Përfundoi hetimi për sulmin në M-NAV, pritet që Eurokontrol të vendosë për llojin e veprës penale

90% e hetimit për sulmin në kullën e Kontrollit të Trafikut Ajror në M-NAV më 4 janar ka përfunduar, tani pritet vetëm raporti i Eurocontrol – për atë si e kanë parë ata atë sulm dhe çfarë do nënkuptonte ai për sigurinë e udhëtarëve në trafikun ajror ndërkombëtar që atë mbrëmje udhëtonin mbi Maqedoni, si […]

Përfundoi hetimi për sulmin në M-NAV, pritet që Eurokontrol të vendosë për llojin e veprës penale
M-NAV. Foto: Meta.mk

90% e hetimit për sulmin në kullën e Kontrollit të Trafikut Ajror në M-NAV më 4 janar ka përfunduar, tani pritet vetëm raporti i Eurocontrol – për atë si e kanë parë ata atë sulm dhe çfarë do nënkuptonte ai për sigurinë e udhëtarëve në trafikun ajror ndërkombëtar që atë mbrëmje udhëtonin mbi Maqedoni, si dhe për ata që ateruan e që u ngritën nga Aeroporti i Shkupit.

Sakamdakazam.mk mëson se lidhur me hetimin në Prokurorinë Themelore Publike-Shkup nga Prokuroria e Lartë Publike-Shkup ka pasur sugjerime për ndryshimin e veprës penale të Rrezikimit të trafikut ajror, për të cilin dyshohen tetë autorët në mesin e të cilëve është edhe Bekim Neziri – kryetar i degës së BDI-së në Çair. Sipas përgjegjësve në Prokurorinë e Lartë të udhëhequr nga Mustafa Hajrullahi, nuk ka pasur prova se në momentin e hyrjes në M-NAV dhe Kullën e Kontrollit të dyshuarit e kanë rrezikuar sigurinë e komunikacionit ajror. Ata mendojnë se mund të ketë pasur dhunë, por se trafiku ajror nuk është vënë në rrezik, vepër kjo për të cilën janë paraparë dënime të larta me burg.

Raporti i Eurocontrol-it i kërkuar nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, e cila është duke kryer hetimin, duhet të tregojë se si u është raportuar për ngjarjen e 4 janarit, si është trajtuar, çfarë është ndërmarrë në lidhje me sigurinë e trafikut ajror etj. Është e sigurt se ky raport mund edhe ta definojë veprën penale për të cilën ka mendime kontradiktore të prokurorisë së ulët dhe asaj më të lartë, e për të cilën do të ngrihet aktakuzë.

Më 4 janar portierët ua hapën rampën e mirësiguruar në oborrin e M-NAV gjashtë sulmuesve, pas çka ata kaluan 3 zona të sigurisë dhe me kartelën e punonjësit Bekim Neziri hynë në Kullën e Kontrollit. Nga ajo nxorrën dhe rrahën një kontrollor të trafikut ajror, i cili në atë kohë po bënte turnin e tij në vendin e punës.

Si erdhi deri te kjo? Muajin paraprak (në dhjetor të vitit 2023) Sindikata e kontrollorëve të trafikut ajror doli në protestë për shkak të shpalljeve të dyshimta që rezultuan pastaj në punësime të dyshimta pa përzgjedhje në fushën e Teknikës aeronautike, për çka kjo sindikatë dhe dy sindikatat e tjera në M-NAV u kërcënuan se do të hidhen në grevë dhe se do ta mbyllin për fluturime qiellin mbi Maqedoni. Sindikata kërkonte që drejtori Fahruddin Hamidi t’i anulojë shpalljet, të japë dorëheqje, ndërsa MPB-ja, Policia Financiare dhe Prokuroria të hyjnë njëherë e mirë në M-NAV dhe t’i hetojnë punësimet e paligjshme dhe nepotike, prokurimet publike, shpenzimin e parave publike në Agjencinë që është në pronë të qeverisë.

Sindikata e ka kapur Hamidin duke duke publikuar shpallje në fundjavë, që të mos mund t’i shohë askush përveç atyre që duhet të aplikojnë dhe jashtë ligjit, e që kanë zgjatur vetëm 2-3 ditë.

Hamidi ka refuzuar t’i anulojë shpalljet, ndërsa kryetari i Sindikatës, Aleksandar Tasevski, ka kërcënuar se do të hidhen në grevë. Në mbështetje të tij e me duartrokitje më 4 janar dolën të gjithë kontrollorët e trafikut ajror, inxhinierët, instruktorët dhe punonjësit e tjerë. Pas mbajtjes së konferencës për media, punonjësi Bekim Neziri me shokun më të ngushtë të Hamidit dhe 6 persona të tjerë të jashtëm hynë në M – NAV nga ku nxorrën jashtë një kontrollor të trafikut ajror, të cilin e kanë sulmuar fizikisht. Kontrollori ishte shqiptar, ndërsa këta e kanë dënuar sepse edhe ai ka qenë në mesin e punonjësve që e kanë mbështetur Tasevskin.

Të dyshuarit, sipas Prokurorisë Themelore Publike, kanë kryer vepër penale me të cilën kanë rrezikuar sigurinë e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të kryerjes së veprës penale të dhunës ndaj një personi, kanë penguar shërbimet e aeroportit. Me veprimet e tyre ata e kanë rrezikuar sigurinë e trafikut ajror ndërkombëtar në kohën kur në hapësirën ajrore mbi vendin tonë po zhvilloheshin 28 fluturime nën kontrollin e M-NAV, me çka dyshohen se kanë kryer vepër penale për të cilën është paraparë dënim me të paktën pesë vjet burg.

Pak kohë pas kësaj, në mbledhjen e qeverisë, Hamidi u shkarkua nga posti.

Pakënaqësitë në M-NAV kishin nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë kishte paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Qeveria me kërkesë të Sindikatës shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV zyrtarizoi shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre emëroi Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.