“Llaskarca”, katër muaj e gjysmë pyeten ekspertët e komunikacionit, një pyetje parashtrohet 10 herë

Sot është mbajtur seanca e dhjetë me radhë në të cilën janë parashtruar pyetje për ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit, për aksidentin e  autobusit të “Durmo Turs”, i cili ka ndodhur në Llaskarcë në shkurt të vitit 2019-të dhe në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe 37 të tjerë […]

“Llaskarca”, katër muaj e gjysmë pyeten ekspertët e komunikacionit, një pyetje parashtrohet 10 herë
Rasti "Durmo Turs" - Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk

Sot është mbajtur seanca e dhjetë me radhë në të cilën janë parashtruar pyetje për ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit, për aksidentin e  autobusit të “Durmo Turs”, i cili ka ndodhur në Llaskarcë në shkurt të vitit 2019-të dhe në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe 37 të tjerë janë lënduar, shkruan Portalb.mk.

Prej 30 majit, procesi gjyqësor për aksidentin e Llaskarcës ka mbetur te parashtrimi i pyetjeve ndaj ekspertëve të superekspertizës së komunikacionit. Disa prej avokatëve, por edhe gjykatësja dhe eksperti, sot disa herë theksuan se po parashtrohet një pyetje nga 5 e dhjetë herë.

Tanimë pesë seanca me radhë, pyetje po parashtron avokati i shoferit të autobusit, ndërkaq paraprakisht, 3 seanca ka parashtruar prokurori Darko Jakimovski.

  • 30 maj – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 6 qershor – u anulua seanca
  • 8 qershor – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 15 qershor – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 13 korrik – Prokuroria ka parashtruar pyetje
    Pushim veror
  • 12 shtator – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 14 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 19 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 21 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 23 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 12 tetor – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 19 tetor -…

Sipas dinamikës, së deritanishme, avokati i shoferit do të vazhdojë ende të parashtrojë pyetje, ndërkaq më pas, duhet të parashtrojnë pyetje avokatët e “Durmo Tursit”. Më pastaj, do të duhet të jepen fjalët përfundimtare dhe krejt në fund të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë.

Në bisedë jozyrtare me avokatët dhe palët, ata shpresojnë që deri në muajin nëntor ose dhjetor të mbarojë procesi i shkallës së parë.

Në seancën e sotme, janë përsëritur thuajse të njëjtat deklarime të ekspertëve nga seancat paraprake, për atë kishte edhe shumë ndërhyrje nga palët për të mos lejuar parashtrimin e pyetjeve të njëjta.

Superekspertiza e komunikacionit, ashtu sikur superekspertiza makinerike, është përgatitur me urdhër të gjykatës, ekspertizat paraprake kanë pasur kontradikta mes tyre. Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, fajin ia hedhin shoferit të autobusit, ndërkaq avokati i shoferit, pretendon që fajtore është kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Sipas dy ekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.

Prokurori konteston superekspertizat, ashtu sikur edhe familjarët e viktimave, ndërkaq përfaqësuesit e kompanisë “Durmo Turs”, i kane hedhur këto pretendime, duke theksuar se bëhet fjalë për ekspertizë e cila nuk është porositur prej tyre, por prej gjykatës.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.