Janjiq: Policia e Kosovës ka qenë profesionale gjatë intervenimit në veri

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, analisti Dushan Janjiq deklaroi në një intervistë në “Info Plus” në RTK, se grupi terrorist që sulmoi policinë e Kosovës në veri dhe më pastaj u fsheh në manastir, ka pasur koordinim edhe me Serbinë. Ai thotë se Beogradi ka qenë në koordinim me grupin për tërheqje, […]

Janjiq: Policia e Kosovës ka qenë profesionale gjatë intervenimit në veri
janjiq:-policia-e-kosoves-ka-qene-profesionale-gjate-intervenimit-ne-veri

janjiq:-policia-e-kosoves-ka-qene-profesionale-gjate-intervenimit-ne-veri

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, analisti Dushan Janjiq deklaroi në një intervistë në “Info Plus” në RTK, se grupi terrorist që sulmoi policinë e Kosovës në veri dhe më pastaj u fsheh në manastir, ka pasur koordinim edhe me Serbinë. Ai thotë se Beogradi ka qenë në koordinim me grupin për tërheqje, ndërsa Policia e Kosovës, sipas tij, ka qenë profesionale.

“Sipas meje, ka ndodhur një akt terrorist sepse këtë e ka pranuar edhe presidenti, Aleksandër Vuçiq. Pra, është i saktë edhe narrativi i tij, që kishte barrikada, kishte të shtëna dhe ata ishin të armatosur. Në momentin kur e vrasin policin, pa marrë parasysh se a kanë qenë qëllime kriminale apo politike, ai bëhet akt terrorist”, deklaroi Janjiq.

Ai thotë se në momentin që janë futur në manastir dhe kur është paraqitur në incizime se kishin infrastrukturë të përgatitur, shihet që ishte një formacion paramilitar që kishte për qëllim, “që nga këto konflikte të mbyllen rreth fshatit Banjskë në manastir dhe të shkaktojnë një krizë tejet serioze, mbi të gjitha të pengjeve”.

“E dyta në mënyrë simbolike në këtë manastir mendonin për kryengritje, ndërsa armatimi i tyre flet përafërsisht për 400 persona. Konsideroj se kjo kryengritje do të ndodhte me siguri. Por, Policia e Kosovës në këtë rast ka punuar në mënyrë profesionale në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in. Pra, asnjë rregull i luftës kundër terrorizmit nuk është shkelur, nuk janë futur në zgjidhjen e krizës së pengjeve, madje edhe iu është lejuar tërheqja këtyre personave”, deklaroi analisti serb.

Beogradi, sipas tij, ka qenë në komunikim sa i përket tërheqjes, sepse grupi siç tha Janjiq, nuk tërhiqej derisa iu thotë ai që i ka dërguar dhe organizuar.

“Tashmë e dimë që ky ishte Radioçiqi. Pse Beogradi nuk ka kërkuar bashkëpunim aktiv të KFOR-it nuk mund të përgjigjem dhe është përgjegjësia e Serbisë. E kur flasim për Serbinë, nuk ka dyshim që disa pjesë të shërbimeve, siç janë xhandarmëria dhe BIA, pra individë kanë marrë pjesë”, tha ai.

Nëse nuk është organizuar drejtpërdrejtë nga drejtori i BIA-së, së paku sipas tij, ai ka pasur njohuri ndoshta pse jo edhe, sipas përgjegjësisë politike “edhe kryekomandanti dhe koordinatorët e të gjitha shërbimeve”.

“Është tepër herët të thuhet se Vuçiq ta ketë organizuar. Nuk do të spekuloja nëse e ka ditur apo jo. Tani  thjesht shohim një krizë e cila është zgjidhur përkohësisht, kapacitetet e së cilës të përsëriten në këtë formë janë të vogla. Janë ndërprerë zhvillimet e këqija që do përfshinin me mijëra njerëz në konflikte dhe do ta fusnin veriun e Kosovës në një konflikt të kufizuar”, deklaroi drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd.