KSHPK vendosi sërish pezullimin e procedurës për pranimin e dëgjuesve për gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm publikë

Me katër vota “pro” dhe një “kundër”, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dje pasdite vendosi sërish në favor të kandidates për kryetare Gordana Siljanovska-Davkova për procesin e testimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve në Akademinë për gjyqtarët dhe prokurorët publikë gjatë procesit zgjedhor, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë. Me vendimin e miratuar, KSHPK-ja i […]

KSHPK vendosi sërish pezullimin e procedurës për pranimin e dëgjuesve për gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm publikë
Seanca e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit / FOTO: Printscreen

Me katër vota “pro” dhe një “kundër”, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dje pasdite vendosi sërish në favor të kandidates për kryetare Gordana Siljanovska-Davkova për procesin e testimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve në Akademinë për gjyqtarët dhe prokurorët publikë gjatë procesit zgjedhor, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Me vendimin e miratuar, KSHPK-ja i propozon Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publik pezullimin e procedurës për pranimin e 130 dëgjuesve deri në përfundim të zgjedhjeve.

Kundër vendimit të KSHPK-së, Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë mund të parashtrojë padi në Gjykatën Administrative brenda 24 orëve.

“Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë është e detyruar të pezullojë procedurën e nisur për pranimin e 130 dëgjuesve deri në përfundim të zgjedhjeve për zgjedhjen e Presidentit të shtetit dhe deputetëve të Kuvendit dhe Qeverisë”, thuhet në vendim.

Kundër vendimit votoi anëtarja e KSHPK-së, Sofija Spasova-Medarska, e cila në shpjegimin e vendimit të saj tha se sipas Kushtetutës, pushteti gjyqësor është mëvetshëm, i pavarur dhe qartësisht i ndarë nga pushteti legjislativ dhe ekzekutiv. Sipas kësaj, tha SpasovskaMedarska, proceset që zhvillohen në kuadër të gjyqësorit nuk duhet të lidhen dhe varen nga proceset politike, siç është procesi zgjedhor.

“Në këtë kuptim, procedura për pranimin në trajnimin fillestar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm publik nuk duhet të presë as rezultatin e zgjedhjeve për president, deputetë dhe zgjedhjen e Qeverisë, e as procesi zgjedhor dhe rezultati i tij në asnjë mënyrë nuk mund të ketë ndikim ndaj asaj procedure”, ka thënë SpasovaMedarska.

Sipas saj, urgjenca dhe domosdoshmëria e kuadrove të reja në suaza të gjyqësorit mund të vlerësohet dhe përcaktohet vetëm nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë, kompetencë e të cilëve është të monitorojnë situatën me pozitat vakante dhe të përcaktojnë numrin e nevojshëm të dëgjuesve që do të edukohen nga Akademia në çdo gjeneratë.

SpasovaMedarska tha se duhet të respektohet mendimi i KSHPK-së të dhënë nga përbërja e mëparshme për të njëjtën çështje, sepse siç tha ajo nuk ka dallim thelbësor të gjendjeve.

“Kjo për faktin se edhe atëherë edhe tani është një procedurë për pranimin e dëgjuesve në trajnimin fillestar në ATGJP edhe atëherë edhe tani e njëjta është planifikuar dhe ka filluar para zgjedhjeve dhe atëherë edhe tani është siguruar paraprakisht pëlqim për mjete financiare të siguruara për punësim dhe atëherë dhe tani dispozita përkatëse e Kodit Zgjedhor është e njëjtë. Parimi i ligjshmërisë kërkon që autoriteti të veprojë në të njëjtën mënyrë në të njëjtën situatë juridike ose të ngjashme”, tha ajo.

Nëse në vitin 2017, shtoi SpasovaMedarska, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në situatë të njëjtë apo shumë të ngjashme faktike dhe juridike, ka dhënë mendim se nuk ka asnjë pengesë ligjore për zbatimin e procedurës së filluar të punësimit, lind pyetja se si ajo tani mund të konsiderohet se i njëjti veprim përbën shkelje të ligjit, tha ajo para votimit.

Kryetarja e Komisionit, Tatjana Dimitrovska, tha se KSHPK është e mendimit se kandidatët në Akademi janë me status të të punësuarve dhe se përzgjedhja nuk guxon të bëhet sepse kjo është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

“Veprimet e ndërmarra në Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë në lidhje me procedurën e raportuar për punësimin dhe lidhjen e kontratës për punësimin e kandidatëve në Akademinë nuk kanë qenë në përputhje me ndalesat e përcaktuara në nenin 34 paragrafi 1 alineja 3 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit dhe neni 8-a paragrafi 1 alineja 3 të Kodit Zgjedhor, dmth. procedura e nisur nuk shtyhet, duke pasur parasysh se me marrjen e statusit të dëgjuesit në trajnimin fillestar të Akademisë, studenti krijon marrëdhënie pune me afat të caktuar”, tha Dimitrovska.

Kryetarja e Akademisë, Natasha Gaber-Damjanovska, në fjalimin e saj para KSHPK-së, tha se bëhet fjalë për shpallje publike për pranim në trajnimin fillestar, jo vend pune dhe jo punësim.

“Aplikimi që paraqet kandidati është për regjistrim, jo për vend pune. Numri më i madh i kandidatëve, ndoshta të gjithë, janë të punësuar në vende pune të tjera, nuk ka punësim të dyfishtë. Akademia aktualisht nuk po punëson. Ata që marrin provimin tani kanë statusin e kandidatit. Vetëm ata që fitojnë statusin e dëgjuesit hyjnë në marrëdhënie pune me afat të caktuar me Akademinë. Askush nuk e ka statusin e dëgjuesit për momentin. Do të jetë pas të gjitha fazave të testimit dhe procedurave të tjera ligjore”, tha Gaber-Damjanovska.

Ajo shtoi se fondet mund të kthehen dhe jo vetëm ato, por edhe edukimi që ka pasur personi nëse nuk arrin të përfundojë Akademinë me sukses ose nuk arrin me sukses në një fazë të kryerjes së testeve në kuadër të AGJPP-së.

“Provimet në Akademi nuk luajnë asnjë rol në zgjedhjen e presidentit të shtetit. Duke qenë se është e qartë se për shkeljen fiktive të nenit 8-a të Kodit Zgjedhor ka vetëm një ndëshkim të mundshëm kundërvajtës, por mesazhi eksplicit në prapavijë është mjaft i qartë: Ushtrimi i presionit politik joparimor ndaj drejtësisë për të ndaluar proceset që ndodhin në të. A duhet të flasim për një kapric të parashtruesit që duhet të lodhë Akademitë, komisionet, gjykatat”, tha ajo.

Më 6 prill, kandidatja për kryetare të VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska – Davkova, në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka parashtruar kundërshtim se Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë (AGJPP), në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, themelon një marrëdhënie pune me kandidatët që ndjekin trajnimin për gjyqtarë dhe prokurorë publikë.

Kundërshtimi nga SiljanovskaDavkova u mbështet nga KSHPK-ja me arsyetimin se janë të bazuara dyshimet e ngritura për shkelje të dispozitave të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit dhe Kodit zgjedhor, pas së cilës Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve publikë parashtruan një padi, e cila më 13 prill u shqyrtua dhe pranua nga Gjykata Administrative. Pasi Gjykata Administrative e pranoi padinë e AGJPP-së, kundërshtimi u kthye në KSHPK-së për procedim të sërishëm.