Sofja zyrtare pas deklaratës së Mickoskit: Idetë për rinegociim do ta distancojnë edhe më shumë RMV-në nga BE-ja

Ngritja e ideve për rinegociim të detyrimeve tashmë të ndërmarra ndërkombëtare vetëm sa do të çojë në distancim të mëtejshëm nga fillimi i negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian – reagojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Bullgarisë pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se Korniza negociuese me BE-në […]

Sofja zyrtare pas deklaratës së Mickoskit: Idetë për rinegociim do ta distancojnë edhe më shumë RMV-në nga BE-ja
Ministria e Punëve të Jashme e Bullgarisë. Foto nga ueb-faqja e MPJ-së së Bullgarisë

Ngritja e ideve për rinegociim të detyrimeve tashmë të ndërmarra ndërkombëtare vetëm sa do të çojë në distancim të mëtejshëm nga fillimi i negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian – reagojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Bullgarisë pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se Korniza negociuese me BE-në mund të ndryshohet, transmeton Portalb.mk.

“Në lidhje me deklaratat e kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Bullgarisë vazhdimisht rikujton se konsensusi evropian i arritur në verën e vitit 2022 ndërmjet 27 vendeve anëtare të BE-së dhe vetë Maqedonisë së Veriut përshkruan qartë hapat për arritjen e një progresi real në procesin e integrimit evropian të vendit fqinj. Gjithashtu, parimi i unanimitet në procesin e zgjerimit të BE-së është inkorporuar në Traktatin për Bashkimin Evropian dhe në kornizat negociuese të të gjitha zgjerimeve të mëparshme dhe aktuale”, thuhet ndër të tjera në reagimin e MPJ-së bullgare.

Sofja zyrtare i cilësoi të papranueshme synimet e qeverisë së re në vend “për të mos respektuar marrëveshjet ndërkombëtare”, por edhe synimin me të cilin, siç thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme bullgare, të refuzojë kërkesën e një pjese të qytetarëve të sa dhe të garantojë të drejtat e tyre përmes përfshirjes në Kushtetutë.

“Një qëndrim i tillë është i papajtueshëm me përparimin në rrugën evropiane. Lë shqetësim serioz se në politikën e saj ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, qeveria aktuale në Shkup rrezikon të futet në kurthin e dogmave të një epoke të shkuar, të refuzuara nga të gjitha shoqëritë demokratike”, thuhet në njoftimin e MPJ-së bullgare.

Nga atje vlerësojnë se tashmë vendi ka humbur shumë kohë në procesin e hapjes së negociatave si pasojë e, siç thuhet në deklaratë, provokimeve dhe konfrontimeve të panevojshme me vendet fqinje.

Ata theksojnë se qëndrimi i Bullgarisë mbetet i pandryshuar dhe se për të marrë mbështetje në procesin e përmbushjes së kritereve për anëtarësim në Union, vendi do të duhet të përmbushë detyrimet e veta ndërkombëtare dhe, siç shtohet, t’u përmbahet standardeve më të larta në fushën e të drejtave të njeriut.

Reagimi i Sofjes zyrtare pason pasi dje, në ditën e tij të parë si kryeministër, Hristijan Mickoski deklaroi se Korniza negociuese me Bashkimin Evropian mund të ndryshohet. Ai tha se kur të ketë një qeveri politike në Bullgari, ai është i gatshëm të negociojë për të paktën tre zgjidhje.

Ndryshe nga Mickoski, ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dje tha se vendi nuk është i gatshëm për ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar dhe ato, siç tha ai, nuk kanë lidhje me Kornizën negociuese.