Osmani do ta hapë Konferencën vjetore të OSBE-së për Sigurinë kibernetike që mbahet në Shkup

Kryetari i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, do të hapë Konferencën vjetore për sigurinë kibernetike/TIK, e cila mbahet në Shkup në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, transmeton Portalb.mk. Siguria kibernetike/TIK dhe rritja e ndërgjegjësimit për t’u mbrojtur nga kërcënimet në rritje të sulmeve kibernetike janë pjesë e […]

Osmani do ta hapë Konferencën vjetore të OSBE-së për Sigurinë kibernetike që mbahet në Shkup
Bujar Osmani (ministër i Jashtëm i RMV-së) në Forumin Strategjik të Bledit. Foto: Portalb.mk

Kryetari i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, do të hapë Konferencën vjetore për sigurinë kibernetike/TIK, e cila mbahet në Shkup në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, transmeton Portalb.mk.

Siguria kibernetike/TIK dhe rritja e ndërgjegjësimit për t’u mbrojtur nga kërcënimet në rritje të sulmeve kibernetike janë pjesë e prioriteteve në agjendën e Kryesimit të OSBE-së në vitin 2023.

Konferenca e sivjetme e sigurisë kibernetike/TIK, e titulluar “Njerëzit, besimi, qëndrueshmëria: Ndërtimi i sigurisë kibernetike për të gjithë”, synon të forcojë sigurinë kibernetike dhe të ndërtojë një qasje kohezive politike midis aktorëve shtetërorë dhe palëve të tjera të interesuara, si sektori privat, komunitetit akademik dhe organizatave joqeveritare.

Konferenca do të shërbejë gjithashtu si platformë për përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, së bashku me organizatat partnere dhe palët e tjera të interesuara për t’u përfshirë në mënyrë aktive në diskutime thelbësore mbi këto tema relevante.

Konferenca do të mbahet më 23 dhe 24 tetor në Shkup.

Kujtojmë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut masovikisht janë duke pranuar mesazhe SMS me të cilat informohen se ka ndryshim lidhur me dërgesat e supozuara që i kanë pranuar.

“Pakoja XXX do ju nënshtrohet tatimeve doganore dhe pagesa duhet të kryhet në këtë link”, thuhet në vetëm një nga mesazhet që dje edhe sot i kanë pranuar një numër i madh i qytetarëve.

“Adresë e gabuar, artikujt do i kthehen dërguesit”, thuhet në një tjetër mesazh të pranuar nga qytetarët.

Kjo i hutoi edhe më shumë njerëzit që me të vërtetë janë duke pritur ndonjë dërgesë të caktuar nga jashtë, kështu që ata të mashtruar kanë klikuar në linkun në të cilin pastaj u  kërkohej numër i kartelës bankare.

Edhe sipas  publikimit të botuar nga Fondacioni “Metamorfozis”, format më të shpeshta të sulmeve fishing janë paralajmërimet e rreme nga bankat ose organizatat e tjera financiare në të cilat përdoruesit i kërkohet të japë të dhënat personale për të parandaluar mbylljen e llogarisë, uebfaqet mashtruese që e bindin përdoruesin të paguajë një shumë të caktuar parash për të blerë një produkt me ç’rast kryhet një pagesë në një llogari të rreme, mesazhet e rreme nga një administrator në të cilat kërkohen të dhëna të ndryshme nga përdoruesi, si për shembull një fjalëkalim, ose njoftimet e ndryshme me të cilat mashtruesit përpiqen të zhvasin para për një bamirësi të rreme.