RMV, niveli i ndotjes së liqenit të Ohrit shumë i lartë

Pamjet e liqenit të Ohrit tregojnë se gjendja në disa pjesë është aq alarmues saqë duhet të ndërmerren masa të menjëhershme. Në vend të ngjyrës së pastër blu, uji i liqenit këtu ka ngjyrë kafe të errët. Nga “Ohri SOS” thonë se fotot ilustrojnë ndotjen e liqenit të Ohrit nga lumi Sateska, raporton Alsat-M. “Kjo […]

RMV, niveli i ndotjes së liqenit të Ohrit shumë i lartë

Pamjet e liqenit të Ohrit tregojnë se gjendja në disa pjesë është aq alarmues saqë duhet të ndërmerren masa të menjëhershme. Në vend të ngjyrës së pastër blu, uji i liqenit këtu ka ngjyrë kafe të errët. Nga “Ohri SOS” thonë se fotot ilustrojnë ndotjen e liqenit të Ohrit nga lumi Sateska, raporton Alsat-M.

“Kjo perspektivë jep pamje të qartë të problemit prej dekadash të devijimit të rrjedhës së lumenjve në liqen. Shumica e degëve, për fat të keq, janë të ndotura dhe i gjithë ai sediment përfundon direkt në liqen. Institucionet si zakonisht nuk reagojnë, për ta ky nuk është problem”, tha Ohri SOS.

Ambientalistët dyshojnë se ndotja e liqenit vjen edhe nga ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër, e cila një dekadë është në ndërtim e sipër. Ata thonë se lumi Sateska është një nga ndotësit më të mëdhenj të liqenit që nga viti 1962, që kur është futur në liqen. Ndërkohë në proces është kthimi i Sateskës në shtratin e vjetër, i cili duhet ta zgjidhë këtë problem.

Qendra për Shëndet Publik në Ohër thotë se 80% e analizave të mostrave të marra nga lumi Sateska para bashkimit të tij në liqenin e Ohrit tregojnë devijime nga parametrat fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, ndërsa uji në të shpeshtën e rasteve i përket klasës së tretë ose të katërt.

Ndryshe, përkundër reagimeve për rrezikimin e statusit, Komiteti për trashëgimin botërore në UNESKO në sesionin e 45-të në Riad, vendosi që rajoni i Ohrit të mbetet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në UNESKO.

Liqeni i Ohrit e fitoi statusin e Trashëgimisë natyrore botërore të mbrojtur nga UNESCO në vitin 1979. Një vit më vonë edhe Qyteti i Ohrit iu shtua listës së vlerave të mbrojtura kulturore dhe historike, kështu që rajoni i Ohrit u bë një nga vetëm 38 zonat e përziera natyrore dhe kulturore në botë të njohura dhe të mbrojtura nga UNESCO. Në vitin 2009, nisi një iniciativë për të përfshirë edhe anën shqiptare të liqenit dhe bregdetin nën kujdesin e UNESCO-s, kështu që dhjetë vjet më vonë në vitin 2019, rajoni u zgjerua në të dy anët e liqenit duke mbuluar një sipërfaqe totale prej 94,7 hektarë.