Sa rrogë merr një ministër, drejtor apo funksionar? Qasjes në informata e penguar me padi gjyqësore, jotransparencë dhe heshtje

Sa rrogë merr një ministër, drejtor apo funksionar i caktuar? Sa para kanë shpenzuar deputetët për shpenzimet e udhëtimit? Sa vendime gjyqësore janë marrë për dhunë në familje? Sa kushtojnë dekorimet e Vitit të Ri për çdo qytet të vendit? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që qytetarët mund t’i përdorin dhe të marrin përgjigje […]

Sa rrogë merr një ministër, drejtor apo funksionar? Qasjes në informata e  penguar me padi gjyqësore, jotransparencë dhe heshtje
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Sa rrogë merr një ministër, drejtor apo funksionar i caktuar? Sa para kanë shpenzuar deputetët për shpenzimet e udhëtimit? Sa vendime gjyqësore janë marrë për dhunë në familje? Sa kushtojnë dekorimet e Vitit të Ri për çdo qytet të vendit? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që qytetarët mund t’i përdorin dhe të marrin përgjigje duke e përdorur Ligjin për Qasja të Lirë në Informatat me Karakter publik. Çdo institucion që disponon me para publike, sipas ligjit, është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave të parashtruara të qytetarëve, organizatave joqeveritare, gazetarëve dhe të gjithë personave fizikë dhe juridikë brenda 20 ditëve. Qëllimi është i thjeshtë – që institucionet të jenë transparente dhe të japin llogari para publikut, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Nëse një institucion nuk i përgjigjet kërkesës brenda 20 ditëve ose nëse kërkuesi nuk është i kënaqur me përgjigjen, parashtrohet ankesë deri te Agjencia për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, e cila më tej ka kompetencë ta detyrojë institucionin të veprojë sipas kërkesës, nëse ajo është me interes publik dhe përbën informatë publike. Nëse informacioni nuk merret, ekziston mundësia për të ngritur padi në Gjykatën Administrative.

Rreth 60 për qind e ankesave janë për shkak të heshtjes së administratës

Meta.mk vizitoi Agjencinë. E vendosur në katin e 14-të të objektit të RTVM-së, 18 punonjësit i takuam me duar plot. Arkivi është i mbushur me lëndë, gjegjësisht me ankesa, ndërsa hapësirat e rinovuara kanë pamje nga i gjithë Shkupi, si për të treguar simbolikisht se kjo Agjenci me vigjilencë e monitoron transparencën dhe llogaridhënien e të gjithë atyre që financohen nga paratë publike. Por, natyrisht, rruga nuk është e lehtë – heshtja e institucioneve mbetet problem, përkundër të gjitha përpjekjeve për të zhdukur këtë fenomen – 60 për qind e ankesave janë për shkak të heshtjes së administratës, gjegjësisht për mosveprimin në lidhje me kërkesat e qytetarëve, gazetarëve, organizatave joqeveritare…

Arkiv dokumentesh, fotografi nga Meta.mk
Arkiv dokumentesh, fotografi nga Meta.mk

Kështu, gjatë vitit 2023, sipas raportit vjetor të Agjencisë, janë parashtruar gjithsej 453 lëndë/ankesa, të parashtruara kundër akteve administrative dhe reale të organeve të shkallës së parë, ose për shkak të të ashtuquajturës heshtje e administratës. 277 ankesa (61%) janë parashtruar për mosveprim nga poseduesit e informacionit pas kërkesave për qasje të lirë në informatat me karakter publik, gjë që flet për një rritje të lehtë të heshtjes së poseduesve të informatave, për dallim nga viti 2022.

“Një dukuri e tillë padyshim tregon për perceptimin e pamjaftueshëm të një pjese të strukturës drejtuese në institucionet – poseduese të informatave, për thelbin dhe rëndësinë e së drejtës për qasje të lirë në informatat me karakter publik. Nga kjo mund të konstatohet se është e nevojshme që Agjencia të vazhdojë me angazhimin, përkushtimin dhe sinergjinë ndërmjet nëpunësve administrativë dhe udhëheqësisë në realizimin e vizionit dhe misionit të Agjencisë, me qëllim të zvogëlimit, por edhe çrrënjosjes së plotë të heshtjes së administratës”, thuhet në raportin vjetor të Agjencisë për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik.

Diçka e ngjashme konstatohet edhe në raportin e detajuar të Fondacionit Metamorfozis. “Vlerësimi i qeverisjes së mirë të pushtetit ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon përmes Indeksit të Hapjes”.

Qasja në informacion është një komponent kyç i qeverisë transparente dhe të përgjegjshme. Qëllimi i qasjes në informacion është t’u mundësojë qytetarëve të shohin se si funksionon qeveria, gjegjësisht të jenë në gjendje të zbulojnë korrupsionin ose të zbulojnë të meta në krijimin e politikave. Në këtë kuptim, informacioni që krijohet dhe me të cilin disponojnë autoritetet publike i përket publikut. Ligji për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik parashikon detyrimin për poseduesit e informatave për t’iu përgjigjur kërkesave për qasje në informatat me karakter publik (qasje reaktive), por përmban edhe dispozita për publikimin proaktiv të informatave, gjegjësisht publikimin e pavarur të informatave, që njihet si transparencë aktive”, thuhet në Indeksin e Hapjes.

Ministria e Mbrojtjes është më transparentja, Ministria e Sistemit Politik është në fund të listës

Plamenka Bojçeva, drejtoreshë e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Foto nga arkivi i saj privat ( e përdorur me leje)
Pllamenka Bojçeva, drejtoreshë e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Foto nga arkivi i saj privat ( e përdorur me leje)

Pllamenka Bojçeva është drejtoreshë e Agjencisë që nga viti 2020 dhe mandati i saj zgjat deri në fund të vitit 2025, gjegjësisht gjashtë vjet. Ajo për këtë periudhë thotë se është e kënaqur me të arriturat, pavarësisht sfidave me të cilat përballen. Kështu për shembull, në ueb-faqen e re, deri te informacioni i kërkuar mund të arrihet me disa klikime.

“Agjencia duhet të jetë institucioni udhëheqës në fushën e transparencës proaktive. Nëse e shikoni ueb-faqen tonë do të shihni se çdo aktvendim i jonë publikohet, kemi gjashtë kategori aktvendimesh që i publikojmë, e ndër të tjera aty ka edhe dokumente se sa është rroga e drejtorit, zëvendësdrejtorit, deri te shpenzimet për udhëtime zyrtare, etj. Ligji thotë, për shembull, se biografitë e funksionarëve janë të karakterit publik, dhe mu për këtë arsye e gjithë biografia ime profesionale, sikurse edhe ajo e zëvendësit tim, janë publikuar”, tha Bojçeva për Meta.mk.

Sa i përket institucioneve të tjera, ajo thotë se disa praktikojnë publikimin e biografive, por jo të gjitha.

“Ajo që është më e diskutueshme është publikimi i biografive të anëtarëve të këshillave mbikëqyrëse dhe drejtuese. Nëse kemi parasysh që këshilli mbikëqyrës në një institucion vendos për shuma milionëshe, atëherë duhet të shihet edhe biografia e atij që vendos për këtë. E ne nuk e kemi këtë, kështu që ky është problemi më i zakonshëm me këto organe”, shpjegon Bojçeva.

Monitorimi i transparencës që e kryen Agjencia korrespondon me gjetjet e Indeksit të Hapjes së Fondacionit Metamorfozis.

Duke qenë se faqet e internetit janë, në mënyrë legjitime, burimi kryesor i informacionit për punën e institucioneve, dhe në të njëjtën kohë ato janë një mjet për qasjen më të shpejtë, më të lehtë dhe më të sigurt në informacione, duhet theksuar ka ende institucione të pushtetit qendror që nuk i respektojnë udhëzimet e Qeverisë për vitin 2021 për publikimin e 22 informatave të detyrueshme në përputhje me Ligjin për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, dhe as nuk kanë vepruar sipas konkluzionit të Qeverisë që t’i publikojnë të gjitha informacionet e sistemuara sipas fushave në përputhje me Udhëzimet për përmirësimin e transparencës së institucioneve në sektorin publik. Duke pasur parasysh se shumica e treguesve të Indeksit të Hapjes i referohen faqeve të internetit si burim informacioni, ky aspekt reflektohet ndjeshëm në rezultatin e tyre të përgjithshëm dhe për rrjedhojë disa nga institucionet janë nën mesataren e përmbushjes së treguesve” konstaton Indeksi.

Burimi: Vlerësimi i qeverisjes së mirë së pushtetit ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon përmes Indeksit të Hapjes
Burimi: Vlerësimi i qeverisjes së mirë së pushtetit ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon përmes Indeksit të Hapjes

Sipas Bojçevës, komunat e Vallandovës dhe Demir Hisarit janë më të mirat për sa i përket transparencës proaktive dhe asaj që e publikojnë, ndërsa tek ministritë, ndër më transparentet janë Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë, ka një rënie të lehtë te Ministria e Financave, ndërsa Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive është në “status quo” për sa i përket mostransparencës.  Qyteti i Shkupit, thotë Bojçeva, tregon rënie të transparencës, si në aspekt të asaj që e publikon në ueb-faqe, ashtu edhe në pjesën e veprimeve në lidhje me kërkesat për qasje të lirë në informata.

Diçka e ngjashme konstatohet edhe në Indeksin e Hapjes. Ai tregon se nga matja individuale e gjithsej 36 institucioneve, Ministria e Mbrojtjes është institucioni lider për sa i përket përmbushjes së treguesve të hapjes, e më pas vijon Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Në fund të listës së hapjes janë Ministria për Sistem Politik, Drejtoria e Policisë Financiare dhe Sekretariati për Çështjet Evropiane.

Për sa i përket numrit të ankesave të dorëzuara, nga organet publike në nivel qendror, në vitin 2023 prijnë Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndërsa në nivel lokal, shumica e ankesave janë parashtruar kundër Qytetit të Shkupit, Komunës së Strugës, Komunës së Ohrit dhe Komunës së Negotinës. Shifrat e Agjencisë tregojnë një trend në rritje edhe për sa i përket interesimit për informacionet që i krijojnë dhe me të cilat disponojnë Sh.A. ESM, EVN, prokuroritë publike, Këshilli Gjyqësor, gjykatat e apelit dhe ato themelore dhe ndërmarrjet publike.

Burimi: Raporti vjetor për vitin 2023 i Agjencisë për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik
Burimi: Raporti vjetor për vitin 2023 i Agjencisë për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik

Rekomandimi që potencohet në Indeksin e Hapjes është për shkak të tendencave dhe proceseve të reja të digjitalizimit që po ndodhin në botë, e të cilat po imponohen si domosdoshmëri edhe në vendin tonë, pritet që në një të ardhme të afërt t’i kushtohet gjithnjë e më shumë vëmendje transparencës aktive, e cila duhet ta zvogëlojë ndjeshëm numrin e kërkesave të parashtruara në letër për qasje të lirë.

Prandaj, do të duhet të ndiqen edhe praktikat më të dhe mira ndërkombëtare dhe rajonale në lidhje me kohën e pritjes për një përgjigje në lidhje me kërkesën e parashtruar në letër për qasje të lirë, e cila varion nga 7 deri në 15 ditë, dhe do të jetë nevojshme të ndërhyhet tek ne sërish te afati, edhe atë koha e pritjes të reduktohet nga 20 ditë në maksimum 15 ditë, rekomandon Fondacioni Metamorfozis nëpërmjet Indeksit për Hapje.

Për ta vlerësuar kohën e pritjes pas kërkesës së parashtruar tek institucionet, “Metamorfozis” gjatë monitorimit të hapjes së institucioneve, dërgoi nga një kërkesë për qasje në informata te 36 institucione, nga të cilat 27 institucione (75%) u përgjigjën në kohë, brenda afatit ligjor. Ndër institucionet që janë përgjigjur pas afatit ligjor janë dy ministri, edhe atë ajo kulturës dhe e shëndetësisë dhe tre organe ekzekutive: Drejtoria e Policisë Financiare, Inspektorati Shtetëror për Inspektimin Teknik dhe Sekretariati për Çështjet Evropiane. Katër organe ekzekutive refuzuan në heshtje kërkesën për qasje të lirë, përkatësisht nuk u përgjigjën fare, edhe atë Arkivi Shtetëror, Byroja e Ekspertizës Mjeko-Ligjore, Inspektorati Shtetëror i Pyjeve dhe Gjuetisë dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut.

Agjencia për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik
Agjencia për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Foto nga Meta.mk

Qytetarët duhet ta përdorin ligjin jo për interes personal, por për atë kolektiv

Bojçeva konsideron se qytetarët ende nuk dinë ta përdorin siç duhet Ligjin për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, kështu që shpeshherë e përdorin atë për qëllime të tyre personale, pra për të kuptuar se deri në cilën fazë ka arritur lënda e tyre për legalizim etj.

“Ne në IPA 2 kemi pasur një projekt pikërisht për këtë, por qytetarët nuk e kuptojnë se qëllimi kryesor i ligjit është interesi publik dhe interesi i komunitetit të gjerë, e jo interesi i tyre personal. Për shembull, për një lëndë të caktuar për legalizim duhet të kërkohen informata nëpër ligje të tjera materiale”, thotë Bojçeva.

Problem tjetër shtesë është se nëse Agjencia e udhëzon një institucion të caktuar që të veprojë në lidhje me kërkesën për qasje të lirë në informata, në vend që të veprojë poseduesi i informacionit (institucioni), ndonjëherë ndodh që ta padisë Agjencinë.

“Ne vetëm i udhëzojmë, u themi, nuk keni vepruar, por ja ndodh që edhe ndaj vendimeve të tilla të na vijnë padi, kryesisht nga komunat e Strugës dhe e Ohrit. Ne nuk u themi atyre – veproni kështu apo ashtu, por veproni sipas ligjit. Për shembull, ne kemi pasur nëntë padi nga ESM-ja, ku në vend që të veprojnë sipas ligjit, na ngrenë padi. Disa prej tyre janë në proces gjyqësor, e disa kanë përfunduar në favorin tonë”, shpjegon Bojçeva.

Agjencia për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Foto nga Meta.mk
Agjencia për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Foto nga Meta.mk

Ajo apelon që qytetarët ta përdorin Ligjin për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, por jo për interes personal, por për interes më të gjerë.

“Qytetarët duhet të parashtrojnë kërkesa me interes më të gjerë, e jo me interes personal. Për shembull, nëse kanë dijeni për ndonjë sjellje korruptive, pavarësisht nëse bëhet fjalë për vetëqeverisjen lokale apo pushtetin qendror, pastaj nëse me një vendim të caktuar mund të rrezikohet mjedisi jetësor apo shëndeti i njerëzve. Gjithashtu, qytetarët duhet të njihen me proceset edhe para se të merret vendimi, sepse të gjithë së bashku jemi më të mençur dhe për këtë arsye ata duhet të informohen në kohë që të dinë se si të kontribuojnë për vendimet që i merr pushteti lokal dhe qendror” – thotë drejtoresha e Agjencisë për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik.

Rekomandimi i saj kryesor është rritja e transparencës, para së gjithash transparencës proaktive, që do të thotë se poseduesit e informatave, përkatësisht institucionet duhet t’i publikojnë me vetë-iniciativë, në kohë dhe rregullisht informatat që i krijojnë apo me të cilat disponojnë.

“Në këtë mënyrë realizohet interesi publik, mundësohet qasje në punën e sektorit publik në tërësi, gjë që kontribuon në marrjen e vendimeve më të mira dhe zbatimin më të mirë të tyre, mundësohet qasje në shpenzimin e mjeteve buxhetore publike dhe forcohet besimi i qytetarëve në institucionet publike”.

Ilaçi kundër korrupsionit është transparenca, thuhet në hulumtimin e Fondacionit Metamorfozis

Aktivitetet janë pjesë e projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia e Institucioneve Shtetërore në RMV“, i cili zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis me mbështetje financiare nga Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni.