Gazeta gjermane me shkrim për serbët e Kosovës, të vetmit në Europë që kanë nevojë për vizë

Me pasaportë të Kosovës tani mund të hyni në BE pa vizë, por serbët nga Kosova me pasaportë serbe ende nuk munden, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung, duke shtuar se Brukseli do t’ua lejonte një gjë të tillë, por se Prishtina po reziston, transmeton FrontOnline. Frankfurter Algemeine Zeitung thekson se qytetarët e Kosovës më në fund […]

Gazeta gjermane me shkrim për serbët e Kosovës, të vetmit në Europë që kanë nevojë për vizë
gazeta-gjermane-me-shkrim-per-serbet-e-kosoves,-te-vetmit-ne-europe-qe-kane-nevoje-per-vize

gazeta-gjermane-me-shkrim-per-serbet-e-kosoves,-te-vetmit-ne-europe-qe-kane-nevoje-per-vize

Me pasaportë të Kosovës tani mund të hyni në BE pa vizë, por serbët nga Kosova me pasaportë serbe ende nuk munden, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung, duke shtuar se Brukseli do t’ua lejonte një gjë të tillë, por se Prishtina po reziston, transmeton FrontOnline.

Frankfurter Algemeine Zeitung thekson se qytetarët e Kosovës më në fund mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen dhe thekson se kjo nuk vlen për serbët nga Kosova.

“Nëse ky përjashtim mbetet, atëherë serbët e Kosovës do të jenë të vetmit evropianë – pa llogaritur qytetarët e Rusisë dhe Bjellorusisë – të cilëve ende u mohohet liria për të udhëtuar në BE”.

Siç kujtohet, kjo “situatë e veçantë” u krijua në vitin 2009, kur qytetarëve serbë iu dha mundësia e udhëtimit pa viza.

Në atë kohë, Komisioni Evropian insistonte që të mos bëhet dallimi mes banorëve të Kosovës, kështu që serbët e atjeshëm, edhe pse qytetarë serbë, mund të merrnin pasaporta vetëm përmes Administratës Koordinuese.

Me pasaporta të tilla ende nuk është e mundur të udhëtosh pa vizë.

“Tani Komisioni Evropian po propozon shfuqizimin e atij rregulli special nga viti 2009. Koha i ka mbaruar me futjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, thonë në Bruksel”, transmeton FrontOnline.

Sipas gazetës, këtë e kundërshton qeveria e Kosovës, e cila pretendon se tani e më shumë serbët e Kosovës po kërkojnë pasaportat e Kosovës, gjë që, siç thonë në Prishtinë, i kontribuon integrimit.

Gazeta e Frankfurtit, nga ana tjetër, thekson se ende është një numër i vogël i serbëve që janë në kërkim të pasaportës së Kosovës.

Vitin e kaluar, sipas të dhënave, ishin 4350, ndërsa një vit më parë 3400.

Kjo të kujton letrën që zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi i shkroi Brukselit në nëntor, duke kërkuar që serbët e Kosovës ende nuk mund të udhëtojnë në BE me pasaportë serbe dhe duke u kujtuar atyre se ata gjithmonë mund të kërkojnë një pasaportë të Kosovës.

Gazeta citon gjithashtu fjalët e një diplomati të paidentifikuar kosovar, i cili thotë se Kosova nuk mund të marrë përgjegjësi për banorët që do të udhëtonin me pasaportë serbe dhe do të bënin kundërvajtje – të themi qëndrimin më shumë se 90 ditë – apo vepër penale.

“Ne mund të marrim përgjegjësi vetëm për qytetarët që udhëtojnë me pasaportë të rregullt të Kosovës”.

Gazeta rikujton se në nëntor edhe 21 organizata joqeveritare të Kosovës i kanë shkruar Bashkimit Evropian “duke përdorur argumentet e Qeverisë pothuajse fjalë për fjalë”.

Për këtë kanë reaguar disa iniciativa civile të serbëve të Kosovës me “mosbesim dhe zhgënjim”, shkruan gazeta. Ata habiteshin se si organizatat që luftuan me vite kundër izolimit të pajustifikuar të Kosovës në Evropë tani po kërkojnë izolim të përhershëm për një pjesë të bashkëqytetarëve të tyre.

“Është e paqartë se si do të shkojnë gjërat”, shton FAZ. “Komisioni Evropian i qëndron propozimit të tij për heqjen e rregullit special nga viti 2009. Në mënyrë që ai propozim të pranohet, ai duhet të miratohet nga anëtarët e BE-së dhe shumica në Parlamentin Evropian. Është e pasigurt nëse kjo do të ndodhë përpara zgjedhjeve evropiane në qershor”.

Gazeta vlerëson se deri atëherë popullariteti i pasaportave të Kosovës në mesin e serbëve të Kosovës ende mund të rritet.

“Por kjo nuk do të thoshte asgjë për forcimin në rritje të shkallës së identifikimit të minoritetit serb me Kosovën”./FrontOnline/