Premtimet e parealizuara të Kurtit/ Opozita: Qeveri e dështuar dhe mjerimit, fitoi me kauza të rrejshme

Erdhi në pushtet me premtime të mëdha. Por, disa nga to as që kanë filluar të realizohen. Banim të përballueshëm për 4.000 familje, pesëfishim të numrit të inspektorëve të punës, padi për gjenocid ndaj Serbisë, shërbim ushtarak të obligueshëm, ndërtim të 160 çerdheve, funksionalizim të Aeroportit të Gjakovës janë vetëm disa nga premtimet e Kurtit […]

Premtimet e parealizuara të Kurtit/ Opozita: Qeveri e dështuar dhe mjerimit, fitoi me kauza të rrejshme
premtimet-e-parealizuara-te-kurtit/-opozita:-qeveri-e-deshtuar-dhe-mjerimit,-fitoi-me-kauza-te-rrejshme

premtimet-e-parealizuara-te-kurtit/-opozita:-qeveri-e-deshtuar-dhe-mjerimit,-fitoi-me-kauza-te-rrejshme

Erdhi në pushtet me premtime të mëdha.

Por, disa nga to as që kanë filluar të realizohen.

Banim të përballueshëm për 4.000 familje, pesëfishim të numrit të inspektorëve të punës, padi për gjenocid ndaj Serbisë, shërbim ushtarak të obligueshëm, ndërtim të 160 çerdheve, funksionalizim të Aeroportit të Gjakovës janë vetëm disa nga premtimet e Kurtit që nuk janë realizuar ende.

Ani pse kjo qeverisje e ka vitin e fundit të mandatit.

Me të gjitha këto premtime Kurti kishte kërkuar besimin e qytetarëve në zgjedhjet e vitit 2021, shkruan Front Online.

Nga opozita po thonë se premtimet e Kurtit kanë qenë kauza të rrejshme vetëm sa për të marrë pushtetin.

Deputeti i PDK-së: Kurti nuk i ka kryer as 6% të premtimeve, është mirë të shkojmë në zgjedhje

 Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa për Front Online ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk ka realizuar as 6% të premtimeve të tij deri më tani.

Beqa, ka shtuar se duke parë punën e kësaj qeverie është më mirë që të shkohet në zgjedhje.

“Mund të them nëse i marrim me përqindje nuk i ka kryer as 6% të premtimeve. Unë jam optimist se me ia dhënë një fletë A4 dhe me i thënë sa projekte i ka kryer për Kosovën gjatë mandatit të tij nuk mundet me mbush asnjë faqe. Prandaj, nuk ja vlen me u marrë shumë me premtimet e Kurtit. Është mirë që të shkojmë në zgjedhje dhe të kërkojmë legjitimitet të ri”, është shprehur Beqa për Front Online

Sipas Beqajt, Kurti do të mbahet mend si premtuesi më i madh e realizuesi më i vogël i premtimeve.

“Kurti në një formë apo tjetrën do të mbahet mend si premtuesi më i madh dhe realizuesi më i vogël deri më tani që ka pas ndonjë kryeministër Kosova. Krejt kauzat mos me thënë krejt, mbi 90% të kauzave me të cilat Kurti ka ardhë në pushtet kanë qenë kauza të mashtrimit. Por, kjo ka qenë rruga e tij e vetme për me ardhë në pushtet pra ka qenë mashtrimi”, ka thënë deputeti Beqa.

Beqa mendon se në zgjedhjet e ardhshme qytetarët do ta japin verdiktin e tyre.

Bunjaku-Rexhepi: Qeveria Kurti është qeveri e dështimit, mjerimit dhe depresionit politik

Kauza dhe premtime të rrejshme po i quan të gjitha premtimet e kryeministrit Kurti, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Sipas saj, kryeministri Kurti këto i ka bërë vetëm sa për të ardhur në pushtet.

“Premtimet e kryeministrit Kurti kanë qenë të gjitha kauza dhe premtime të rrejshme. Kurti e ka pas problemin për me ardhë në pushtet, e me i mashtru qytetarët për të marrë votën dhe besimin e tyre dhe mandej me fillu me punu sipas kushteve të tij, apo thjesht mos me mbajt asnjë premtim të cilin e ka dhënë gjatë fushatës elektorale. Ai ka premtuar që në flemë në thëngjill dhe ai e importon thëngjillin, ai ka premtuar 160 çerdhe nuk e di a janë 4 apo 5”, është shprehur Bunjaku-Rexhepi për Front Online.

Deputetja Bunjaku-Rexhepi për Qeverinë Kurti thotë se është qeveri e dështimit dhe mjerimit.

“Ka premtuar 4 mijë banesa për çifte gjë kjo e cila nuk vjen në shprehje. Thjesht kjo është qeveri e dështimit, mjerimit, depresionit politik, ekonomik e psikik tek qytetarët dhe kjo është një qeveri e cila ka manipuluar gjithë kohën me shportën dhe produktet elementare për qytetarët”, ka shtuar ajo.

Bunjaku-Rexhepi, thotë se ka ardhë koha që në pushtet të vij një qeveri që nuk jep shumë premtime, por që ato që i jep edhe i realizon.

“Qytetarëve iu ka bërë jeta jashtëzakonisht e papërballueshme dhe në këtë rast fluksi i madh për me ik prej Kosovës po duket tashmë dhe kjo është një qeveri që sa më shpejtë duhet me shku në shtëpi dhe me lëshu rrugë me ardhë me qeveris ata që dijnë, ata që e zhvillojnë ekonominë dhe ata që premtimet nuk i kanë kaq të mëdha por të realizueshme”, ka pohuar deputetja.

 Deputetja e AAK-se për premtimet e Kurtit: Kampion i rrenave

Kampion të rrenave po e quan kryeministrin Albin Kurti, deputetja e AAK-së,

Ajo, për Front Online po thotë se të gjitha premtimet që i ka bërë kryeministri Kurtit janë bërë për ta mashtruar popullin.

“Realisht, kjo nuk është diçka e re, tashmë jemi mësuar se ky kryeministër është kampion i rrenave.  Këto premtime si edhe shumë të tjera janë bërë për të mashtruar popullin që të marrin votën e tyre dhe siç tashmë është dëshmuar e parë më shumë janë propagandues se pushtet i punës e vendimeve të mira”, është shprehur deputetja Bytyqi për Front Online.

Bytyqi ka përmendur edhe një deklaratë të kryeministri Kurti i cili kohë më parë ka thënë se as në ëndërr shumë qeveri si shohin rezultatet e tyre, por se deputetja thotë se kryeministri vet po sheh ëndrra.

“Kryeministri Kurti ka deklaruar më herët se as në ëndërr shumë Qeveri si shohin rezultatet e tyre, e sinqerisht nuk e di ku po jetojmë ne që nuk po i shohim këto suksese e rezultate. Ndoshta kryeministri po sheh shumë ëndrra vetë dhe nga ato ëndrra nuk po mund të zgjohet kurrsesi. Njerëzit nuk të lënë pa ndëshkim dhe unë uroj dhe shpresoj që këtë ta bëjnë ndaj kryeministrit Kurti pasi është ardh duke i rritur as shumë standardet saqë nuk ka lënë fjalë pa ‘’ngrënë’’ qysh thotë populli”, ka shtuar ajo.

Sipas saj kryeministri Kurti është kryeministri më i dështuar i të gjitha kohërave.

 Nol Nushi: Qeveria “Kurti” është koncentruar në kapjen e shtetit, dështim katastrofal në premtime

 Nol Nushi anëtar i Partisë Socialdemokrate deklaron për Front Online se kryeministri Kurti ka dështuar në raport me premtimet zgjedhore.

“Në raport me premtimet zgjedhore, mandati i qeverisë është dështim katastrofal. Në shumë sfera situata nuk është përmirësuar madje është edhe më keq se që ka qenë. Arsimi dhe Shëndetësia janë lënë në harresë. Politikat e mirëfillta sociale janë zëvendësuar me ndihma të njëhershme në formë lëmoshe”, ka thënë ai.

Sipas tij, qeveria “Kurti” është koncentruar në kapjen e shtetit.

“Nuk ka ndërhyrje strukturore që do ta ndryshonin gjendjen rrënjësisht. Tash për qytetarët alternativë kryesore është ikja nga vendi. Qeveria është e koncentruar në dialog, dhe në kapjen e shtetit. Në të parën nuk ka sukses, por te e dyta ka bërë shumë përparime në shërbim të partisë e në dëm të shtetit”, ka shtuar Nushi, për Front Online.

Për këto premtime dhe mos nisjen e realizimit të tyre Front Online ka pyetur edhe Qeverinë e Kosovës, por zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu nuk ka kthyer përgjigje./Front Online