Guvernatori Ismaili zhvillon takime me zyrtarë të lartë të FMN-së

Guvernatori i Bankës Qendrore (BQK), po qëndron në ShBA, ku ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në kuadër të takimeve pranverore që po mbahen në Washington D.C. Në një takim me Zëvendësdrejtorin Menaxhues i FMN-së, Bo Li, siç thuhet në njoftimin e BQK-së, Ismaili zhvilloi diskutime të cilat ishin […]

Guvernatori Ismaili zhvillon takime me zyrtarë të lartë të FMN-së

Guvernatori i Bankës Qendrore (BQK), po qëndron në ShBA, ku ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në kuadër të takimeve pranverore që po mbahen në Washington D.C.

Në një takim me Zëvendësdrejtorin Menaxhues i FMN-së, Bo Li, siç thuhet në njoftimin e BQK-së, Ismaili zhvilloi diskutime të cilat ishin të fokusuara në zhvillimet kryesore brenda sektorit financiar.

“Duke theksuar rolin vendimtar të FMN-së, Guvernatori Ismaili theksoi mbështetjen e dhënë BQK-së nga FMN-ja në forcimin e kapaciteteve të saj institucionale dhe zbatimin me sukses të rekomandimeve nga misionet e FMN-së”, thotë BQK-ja në njoftim.

Ismaili mori pjesë edhe në Plenarin e Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar (IMFC), si përfaqësues i Kosovës në Bordin e FMN-së.

Në këtë forum të nivelit të lartë, i cili përfshinte pjesëmarrjen e Drejtoreshës Menaxhuese të FMN-së, Kristalina Georgieva, “Ismaili paraqiti argumentet mbi çështjet urgjente të stabilitetit financiar, jetike për përkushtimin e BQK-së duke rritur qëndrueshmërinë e sektorit financiar”.

Ndër të tjera, Guvernatori Ismaili është takuar edhe me Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit Evropian në FMN. Gjatë këtij diskutimi, Ismaili ritheksoi kontributin e konsiderueshëm të FMN-së në agjendën reformuese të BQK-së, teksa vlerësoi asistencën teknike të ofruar nga FMN-ja dhe theksoi rolin kritik të bashkëpunimit ndërkombëtar në avancimin e objektivave të BQK-së.

“Gjatë gjithë këtyre diskutimeve, Guvernatori Ismaili rikonfirmoi rëndësinë kryesore të ruajtjes së stabilitetit dhe qëndrueshmërisë financiare. Teksa ai vazhdon të shtyjë përpara reformat dhe të nxisë partneritetet strategjike, BQK-ja mbetet e përkushtuar në misionin e saj për të siguruar stabilitetin financiar të Republikës së Kosovës”, tha BQK-ja në njoftimin dërguar mediave.