Toshkovski: Janë arrestuar dy persona për vrasjen e mjekut në Shkup

Në lidhje me vrasjen e mjekut në lagjen Hekurana të Shkupit janë arrestuar dy persona, ndërsa në një lokacion aktualisht po bëhet bastisje, tha mbrëmë ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i ftuar në podkastin “Pretres”, transmeton Portalb.mk.  Ai theksoi se janë kryer 20 veprime hetimore dhe se në këto shtatë ditë janë kontrolluar […]

Toshkovski: Janë arrestuar dy persona për vrasjen e mjekut në Shkup
Policia e RMV-së, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në lidhje me vrasjen e mjekut në lagjen Hekurana të Shkupit janë arrestuar dy persona, ndërsa në një lokacion aktualisht po bëhet bastisje, tha mbrëmë ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i ftuar në podkastin “Pretres”, transmeton Portalb.mk

Ai theksoi se janë kryer 20 veprime hetimore dhe se në këto shtatë ditë janë kontrolluar mbi 50 kamera, përkatësisht video incizime.

“Po kryhen bastisje në një vend të caktuar. Kemi persona të dyshuar për vrasjen, ka gjurmë të caktuara materiale që na çojnë te këta të dyshuar, janë ndaluar dy persona dhe shpresoj që në një kohë sa më të shkurtër të dalim me detaje për këtë pjesë të veprimeve hetimore“, tha Toshkovski.

Ministri shtoi se sipas gjetjeve fillestare, motivi i vrasjes nuk ka lidhje me profesionin.

Javën e kaluar, një mjek 67-vjeçar nga lagjja Hekurana e Shkupit u gjet i vrarë me thikë në veturën e tij të parkuar.

Siç informuan nga MPB-ja, mjeku kishte një ordinancë private në poliklinikën “Hekurana”.

Trupi i tij i pajetë, siç bëhet me dije nga MPB-ja dhe Prokuroria Publike , është gjetur nga anëtarët e familjes së tij të ngushtë të cilët kanë kishin dalë ta kërkonin pasi nuk ishte kthyer nga puna në shtëpi.