Këshilltarja e Kurtit pasi u dorëhoq: Kam kërkuar të anulohet një konkurs përmes së cilit u ndanë 500 mijë euro

Elizabeth Katherine Gowing, e cila ka dhënë dorëheqje nga puna në Zyrën për Çështje të Komuniteteve që funksionon në kuadër të Kabinetit të Kryeministrit Albin Kurti, ka dalë me një sqarim mbi këtë vendim. Ajo ka thënë se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e këshilltares politike për Çështjet e Komuniteteve, pasi siç ka deklaruar, […]

Këshilltarja e Kurtit pasi u dorëhoq: Kam kërkuar të anulohet një konkurs përmes së cilit u ndanë 500 mijë euro
keshilltarja-e-kurtit-pasi-u-dorehoq:-kam-kerkuar-te-anulohet-nje-konkurs-permes-se-cilit-u-ndane-500-mije-euro

keshilltarja-e-kurtit-pasi-u-dorehoq:-kam-kerkuar-te-anulohet-nje-konkurs-permes-se-cilit-u-ndane-500-mije-euro

Elizabeth Katherine Gowing, e cila ka dhënë dorëheqje nga puna në Zyrën për Çështje të Komuniteteve që funksionon në kuadër të Kabinetit të Kryeministrit Albin Kurti, ka dalë me një sqarim mbi këtë vendim.

Ajo ka thënë se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e këshilltares politike për Çështjet e Komuniteteve, pasi siç ka deklaruar, ka shumë punë për të bërë dhe shumë mundësi e vullnet brenda qeverisë.

Katherine Gowing tutje ka sqaruar se arsyeja pse është dorëhequr nga Zyra për Komunitete është për shkak të një konkursi përmes së cilit janë ndarë gjysmë milioni euro për organizatat joqeveritare dhe mediat në përkrahje të komuniteteve joshumicë.

Sipas saj, nga ky konkurs kanë përfituar mbështetje financiare nga shteti vetëm tri organizata të cilat kanë bazë në komunitete joshumicë.

“Kam kërkuar opinion ligjor nga Zyra Ligjore për mundësi për ta anuluar një konkurs që ndan mjetet e shtetit në këtë mënyrë, dhe isha lajmërua se vetëm Komisioni i Ankesave mundet me e anulua këtë konkurs. Kur kuptova të hënën që Komisioni nuk do ta anulojë konkursin, i kam lajmërua që nuk mundem me vazhdua punën me Zyrën për Çështje të Komuniteteve. Nuk mundem me mbajt integritetin tim dhe me mbrojt vendimin e Komisionit Vlerësues për ndarjen e atyre mjeteve”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ndryshe, ditë më parë Ministria për Komunitete dhe Kthim ka publikuar listën finale të organizatave joqeveritare, të cilat kanë përfituar mbështetje financiare përmes disa projekteve që kanë për qëllim rritjen e nivelit të punësimit të anëtarëve të komunitetit joshumicë dhe përmirësimin e kapaciteteve për të promovuar mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve.

Janë gjithsej 57 OJQ që kanë përfituar nga thirrja publike, ndërkaq sipas ministrisë vendimi i Komisionit është i bazuar në rregulloren mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve.

Megjithatë, një numër i madh i organizatave të cilat nuk kanë përfituar mbështetje nga kjo thirrje publike, kanë bërë ankesë në Komisionin Vlerësues të projektit.

Ky i fundit pas shqyrtimit të ankesave ka nxjerr vendim për refuzimin e tyre duke dhënë edhe arsyetimet, të cilat janë publikuar në faqen zyrtare të ministrisë.

E një anëtar i Komisionit Vlerësues në kushte anonimiteti i ka thënë Telegrafit se në procesin e kontrollit të aplikimeve kanë ndodhur një sërë vendimeve të kundërligjshme.