Lajçak: Shoqëritë në Kosovë e Serbi ta kuptojnë se pa normalizim s’ka të ardhme evropiane

Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se BE-ja ka lehtësuar një proces që duhet të çojë në normalizim, por sipas tij problemi është se mungon presioni për normalizim në shoqëritë e Kosovës dhe Serbisë, raporton Koha.net. Në një intervistë për N1 të Sarajevës, Lajçaku u shpreh se tani ka një Marrëveshje të […]

Lajçak: Shoqëritë në Kosovë e Serbi ta kuptojnë se pa normalizim s’ka të ardhme evropiane
Mirosllav Lajçak ( emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi) në Forumin Strategjik të Bledit. Foto: Portalb.mk

Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se BE-ja ka lehtësuar një proces që duhet të çojë në normalizim, por sipas tij problemi është se mungon presioni për normalizim në shoqëritë e Kosovës dhe Serbisë, raporton Koha.net.

Në një intervistë për N1 të Sarajevës, Lajçaku u shpreh se tani ka një Marrëveshje të Ohrit që është rrugë e qartë përpara. Por siç thotë emisari i BE-së, sa herë që kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq bien dakord për disa hapa drejt normalizimit, përballen me kritika në shoqëritë e tyre.

“Është e qartë se elementi më i rëndësishëm për të përfunduar këtë proces është të ndihmojmë shoqëritë të kuptojnë se pa normalizimin e marrëdhënieve, nuk ka të ardhme evropiane për to”, ka thënë Lajçak.

Duke folur për dialogun, ai theksoi se mandati i tij ishte i ndarë në dy pjesë – njëra ishte pozitive kur punonte për normalizim, ndërsa tjetra trajtonte krizat në terren dhe përpiqej të parandalonte përshkallëzimin.

Lajçak ka theksuar se pyetja më e madhe tani është se si të zbutet ndikimi i vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit te komuniteti serb.

“Fatkeqësisht, ky është realitet që është produkt i një niveli shumë të ulët të besimit mes dy shoqërive, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në përgjithësi”, ka shtuar Lajçak.

Lajçak ka thënë se mandati i tij përfundon më 31 gusht dhe se është logjike që me lidershipin e ri të BE-së të fillojë një fazë e re e procesit.

Duke folur për Ballkanin Perëndimor, ai vlerësoi se rajoni është në një momentum të ri, që u krijua nga agresioni rus kundër Ukrainës. Momentum që sipas Lajçakut ka zgjuar BE-në.