Gjykata ruse e mban në fuqi vendimin që t’ia ndalon garimin në zgjedhje kandidatit kundër luftës

Gjykata Supreme e Rusisë e hodhi poshtë të mërkurën ankesën e Boris Nadezhdin, kandidatit presidencial që është kundër luftës, ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (TsIK) që ia ndalon atij garimin në zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm, transmeton REL. Akademiku dhe ish-avokati i lindur në Uzbekistan ishte ankuar ndaj vendimit final të Komisionit […]

Gjykata ruse e mban në fuqi vendimin që t’ia ndalon garimin në zgjedhje kandidatit kundër luftës
Flamuri i Rusisë, foto: Sergei Velov në Canva

Gjykata Supreme e Rusisë e hodhi poshtë të mërkurën ankesën e Boris Nadezhdin, kandidatit presidencial që është kundër luftës, ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (TsIK) që ia ndalon atij garimin në zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm, transmeton REL.

Akademiku dhe ish-avokati i lindur në Uzbekistan ishte ankuar ndaj vendimit final të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ia ndalon atij pjesëmarrjen në zgjedhje.

TsIK, i cili vazhdimisht refuzon t’i regjistrojë kandidatët opozitarë me pretekstin se ata kanë dorëzuar numër të pamjaftueshëm të nënshkrimeve të vlefshme, i hodhi poshtë miijëra nënshkrime që përfaqësuesit e Nadezhdinit i mblodhën nëpër vend për ta arritur pragun prej 100.000 nënshkrimeve të nevojshme për t’u regjistruar si kandidat.

“Gjykata Supreme e Federatës ruse e refuzoi kërkesën time për ta sfiduar mosregjistrimin tim. Do të ankohem ndaj këtij vendimi brenda pesë ditëve. Më 26 shkurt, gjykata do t’i shqyrtojë ankesat për dy pretendimet e para”, tha Nadezhdin në Telegram.

“Unë nuk do ta pranoj dështimin”, shtoi ai.

Javën e kaluar, gjykata e njëjtë i hodhi poshtë dy ankesa të tjera që ai i kishte bërë ndaj vendimeve të TsIK-ut në lidhje me mbledhjen e nënshkrimeve për t’u regjistruar si kandidat për zgjedhjet presidenciale.

Ai mund të ankohet ndaj vendimit të 21 shkurtit në Bordin e Ankesave të Gjykatës Supreme.

Ankesa e parë kishte të bënte me shpjegimin e TsIK-ut për vendimin e tij se shumë prej përfaqësuesve të Nadezhdinit, të cilët mblodhën nënshkrime, i kishin prokurat e tyre të certifikuara nga zyrat e noterit në rajone të tjera dhe jo në rajonin në të cilin mblidhnin nënshkrime.