Planeti Tokë e feston ditën botërore të tij i mbytur në plastikë

Dita e Planetit Tokë, e cila tradicionalisht shënohet më 22 Prill këtë vit i dedikohet luftës kundër plastikës dhe mbeturinave të plastikës. Nën moton “Planeti vs Plastika”, fillon një fushatë për zvogëlimin e prodhimit të përgjithshëm të plastikës për 60 përqind deri në vitin 2040 dhe bëhet thirrje për investime në teknologji dhe materiale inovative […]

Planeti Tokë e feston ditën botërore të tij i mbytur në plastikë
Mbeturina rreth liqenit në Strugë - Fotografuar nga Shefkije Alasani /Portalb.mk 11.08.2023

Dita e Planetit Tokë, e cila tradicionalisht shënohet më 22 Prill këtë vit i dedikohet luftës kundër plastikës dhe mbeturinave të plastikës. Nën moton “Planeti vs Plastika”, fillon një fushatë për zvogëlimin e prodhimit të përgjithshëm të plastikës për 60 përqind deri në vitin 2040 dhe bëhet thirrje për investime në teknologji dhe materiale inovative për ndërtimin e një bote pa plastikë, transmeton Portalb.mk.

Plastika është një nga kërcënimet më të mëdha për njerëzit dhe biodiversitetin, ajo është e pranishme në çdo mjedis jetësor, duke e ndotur kështu tokën dhe ujërat dhe duke e prishur në këtë mënyrë edhe ekuilibrin delikat të jetës në Tokë. Kjo vlen veçanërisht për plastikën për një përdorim, për të cilën kërkohet mënjanim i menjëhershëm dhe i plotë përmes obligimit të të gjitha vendeve të botës.

Dita e Planetit Tokë do të shënohet edhe në vendin tonë. Organizata ekologjike “Eko Svest” do të formojë një ekopatrullë me nxënësit e SHF “Strasho Pinxhur” në Vevçan, me të cilët do t’i pastrojnë mbeturinat nga zona e mbrojtur e Burimeve të Vevçanit dhe në këtë mënyrë do ta ngrenë vetëdijen e komuniteteve lokale për ndotjen që është si rezultat i përdorimit të produkteve nga plastika e padegradueshme.

Foto: Eko Svest
Foto: Eko Svest

“Si produkt që vjen nga lëndët djegëse fosile, plastika në të gjithë ciklin e saj jetësor – nga nxjerrja, prodhimi dhe si mbeturinë  – kontribuon në ngrohjen e Planetit dhe e bën të pamundur reduktimin e pasojave të ndryshimeve klimatike. Plastika është e dëmshme për shëndetin e njeriut dhe ndot mjedisin”, thonë nga Eko Svest.

Ata rekomandojnë që tu shmangemi produkteve në ambalazh plastike dhe për të bërë pazar të përdoren qese prej pëlhure. Plastika që grumbullohet në shtëpi nuk duhet të hidhet, por të riciklohet dhe është mirë që të reduktohet edhe sasia e mbeturinave që krijohen në shtëpi apo zyrë.

Shoqata Ekologjike e Maqedonisë (SHEM) Ditën e Planetit Tokë e shënon me aktivitete të Rrjetit të Mësimit Eksperiencial, përmes të cilit ngre vetëdijen për rëndësinë e mjedisit jetësor dhe mundëson mësim të bazuar në shkencë për gjeneratat e reja.

Shishe plastike. Foto: Meta.mk
Shishe plastike. Foto: Meta.mk

“Rrjeti i të mësuarit eksperencial u jep mundësi nxënësve që ta njohin natyrën, t’i kuptojnë proceset e saj dhe të përfshihen në aktivitete për mbrojtjen e saj. Në këtë mënyrë, ne i trajnojmë më të rinjtë se si ta vlerësojnë dhe mbrojnë planetin Tokë për brezat e ardhshëm. Secili nga ne, me veprimet e veta, mund të kontribuojë në ruajtjen e natyrës. Mbjellja e pemëve, riciklimi, mbrojtja e ekosistemeve dhe promovimi i një mënyre të qëndrueshme të jetesës janë vetëm disa nga mënyrat se si mund ta mbrojmë planetin Tokë”, thonë nga SHEM.

Dita e Planetit Tokë është një përkujtim për rëndësinë e ruajtjes dhe për qëndrueshmërinë e mjedisit jetësor, që na përkujton se ne të gjithë duhet të ndërmarrim veprime për një planet më të shëndetshëm dhe një të ardhme më të ndritshme.

Qëllimi i shënimit të kësaj dite në mbarë botën është që përmes eventeve, mjeteve dhe iniciativave të ndryshme të ngrihet vetëdija, të frymëzohen ndryshime dhe të inkurajohet një lidhje më e thellë me natyrën që do ta mbrojë Tokën për brezat e ardhshëm.

Çdo minutë në botë blihen një milion shishe plastike, ndërsa përdoren deri në 5 trilion qese plastike.

Vlerësohet se për momentin në oqeane ka nga 75 deri më 199 milionë tonelata plastikë, çdo minutë në botë blihen një milion shishe plastike, ndërsa çdo vit përdoren deri në pesë trilion qese plastike. Vlerësohet se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës çdo vit hidhen 9.7 miliardë mbetje cigaresh, 4 miliardë nga të cilat hidhen në ujë. Ato përbëjnë pothuajse 20% të të gjitha mbeturinave.

Nga vitet 1950 deri në vitet 1970 është prodhuar një sasi e vogël e plastikës, kështu që ka qenë e lehtë për t’u menaxhuar. Megjithatë, në periudhën nga viti 1970 deri në vitin 1990, prodhimi i mbeturinave plastike është trefishuar, që reflekton edhe një rritje të ngjashme të prodhimit të plastikës. Në fillim të viteve 2000, sasia e mbeturinave plastike për një dekadë është rritur më shumë se në 40 vitet paraprake, për të prodhuar tani 400 milionë tonë plastikë çdo vit.

Produktet e plastikës për një përdorim i gjejmë kudo. Për shumë prej nesh ato janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë, si shishet plastike me ujë, me shampo, kutitë e akulloreve, qeset, lugët e plastikës, pirunjtë, qeskat me patatina, gota për pije të ngrohta, etj.

Nga shtatë miliardë ton mbeturina plastike të krijuara në nivel global deri më tani, riciklohen më pak se 10 përqind. Miliona ton mbeturina plastike humbasin në mjedis ose ndonjëherë përfundojnë mijëra kilometra në destinacionet ku kryesisht digjen ose hidhen. Humbja vjetore e vlerësuar në vlerë e mbeturinave të ambalazheve plastike vetëm nga aspekti i klasifikimit dhe përpunimit është 80-120 miliardë dollarë amerikanë. Bishtat e cigareve, filtrat e të cilave përmbajnë fibra të imëta plastike, janë lloji më i shpeshtë i mbeturinave plastike që gjenden në mjedisin jetësor. Pas këtyre vijnë mbështjellësit e ushqimit, shishet plastike, tapat e shisheve plastike, qeset plastike të produkteve ushqimore, pipat e plastikës. Shumë prej nesh këto produkte i përdorim çdo ditë pa e menduar aspak se ku mund të përfundojnë, tregon analiza e Programit për Mjedisin Jetësor e Kombeve të Bashkuara “Planeti ynë po mbytet në plastikë”.

Nga atje shtojnë se shumica e gjësendeve nga plastika kurrë nuk zhduken plotësisht – ato thjesht degradohen në copa gjithnjë e më të vogla. Ato mikroplastika mund të depërtojnë në trupin e njeriut përmes thithjes dhe absorbimit dhe të depozitohen në organet tona.

Mikroplastika gjendet në mushkëritë, mëlçinë, shpretkën dhe veshkat tona. Një studim i kohëve të fundit zbuloi mikroplastikë në placentën e foshnjave të porsalindura. Shkalla e plotë e ndikimit në shëndetin e njeriut ende është e panjohur. Megjithatë, ka prova të konsiderueshme që kimikatet që lidhen me plastikën, si metilmerkuri, plastifikuesit dhe frenuesit e flakës, mund të depërtojnë në trup dhe lidhen me probleme shëndetësore. Në vendet me sisteme të dobëta të menaxhimit të mbeturinave të ngurta, mbeturinat e plastikës – veçanërisht qeset e plastikës për një përdorim – mund të bllokojnë kanalizimet, duke mundësuar kështu terrene mbarështimi për mushkonjat dhe keqbrësit dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në rritjen e transmetimit të sëmundjeve infektive, si malaria, thuhet në analizë.

Çfarë mund të bëjmë?

Autoritetet janë aktorët kryesorë në zinxhirin e vlerës së plastikës dhe ka disa gjëra që ata mund t’i bëjnë. E para, ata mund t’i ndalojnë produktet plastike që nuk na duhen. Ata gjithashtu mund t’i promovojnë inovacionet, në mënyrë që plastika që na nevojitet të jetë e dizajnuar në një mënyrë që mundëson ripërdorimin e saj. Nga politikat e qeverisë varet nëse do të sigurojnë që plastika të qarkullojë në ekonomi sa më gjatë që të jetë e mundur.

Për sa i përket industrisë së plastikës, Kombet e Bashkuara apelojnë se ajo mund t’i eliminojë paketimet ose produktet plastike problematike ose të panevojshme me redizenjimin e produkteve për rritjen e qëndrueshmërisë së tyre dhe me zbulimin e modeleve të tyre të biznesit për të kaluar nga produktet plastike për një përdorim në ato për përdorim të shumëfishtë.

Për fund, çdo individ mund të kontribuojë në reduktimin e përdorimit të plastikës – duke filluar nga kërkesa që restorantet të mos përdorin më pipa të plastikës, përdorimi i gotave personale në punë,  e deri tek presioni ndaj autoriteteve lokale për ta përmirësuar mënyrën e menaxhimit të mbeturinave.