Nëpërkëmbje e qytetarëve dhe drejtësisë për të shpëtuar politikanët e korruptuar të LSDM-së, VMRO-së dhe BDI-së

Nga ndryshimet skandaloze ligjore do të përfitojnë funksionarët e dikurshëm dhe ata aktualë të VMRO DPMNE-së, LSDM-së dhe BDI-së. Me këto ndryshime, do të shpëtojnë një mori hajdutësh të dyshuar e gjykuar për akte të tilla nga parti të ndryshme, si Ramis Merko, Dragi Rashkovski, Nikolla Gruevski. Shumë zyrtarë të korruptuar që janë gjykuar në […]

Nëpërkëmbje e qytetarëve dhe drejtësisë për të shpëtuar politikanët e korruptuar të LSDM-së, VMRO-së dhe BDI-së
Kuvendi, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Nga ndryshimet skandaloze ligjore do të përfitojnë funksionarët e dikurshëm dhe ata aktualë të VMRO DPMNE-së, LSDM-së dhe BDI-së. Me këto ndryshime, do të shpëtojnë një mori hajdutësh të dyshuar e gjykuar për akte të tilla nga parti të ndryshme, si Ramis Merko, Dragi Rashkovski, Nikolla Gruevski. Shumë zyrtarë të korruptuar që janë gjykuar në 10 deri në 15 vitet e fundit do të preken, pasi ndryshimet do të hyjnë në fuqi menjëherë, transmeton Portalb.mk.

Në vetëm dy ditë, ndryshimet skandaloze në Kodin Penal kaluan filtrin e parë. Qytetarët u tronditën kur mbrëmjen e djeshme u shpërnda lajmi se pas një procedure të shpejtë janë bërë ndryshime në Kodin Penal, të cilat parashikojnë fshirjen e krimit të shpërdorimit të parave të shtetit në tenderë, si dhe uljen e masës maksimale të dënimit me burg për bashkim kriminal nga 10 deri në 3 vjet, i cili do të mbulojë të gjitha rastet e kundërligjshme, procedurat e nisura dhe hetimet e mundshme në të ardhmen.

Kjo do të thotë se të gjithë personat që deri tani janë ndjekur penalisht për këto krime, si dhe të gjithë personat, vendimet e të cilëve janë të pavlefshme dhe kanë ankime në gjykatat më të larta, do të shpëtojnë nga ndjekja penale ose do të marrin dënime shumë më të ulëta se ato ekzistuese. Bie në sy se të gjitha ndryshimet, tashmë të votuara në Kuvend, duhet të hyjnë në fuqi gjashtë muaj pas miratimit të tyre dhe vetëm këto ndryshime të kontestuara do të hyjnë në fuqi në ditën e nëntë nga botimi i ndryshimeve në “Gazetën Zyrtare”, shkruan IRL.

Më 29 gusht 2023, qeveria mori vendim që të paraqesë në Kuvend një propozim – ligj për ndryshime dhe shtesa në Kodin Penal. Ai parashikon disa ndryshime në fushën e veprave penale të kryera kundër mjedisit jetësor, por propozohen edhe ndryshime që i referohen keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar, veprimit të pakujdesshëm dhe bashkimit kriminal.

Qeveria i propozoi ndryshimet në Kuvend pas një procedure të shkurtuar dhe me flamur evropian, me arsyetimin se këto amendamente janë në përputhje me rregulloret evropiane, veçanërisht ligjet gjermane. Propozimi – ndryshimet dje në mënyrë eksprese u votuan në seancë plenare.

Është për t’u habitur që ndryshimet në lidhje me krimet kundër mjedisit jetësor, konfiskimin e zgjatur dhe të tjera do të duhet të hyjnë në fuqi gjashtë muaj pas miratimit të amendamenteve. Megjithatë, ndryshimet që do të mundësojnë shpëtimin e zyrtarëve të mëparshëm, aktualë dhe të ardhshëm nga krimi i abuzimeve në prokurimet publike do të hyjnë në fuqi në ditën e nëntë nga botimi i ndryshimeve në Gazetën Zyrtare. Afati për hyrjen në fuqi të ndryshimeve për veprën penale të bashkimit kriminal është gjithashtu në ditën e nëntë nga miratimi i ndryshimeve.

Me ligjin e ri, propozohet të fshihet një paragraf i tërë që i referohet keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar gjatë prokurimit publik apo shpërdorimit të parave të shtetit. Për këtë vepër ishte parashikuar të paktën pesë vjet burgim dhe dënimi maksimal nuk ishte i kufizuar. Praktikisht kjo do të thotë që të gjitha akuzat aktive dhe procedimet gjyqësore ndaj ministrave, kryetarëve të komunave, drejtorëve që kanë kryer abuzime me buxhetin gjatë procedurave të tenderit nuk do të mbajnë përgjegjësi në gjykatë, sepse neni 5 është fshirë plotësisht nga ligji.

Zvogëlohen gjobat edhe për zyrtarët që duke keqpërdorur pozitën zyrtare kanë përfituar përfitime të konsiderueshme pasurore ose kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Në ligjin e vjetër, ky nen parashikonte dënim me të paktën tre vjet burg, por nuk kishte edhe kufi të sipërm, gjë që tani hap mundësinë që krimi të skadojë më shpejt.

Ligji i ri ul dënimin për punën e pakujdesshëm të drejtorëve dhe personave përgjegjës në institucionet publike, të cilët janë pasuruar ndjeshëm në mënyrë të paligjshme. Deri më tani, zyrtarët për këtë vepër janë dënuar me një dënim minimal prej tre vjetësh, ndërsa tash e tutje dënimi kufizohet nga minimumi gjashtë muaj deri në maksimum pesë vjet.

Dënimet për bashkim kriminal janë ulur në mënyrë drastike. Në ligjin e vjetër, një person që krijon një shoqatë kriminale mund të dënohet me burgim nga një deri në dhjetë vjet. Ndërsa, me ndryshimet, dënimi maksimal të jetë tre vjet burg. Dënime më të vogla parashikohen edhe për anëtarët e shoqatave kriminale. Nëse deri më tani do të mund të dënoheshin me burg nga gjashtë deri në pesë vjet, me ligjin e ri do të marrnin dënim më së shumti deri në dy vjet.

Grupi Blueprint, i cili monitoron reformat në drejtësi, thotë se ndryshimet do të jenë shkatërruese në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe do të rrisin mosndëshkimin e autorëve të këtyre krimeve.

“Edhe pse Kushtetuta e RMV-së e ndalon zbatimin prapaveprues të rregulloreve, bën përjashtim nëse rregullimi i mëvonshëm është më i favorshëm për qytetarët. Me fjalë të tjera, personat që kanë kryer këto krime në 10 deri në 15 vitet e fundit do të përfitojnë menjëherë dhe do të shmangin përgjegjësinë penale”, reaguan nga Blueprint.

Sipas tyre, këto ndryshime padyshim do të ndikojnë në fatin e procedurës gjyqësore të nisur nga Prokuroria Speciale Publike e shpërbërë dhe në të cilat ekziston rreziku i vjetërsimit absolut, gjegjësisht lëndëve: Titanik, Target/Fortesa, TNT, Titanik 2, Thesari, Talir dhe Trajektorja.

Idetë e vjetra të zyrtarëve të Gruevskit marrin jetë të re me LSDM-në dhe BDI-në

Qysh para pesë vitesh, partitë kanë paraqitur propozim për ndryshime në Kodin Penal dhe pikërisht në nenin 353. Informacioni për tregtimin e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së me drejtësinë është rezultat i një takimi kryesues mes kryetarit të atëhershëm të socialdemokratëve, Zoran Zaev dhe kryetarit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. Ka një sërë artikujsh për kërkesën e opozitës për të bërë këto ndryshime në Kodin Penal për faktin se ish-funksionarët kryesorë të partisë janë akuzuar në rastet e Prokurorisë Speciale (PSP), tashmë të shpërbërë. Më 20 korrik 2018, portali Sdk shkruante se ekipi juridik i VMRO-DPMNE-së i ka dorëzuar LSDM-së një dokument me propozim për ndryshime në KP në kapitujt për keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe kompetencave. Sdk-ja atëkohë theksoi se ndryshimet në Kodin Penal janë përgatitur nga Biljana Brishkovski – Boshkovski, ish-zëvendësministre e Drejtësisë në Qeverinë e Nikolla Gruevskit, përndryshe e akuzuar për parregullsi zgjedhore në rastin e PSP-së “Titanik”, ndërsa bashkëshorti i saj DejanBoshkovski, ish-drejtor në ELEM, ishte akuzuar nga PSP-ja në rastin “Tarifa”.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, mohoi se është pajtuar me Zoran Zaev për ndryshime në Kodin Penal, por partia e tij po atë ditë njoftoi se nuk janë pajtuar për asnjë amnisti përmes ndryshimeve në ligj me korrigjim të drejtpërdrejtë të Neni 353.