me mesataren prej 6.7 apo shumë me notë më të dobët se ajo që kërkohet me ligj.

Ndryshe, në muajin gusht 2023, Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) përmes një reagimi njoftoi se kanë siguruar dokumentin e Inspektoratit të Arsimit në të cilin konfirmohen denoncimet e tyre se profesori Agron Alili në Universitetin e Tetovës nuk i ka plotësuar kushtet për t’u avancuar në titullin mësimor-shkencor docent.

Për këtë rast, Forumi për Ndryshime në Arsim njoftoi në qershor të vitit 2023 se kanë dorëzuar parashtresë në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit. Në lidhje me këtë rast, aso kohe nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit patën thënë për Portalb.mk se kanë pranuar parashtresat dhe se për të njëjtat do të veprohet.