Taravari: VMRO e kuptoi peshën e votës shqiptare me ofertën që na bëri

VMRO e ka kuptuar se ku qëndron pesha e votës dhe deputetëve shqiptarë por fokusi i VLEN është të merr numër më të madh të deputetëve. Kështu ka thënë sot Arben Taravari pas deklaratës së djeshme të kryetarit të VMRO-DPMNE-së ku propozoi qeveri të përbashkët VMRO-VLEN (opozita shqiptare), shkruan Portalb.mk. Taravari tha se propozimi i […]

Taravari: VMRO e kuptoi peshën e votës shqiptare me ofertën që na bëri
Arben Taravari, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

VMRO e ka kuptuar se ku qëndron pesha e votës dhe deputetëve shqiptarë por fokusi i VLEN është të merr numër më të madh të deputetëve. Kështu ka thënë sot Arben Taravari pas deklaratës së djeshme të kryetarit të VMRO-DPMNE-së ku propozoi qeveri të përbashkët VMRO-VLEN (opozita shqiptare), shkruan Portalb.mk.

Taravari tha se propozimi i ardhur nga Mickoski tregon se edhe VMRO e ka kuptuar ku qëndron pesha e votës dhe deputetëve shqiptarë.

“Megjithatë, fokusi ynë si koalicion dhe si parti, është puna për zgjedhjet e 8 majit, për numrin më të madh të mandateve. Pas zgjedhjeve, do të udhëhiqemi nga interesi kombëtar i shqiptarëve, nga nevoja urgjente për pastrim të qeverisë nga korrupsioni, dhe nga orientimi ynë i panegociueshëm pro-perëndimor”, tha Taravari.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski në konferencën e djeshme për shtyp pas përfundimit të rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, theksoi se pas publikimit të rezultateve të para ka kontaktuar me Arben Taravarin ku i ka uruar qeveri të ardhëshme së bashku.

“U dëgjova me opozitën shqiptare, me Arben Taravarin, e urova për rezultatin dhe i dëshirova zgjedhje parlamentare të suksesshme dhe Qeveri të ardhshme në Maqedoni”, tha Mickoski.

Dje në Maqedoninë e Veriut u mbajt rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale.

Sipas 100 % të votave të numëruara nga Komisioni Shtetëror i ZgjedhjeveGordana Siljanovska Davkova ka marrë 363.086 vota (40.08 %), apo 182.586 më shumë se Stevo Pendarovski i cili mori 180.500 vota (19.92%).

Në bllokun shqiptar, diferenca midis dy kandidatëve ishte 37.695 vota. Bujar Osmani nga Fronti Evropian mori 121.088 vota (13.37%). Ndërsa Arben Taravari nga VLEN mori 83.393 vota (9.20%).

Sipas këtyre rezultateve, në rrethin e dytë në përballje kokë më kokë do të shkojnë Pendarovski dhe Davkova, ngjashëm si në zgjedhjet e fundit presidenciale të vitit 2019.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.