Kurti: Duhet sundim i ligjit dhe datë e zgjedhjeve, policinë e reduktojmë kur të hiqen ekstremistët e dhunshëm

Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që duhet ta zbatojnë, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë” në Dubrovnik, ku është duke marrë pjesë. Kurti theksoi se Kosova “duhet të merret me ekstremistët e dhunshëm, ultra-nacionalistët, të djathtët që besojnë në “botën serbe” dhe ta […]

Kurti: Duhet sundim i ligjit dhe datë e zgjedhjeve, policinë e reduktojmë kur të hiqen ekstremistët e dhunshëm

Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që duhet ta zbatojnë, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë” në Dubrovnik, ku është duke marrë pjesë.

Kurti theksoi se Kosova “duhet të merret me ekstremistët e dhunshëm, ultra-nacionalistët, të djathtët që besojnë në “botën serbe” dhe ta shohin atë si botën ruse”. Sipas kryeministrit, këta janë njerëz që e admirojnë Millosheviqin apo Putinin, raporton N1.

Kryeministri tha se Kosovës i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje, teksa shtoi se ndërkohë Kosova mund të zvogëlojë praninë e njësive speciale të policisë nëse “ekstremistët e dhunshëm” i japin fund trazirave.

“Mendoj se kjo është rruga përpara, së bashku me dialog intensiv për zbatimin e marrëveshjes dhe ne kemi një marrëveshje që duhet ta zbatojmë”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha në Dubrovnik se “Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe se ai i është bashkuar dialogut me Serbinë sepse është organizuar nga Bashkimi Evropian, i cili e ndërmjetëson atë.

Kryeministri Kurti po merr pjesë në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë” e organizuar nga deputeti kroat Tonino Picula në Dubrovnik.