Lekaj: Nuk e kam keqpërdorur asnjë cent, jam kurban i politikes ditore

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e ka vlerësuar si të padrejtë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është dënuar më 3 vite e 8 muaj burgim për rastin e njohur si “53 milionëshi”. Ai ka bërë me dije se asnjëherë nuk i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk e ka keqpërdorur […]

Lekaj: Nuk e kam keqpërdorur asnjë cent, jam kurban i politikes ditore

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e ka vlerësuar si të padrejtë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është dënuar më 3 vite e 8 muaj burgim për rastin e njohur si “53 milionëshi”.

Ai ka bërë me dije se asnjëherë nuk i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk e ka keqpërdorur pozitën e ministrit.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, Lekaj ka thënë se është i pastër në këtë proces dhe se në fund do të triumfojë e vërteta.

“Asnjë cent. Dhe le ta dinë qytetarët që Pal Lekaj nuk është i akuzuar se ndonjë cent ka shkuar në xhepat e Palit, të familjes time, apo të rrethit tim. Prandaj, jam i pafajshëm në këtë proces, por që jam kurban i politikes ditore, dhe mendoj se është i padrejtë”, ka thënë Lekaj.

Ai ka vlerësuar se nuk ka hyrë në politikë që të korruptohet.

“Historikisht familja e jeme nuk ka pasur nevojë që të korruptohet. Nuk kam hyr në politikë për tu korruptuar. Sepse çdo herë në aspektin e ekonomisë familjare kam qëndruar mirë”, është shprehur deputeti i AAK-së.

Sipas tij, vendimi i shkalles së parë e ka befasuar për të keq.

“Vendimi i shkallës se parë më ka befasuar për të keq. Sepse e konsideroj vetën të pafajshëm, jo vetëm sa për të thënë se jam i pafajshëm, por për të argumentuar atë. Nëse e marrim atë që është shkrua në aktakuzë, mendoj se e kam gabuar adresën. Sepse edhe pse kamë qenë ministër i Infrastrukturës në atë kohë, unë nuk jam shkak i atyre problemeve që i kam gjetur si ministër në vitin 2017”, ka theksuar ai.

Fajëson Qeverinë Mustafa

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka bërë me dije se në këtë proces ka përgjegjësi edhe Qeveria Mustafa.

Ai ka vlerësuar se kjo qeveria nuk ishte përgjigjur në kërkesat e kompanisë “Bechtel & Enka”, të cilat ishin të specifikua në kontratë.

“E them këtë sepse qeveri e mëparshme, saktësisht Qeveri e kryeministrit Mustafa nuk iu ka përgjigjur ftesës se kompanisë që ka renome ndërkombëtare dhe që është e fuqishme e që e respekton kontratat në përpikëri. Dhe që në anën tjetër, qeveria nuk iu ka përmbajtur atë që e ka firmosur. Kjo kontratë nuk është firmosur as nga qeveria Haradinaj dhe as ministri Lekaj, por është firmosur në vitin 2012. Puna ka startuar në vitin 2014 dhe prej fillimi ka pasur probleme buxhetore”, është shprehur Lekaj.

Ai ka bërë me dije se në këtë rast ka pasur vetëm dy zgjidhje.

“Ne si qeveri kemi qenë para një dileme, të vazhdojmë dhe t`i kryejmë obligimet tona të pakryera në ish qeverinë me ministrin Zharku, ose të ndërpriten punime, çështja të shkojë në arbitrazh dhe Kosova të përballet me një kompani serioze ndërkombëtare, e cila është e fuqishme. Duke u bazuar në kërkesat e vazhdueshme të “Bechtel & Enka” dhe me kërkesën e vazhdueshme të Qeverisë Mustafa dhe ministrit Zharku për ta shtyrë kontratën, është dashur të veprohet”, ka thënë Lekaj.

Sipas tij, kërkesa e kompanisë “Bechtel & Enka” ka qenë shumë strikte.

“Ne kemi ardhur para një dileme që ta pagjumë kërkesën e “Bechtel & Enka”, sepse ka qenë kërkesë strike ‘merre ose lere, se të shkohet në arbitrazh, të ndërpritet rruga. Dhe sot rruga do të ishte e parregulluar dhe duke e njohur fuqinë e “Bechtel & Enka” jam i bindur se do ta kishte fituar rastin në arbitrazh”, është shprehur Lekaj.

Më tej, deputeti Lekaj ka thënë se Qeveria dhe Komiteti Ndërministror ka marrë vendim për këtë çështje e jo ai.

“Unë si kryetar i Komitetit Ndërministror nuk kam marrë vendim të prerë ekzekutiv, por ia kemi rekomanduar çështjen Qeverisë Haradinaj, që ka qenë e përbërë prej 19 ministrave dhe çështja ka kaluar në qeveria. Qeveria ka mundur ta kthej mbrapa, ka mundur të thotë se nuk bëjmë pagesë e çështja të shkon në arbitrazh dhe unë nuk kisha vepruar me tutej. Por, qeveria unanimisht ka votuar pa asnjë votë kundër dhe ministrat në Komitet Ndërministror kanë votuar”, ka thënë ai.

Ish-ministri i Infrastrukturës ka bërë me dije se ka qenë i detyruar për ndarjen e mjeteve për kompaninë në fjalë, në mënyrë që të mos i bëhen dëme Kosovës.

“Qeveria e Kosovës dhe unë kemi qenë të detyruar për ta bërë pagesën. Kanë qenë edhe katër muaj të përfundoj kontrata, kanë qenë të shtruara vetëm 10 kilometra asfalt, kurse 56 kilometra tjera nuk kanë qenë askund. Po e përsërisë prapë, është marrë vendimi nga qeveria dhe vendimi ka qenë i drejtë. Sepse po të njëjtën aktakuzë e kisha marrë, sikur të mos veproja. Atëherë do të behej dëmi më i madh, atëherë e kisha ndier veten qyqar, e fajtor se pse nuk kam marrë veprime” ka thënë Lekaj.