Jeff Hovenier: SHBA-ja, pak entuziazëm për të reaguar ndaj interesave të Kosovës

Në takim me gazetarët në Prishtinë, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka folur edhe për disponimin aktual të SHBA-së ndaj Kosovës. Ka thënë se SHBA aktualisht ka pak pak entuziazëm për të reaguar ndaj interesave të Kosovës. “Më duhet të them se në këtë koment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej […]

Jeff Hovenier: SHBA-ja, pak entuziazëm për të reaguar ndaj interesave të Kosovës

Në takim me gazetarët në Prishtinë, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka folur edhe për disponimin aktual të SHBA-së ndaj Kosovës.

Ka thënë se SHBA aktualisht ka pak pak entuziazëm për të reaguar ndaj interesave të Kosovës.

“Më duhet të them se në këtë koment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha ambasadori amerikan.

“Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”, shtoi Hovenier.

Sipas tij, ulja e tensioneve e kthen më pas vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar për këtë Marrëveshje, në shkurt të këtij vitit në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit në mars.

Tutje, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet Defender Europe 2023, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në veri.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar më 26 maj se veprimet e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore, do të rezultojnë me pasoja në raportet dypalëshe.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës”, tha Hovenier.

“Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar”, shtoi ai.

SHBA-ja ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë në komunat veriore “hynë me forcë” në ndërtesat komunale në veri.

Hovenier tha se SHBA-ja po mendon edhe për vendime të tjera që do të marrë në këtë drejtim.

“Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Prandaj, ne po shqyrtojmë se çfarë do të jenë veprimet tona të tjera”, tha ai.