Politiko: Përpjekje të kota për të ulur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, samiti në Granada pa rezultat

Një samit jozyrtar i komunitetit politik evropian në Granada të Spanjës përfundoi me dështim të enjten pasi udhëheqësit e gati 50 vendeve dhe zyrtarët e lartë të BE-së nuk arritën të bënin ndonjë përparim të rëndësishëm drejt zgjidhjes së konflikteve në pragun e Evropës dhe përpjekjet për të ulur tensionet ishin të kota mes Kosovës […]

Politiko: Përpjekje të kota për të ulur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, samiti në Granada pa rezultat
politiko:-perpjekje-te-kota-per-te-ulur-tensionet-mes-kosoves-dhe-serbise,-samiti-ne-granada-pa-rezultat

politiko:-perpjekje-te-kota-per-te-ulur-tensionet-mes-kosoves-dhe-serbise,-samiti-ne-granada-pa-rezultat

Një samit jozyrtar i komunitetit politik evropian në Granada të Spanjës përfundoi me dështim të enjten pasi udhëheqësit e gati 50 vendeve dhe zyrtarët e lartë të BE-së nuk arritën të bënin ndonjë përparim të rëndësishëm drejt zgjidhjes së konflikteve në pragun e Evropës dhe përpjekjet për të ulur tensionet ishin të kota mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Politiko, transmeton FrontOnline.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani refuzoi të takohet me homologun e saj serb Aleksandar Vuçiq nëse nuk vendosen sanksione ndaj Beogradit për shkak të sulmit të një grupi të armatosur të serbëve ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjska më 24 shtator.

“Ndjenja e kotësisë” së samitit joformal arriti kulmin kur Spanja si mikpritëse anuloi në minutën e fundit konferencën e planifikuar për shtyp, të cilën e prisnin rreth 700 gazetarë.

Spanja, e cila kryeson Bashkimin Evropian, nuk shpjegoi pse u anulua konferenca për shtyp, në të cilën ishte dashur t’i dorëzonte zyrtarisht Britanisë së Madhe menaxhimin e komunitetit politik evropian.

Mungesa e entuziazmit të liderëve për samitin ishte evidente që në mëngjes, kur shumë pjesëmarrës nuk ishin gati t’u drejtoheshin gazetarëve të shumtë që i prisnin.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni kaloi pranë gazetarëve duke folur në celularin e saj dhe as kancelari gjerman Olaf Scholz dhe as kryeministri britanik Rishi Sunak nuk iu drejtuan mediave.

Samiti i tretë i Komunitetit Politik Evropian, një platformë e krijuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, u shënua nga këshilltarët si një mundësi për ndërmjetësim midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, për de-përshkallëzimin e tensioneve në Ballkan dhe për diskutim strategjik mbi sigurinë evropiane.

Udhëheqësit ishin të bashkuar në mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe presidentin e saj Volodymyr Zelensky, por ata nuk arritën të bënin përparim kur bëhet fjalë për konflikte të tjera.

Ata shpresonin se Granada do të priste takimin e parë midis Presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe kryeministrit armen Nikol Pashinyan që kur Azerbajxhani nisi një ofensivë në Nagorno-Karabakh, e cila çoi në eksodin e më shumë se 100,000 refugjatëve armenë nga ai rajon.

Megjithatë, shpresat se do të ndërmerren hapa për t’i dhënë fund krizës humanitare në Nagorno-Karabakh u shteruan kur presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe lideri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, vendosën të mos vinin në samit. Azerbajxhani akuzoi Francën për njëanshmëri në negociata dhe pranoi të bisedonte vetëm me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel.

Në fund të ditës, Macron u tha gazetarëve se, së bashku me forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit kibernetik, bisedimet për Armeninë ishin dëshmi se samiti ishte i dobishëm, edhe pse ato u mbajtën pa palën tjetër, Azerbajxhanin./FrontOnline/