Hajdutët në objektin e pasiguruar të spitalit të ri të Kërçovës kanë vjedhur bakër, por MPB nuk konfirmon se dëmi është 500 mijë euro

Bakri është materiali më i vjedhur në objektin e ri të Spitalit të Kërçovës. Të dhënat e siguruara nga Portalb.mk nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) tregojnë se që nga viti 2010 janë raportuar dy vjedhje në objektin i cili ka filluar të ndërtohet që nga koha kur kryeministra kanë qenë Branko Crvenkovski e […]

Hajdutët në objektin e pasiguruar të spitalit të ri të Kërçovës kanë vjedhur bakër, por MPB nuk konfirmon se dëmi është 500 mijë euro
Objekti i ri i spitalit të përgjithshëm të Kërçovës, foto: Portalb.mk

Bakri është materiali më i vjedhur në objektin e ri të Spitalit të Kërçovës. Të dhënat e siguruara nga Portalb.mk nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) tregojnë se që nga viti 2010 janë raportuar dy vjedhje në objektin i cili ka filluar të ndërtohet që nga koha kur kryeministra kanë qenë Branko Crvenkovski e Lupço Georgievski. Policia, megjithatë nuk e konfirmon pretendimin e ministrit së Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti se vlera e përgjithshme e dëmit nga vjedhjet është 500 mijë euro, shkruan Portalb.mk.

Nga spitali “i ri” i Kërçovës për shkak të neglizhencës së institucioneve përkatëse, gjegjësisht mungesës së sigurimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë është vjedhur dy herë duke e prolonguar edhe përfundimin e objektit.

10 janar të vitit 2010, është raportuar vjedhja e parë në këtë objekt dhe për të cilën është parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore  Publike të Kërçovës më 12 shkurt të vitit 2010.

“Më 10.01.2010, në objektin e ri të spitalit të Kërçovës është raportuar një vjedhje, në konsultim me Prokurorinë Themelore Publike Kërçovë, është regjistruar vepër penale nga neni 235 paragrafi 1 në lidhje me nenin 19 dhe nenin 22, për të cilën është parashtruar kallëzim penal më 12 shkurt 2010 në Prokurorinë Themelore Publike Kërçovë”, informojnë Ministria e Punëve të Brendshme.

1 dhjetor të vitit 2019, në objektin e ri të spitalit të Kërçovës është raportuar vjedhja e dytë, gjatë së cilës janë vjedhur tuba bakri dhe kabllo elektrike.

“Më 01.12.2019 është raportuar vjedhje në objektin e ri të spitalit, gjatë së cilës nga disa hapësira janë vjedhur tuba bakri dhe kabllo elektrike. Në konsultim me Prokurorinë Themelore Publike është regjistruar vepër penale sipas nenit 235 në lidhje me nenin 22, për të cilin më datë 19.12.2019 është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Kërçovë”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme

Më 12 dhjetor të vitit 2023, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në brifing me gazetarët deklaroi se kur ka përfunduar faza e parë e ndërtimit, kompania ndërtuese i ka kërkuar ministrisë ta marrë përsipër objektin dhe se për faj të ministrisë objekti është lënë pa masa sigurie duke shkaktuar që të vidhen kabllo bakri për oksigjen, sipas ministrit me vlerë prej 500 mijë eurove. 

MPB, megjithatë nuk e konfirmoi vlerën e tyre, që sipas Mexhitit është 500 mijë euro.

Tashmë pritet që Ministria e Shëndetësisë të sigurojë objektin dhe të vlerësojë se deri ku ka arritur ndërtimi i tij që më pas të shpallet tender i ri. Ky objekt sipas kontratës së fundit, parashihej të përfundohej në vitin 2024, por në terren nuk është punuar aspak.

Maratonë dështimesh

Në gusht të vitit 2023, ministri i tanishëm i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti paralajmëroi se kontrata me firmën ndërtuese do të ndërpritet për shkak se në terren nuk punohet.

Më 27 dhjetor të vitit 2023, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti  bëri të ditur se lëshimet e Ministrisë së Shëndetësisë kanë prolonguar përfundimin e objektit pasi që në objekt janë vjedhur materiale në vlerë prej 500 mijë eurove.

Më 11 dhjetor të vitit 2023, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në një konferencë deklaroi se kontrata është prishur.

Më 9 dhjetorPortalb.mk publikoi kontratat  për ndërtimin e spitalit të ri të Kërçovës njëra në vitin 2014 dhe tjetra në vitin 2021, me vlerë totale të dy projekteve 9 milionë euro.

Më 13 nëntor të vitit 2023 Portalb.mk përsëri e pyeti ministrin e Shëndetësisë në një konferencë nëse e kanë prishur kontratën, ai tha se janë duke shqyrtuar disa dilema me Qeverinë që të mos dëmtohet ministria nga prishja e njëanshme e kontratës.

Më 2 nëntor të viti 2023, në një konferencë për media i pyetur nga Portalb.mk nëse është prishur kontrata, ai tha se pritet që për një javë të ndërpritet kontrata me firmën.

Më 13 nëntor të vitit 2023, Portalb.mk përsëri e pyeti ministrin e Shëndetësisë nëse e kanë prishur kontratën ai tha se janë duke shqyrtuar disa dilema me Qeverinë që të mos dëmtohet ministria nga prishja e njëanshme e kontratës.

Në nëntor të 2022, ministri i atëhershëm, Bekim Sali ka thënë se për spitalin e Kërçovës janë ndarë 60 milion denarë.

Në mars të vitit 2021Ministria e Shëndetësisë, kur ministër ishte Venko Filipçe, ka nënshkruar kontratë për mbikëqyrje profesionale të punëve të ndërtimit për rindërtim, konvertim, përshtatje, ndërtim dhe përmirësim të spitalit të përgjithshëm të Kërçovës. Mirëpo në terren nuk është punuar nuk ka pasur asnjë aktivitet

Në vitin 2019, Ministria e Shëndetësisë ka hapur shpallje publike për kompanitë e ndërtimit për realizimin e fazës së dytë të Spitalit të Përgjithshëm të Kërçovës. Në këtë shpallje ka konkurruar kompania INKOM Inxhinieri – Shkup, në projekt shpjegohen të gjitha mangësitë nga projekti i parë dhe në çka duhet të fokusohet faza e dytë e ndërtimit.

Në shtator të viti 2017, ish ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari e vizitoi spitalin dhe për mediat tha se janë ndarë financa për përfundimin e spitalit duke premtuar që deri në prill të vitit 2019 spitali do të jetë gati.

Në dhjetor të viti 2016, Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë, Nasuf Ipçe në një deklaratë për TV Gurra përsëri ka premtuar se në vitin 2017 Kërçova do të ketë spital të ri.

Në dhjetor të vitit 2015, Ipçe ka vizituar spitalin dhe ka premtuar se në vitin 2017 edhe faza e parë edhe e dytë do të jetë e përfunduar.

Në vitin 2013, Qeveria e RM-së mori vendim të fillojë një operacion i madh  investues i objektit të këtij spitali. Sipas ministrit të shëndetësisë, punimet ndërtimore duhej të përfundonin në afat prej 18 muajsh (shtator 2014).

Përkundër kësaj, ky premtim nuk u realizua. Në ndërkohë, qytetarët janë të detyruar shërbimet shëndetësore t’i marrin prej spitalit të vjetër, i cili nuk i plotëson kushtet e nevojshme.

“Sa ju takon pjesë si reparti i sëmundjeve interne, reparti i gjinekologjisë, reparti i akusherisë, kanë kushte të kënaqshme, janë të vendosur në objekte pak më të reja dhe disponojnë me disa aparatura të reja dhe modern. Sa i takon pjesës së ambulancave, urgjencës, infektives dhe urologjia kanë kushte shumë larg të kënaqshmes, lirisht mund të them, kushte të këqija. Spitali ka nevojë për kushte më të mira të cilat ne shpresojmë se do t’i kemi kur të transferohemi në objektin e ri”, shkruan Portalb.

Që nga viti 1985 e deri në vitin 2013, Spitali i përgjithshëm i Kërçovës vazhdoi të mbetet në gjendje të mjerueshme.