Investimet dhe eksportet “përtokë” në Kosovë më 2023/ Kush janë shkaktarët?

Investimet e Huaja Direkte (IHD) kanë shënuar rënie drastike në tre mujorin e dytë të këtij viti, përkatësisht në periudhën prill-qershor 2023, raporton portali Front Online. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) vlera e përgjithshme e IHD-ve në këtë periudhë ka arritur në 184.4 milionë euro apo për 12.5% më pak se në periudhën e […]

Investimet dhe eksportet “përtokë” në Kosovë më 2023/ Kush janë shkaktarët?
investimet-dhe-eksportet-“pertoke”-ne-kosove-me-2023/-kush-jane-shkaktaret?

investimet-dhe-eksportet-“pertoke”-ne-kosove-me-2023/-kush-jane-shkaktaret?


Investimet e Huaja Direkte (IHD) kanë shënuar rënie drastike në tre mujorin e dytë të këtij viti, përkatësisht në periudhën prill-qershor 2023, raporton portali Front Online.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) vlera e përgjithshme e IHD-ve në këtë periudhë ka arritur në 184.4 milionë euro apo për 12.5% më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Krahas investimeve, në Kosovë për periudhën e njëjtë kohore ka pasur edhe rënie të eksporteve.

Sipas Bankës Qendore të Kosovës (BQK), vlera e përgjithshme e eksporteve në tre mujorin e dytë të këtij viti ka shënuar rënie për 9.1%, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Rënien e investimeve të huaja e po ashtu edhe rënien e eksportit ish-ministra dhe njohës të ekonomisë e lidhin me jo stabilitetin politik, shkallën e lartë të korrupsionit dhe çështja të tjera, pa anashkaluar edhe situatën e sigurisë në vend.

 

Shatri: Investitorët s’duan të investojnë në një vend ku ka vatra krize

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri rënien e investimeve të huaja direkte në vend e lidh me situatën në veri të vendit, dialogun dhe prishjen e raporteve me ndërkombëtarët.

“Mendoj, që problemet që janë paraqit në veri në mënyrë permanente, presioni i jashtëm për bisedime, ashpërsimi i raporteve me ndërkombëtarët e ka krijuar një klimë që normalisht këto publikohen dhe opinioni i gjerë informohet për problemet. Investitorët e huaj hezitojnë me ardhë dhe pritojnë me investu në një vend ku ka vatra krize, ku ka mundësi për ndonjë eskalim, pra pse me investu atje ku ka rrezik ku munden me shku diku tjetër ku është më sigurte”, është shprehur Shatri për Front Online.

Ndërsa, duke folur për rënien e eksporteve thotë se është e ndikuar nga lëvizjet ekonomike brenda vendit.

“Rënia e eksportit është e ndikuar nga lëvizjet ekonomike brenda vendit, pra kur s’ki çka shet normalisht bjen eksporti, s’ki sasi për të eksportuar. Të gjitha ama të gjitha bashkë janë produkt i një klime të krijuar e cila e ka shpërqendruar vëmendjen nga qarqet prioritare që kanë qenë të vendosura për zhvillim, për mirëqenie e të tjera”, ka shtuar ndër të tjera Shatri.

Sipas tij, shpërqendrimi nga çështjet ekonomike është shumë i dëmshëm për një vend.

“Pra, shpërqendrimi nga çështjet ekonomike është shumë i dëmshëm dhe kjo do të duhej të ishte prioritet të gjitha qeverive sepse qëllimi kryesor për çdo gjë është zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia, ndërsa të tjerat janë dytësore në krahasim me këtë”, ka thënë ai.

Ferat Shala: Korrupsioni e mungesa e strategjisë, shkaktar të rënies së investimeve të huaja

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, njëherit deputet i PDK-së, Ferat Shala derisa ka folur për rënien e investimeve të huaja direkte në vend dhe rënien e eksporteve ka deklaruar se situata ekonomike në vend është e pa favorshme.

Ndërsa, ka përmendur edhe faktorët që kanë ndikuar në këtë çështje.

“Por, situatën e ka vështirësuar situata e sigurisë si me thënë agresioni terrorist në Kosovë. Kur, i shtojmë kësaj edhe veprime të tjera të situatës jo të përshtatshme zhvillimore sa i përket politikave të brendshme dhe unitetit të faktorit politik, mungesa e strategjisë zhvillimore, mungesa e bashkëpunimit dhe qartësisë, shkalla e lartë e korrupsionit sidomos në nivel të larta ministrore, në sektorin e energjisë, në sektorin e rezervave shtetërore dhe në shumë sektorë të tjerë ka bërë që shkalla e investimeve të bie sepse askush nuk investon në një situatë jostabile ekonomike edhe aq më shumë me shkallë të lartë të rrezikshmërisë në siguri”, ka thënë Shala.

E, kur është pyetur se sa këto mund të ndikojnë negativisht në vend, Shala ka dhënë këtë përgjigje.

“Definitivisht, pasojat janë të mëdha sepse tashmë më jemi nën sanksione dhe është vështire të përmirësohet imazhi dhe të binden investitorët për një situatë më të mirë, për një situatë të investimeve të huaja në Kosovë kur praktikisht Bashkimi Evropian dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë tash kanë vendos sanksione. Është jashtëzakonisht shqetësuese se Qeveria e ka neglizhuar skajshmërisht këtë situatë, Qeveria ka proklamuar diçka tjetër, ndërsa në realitet vendit dhe ekonomisë tonë i ka sjellë dështim”, është shprehur Shala, për Front Online.

Gërxhaliu: Kosovës po i mungon stabiliteti politik, kushti elementar për zhvillim ekonomik

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu thotë për Front Online se njëri ndër kushtet elementare për zhvillim ekonomik është stabiliteti politik.

Sipas Gërxhaliut, diçka e tillë Kosovës po i mungon.

“Një ndër kushtet elementare për zhvillim ekonomik në shumë dimensione të një shteti është stabiliteti politik dhe në këtë situatë ku Kosova është vërtetë, jo vetëm që i mungon stabiliteti politik por çdo ditë po i cenohet ky stabilitet aktual është vërtetë utopike të mendohet për performancë dhe të arritura ekonomike”, ka pohuar ai për Front Online.

Ndërsa, kur është pyetur se sa do të ndikojë negativisht kjo rënie në vend, Gërxhaliu tha se kjo është shqetësuese.

“Nëse ndërpriten investimet kapitale, nëse nuk ka një partneritet dhe një dialog publiko-privat dhe e kemi një tkurrje të sektorit privat normalisht që do të ketë trende negative, qoftë në rënie të punësimit, qoftë në rënie të indikatorëve të tjerë ekonomikë dhe definitivisht kjo është shqetësuese dhe besoj se ky shqetësim duhet të jetë në ndërgjegjen e shumë ministrave që kanë dikaster ekonomik, që për ekonomi të bëjnë më tepër sesa që të flasin dhe duhet të mësojnë njëherë e përgjithmonë që stabiliteti politik dhe partneriteti publiko-privat janë kushtet elementare për rimëkëmbje ekonomike që Kosova ka nevojë urgjente”, ka shtuar Gërxhaliu./Front Online