Trashëgimia arkitekturore në flakë, çfarë u bë me konceptet evropiane?

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane. Qytetarët e Maqedonisë gjithnjë e më shumë po tronditen nga skandalet me shkatërrimin e trashëgimisë arkitekturore të vendit, në veçanti të asaj në kryeqytet. Kështu që shpesh pyesim veten – po si është në BE? Një pyetje e mirë në një kohë kur në Bruksel […]

Trashëgimia arkitekturore në flakë, çfarë u bë me konceptet evropiane?
Çarshia e Vjetër në Shkup

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Qytetarët e Maqedonisë gjithnjë e më shumë po tronditen nga skandalet me shkatërrimin e trashëgimisë arkitekturore të vendit, në veçanti të asaj në kryeqytet. Kështu që shpesh pyesim veten – po si është në BE? Një pyetje e mirë në një kohë kur në Bruksel sapo përfundoi Festivali The New European Bauhaus (NEB), që u mbajt nga 9 deri më 13 prill të vitit 2024.

Kompetencat për arkitekturën dhe planifikimin urban në BE në radhë të parë janë tek vendet anëtare, por Bashkimi Evropian ka kompetenca për koordinimin e politikave, duke e trajtuar këtë çështje në radhë të parë si çështje kulturore. Në vitin 2021 BE-ja e promovoi konceptin e Bauhausi-it të ri evropian. Bëhet fjalë për trajtimin e arkitekturës – edhe të ndërtimeve të trashëguara edhe të ndërtimeve aktuale, si pjesë e kulturës. Të gjithë i përdorin termat origjinale gjermane “Baukultur” dhe “Bauhaus”, të cilat na kujtojnë lëvizjen Bauhaus në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.

Në vitin 2021, pas komunikatës së Komisionit Evropian “The New European Bauhaus”, Këshilli i BE-së miratoi konkluzione me të cilat u bëri thirrje vendeve anëtare, ndër të tjera, që të prezantojnë politika të koordinuara për një arkitekturë me cilësi të lartë, të bazuara në multidisiplinaritet. Komisioni Evropian gjithashtu mori detyra më konkrete – ndër të tjera, edhe të mbështesë miratimin e sistemit të cilësisë Baukultur nga Davos, të ndajë fonde përmes programeve të Bashkimit, si dhe të sigurojë sinergji me politikat e tjera të Bashkimit. Marrëdhëniet e Bauhaus-it të ri evropian me të gjitha politikat e tjera prioritare të Bashkimit – nga ekonomia qarkulluese e deri te transformimi digjital, janë të përcaktuara me precizitet. Në këtë koncept janë theksuar tre dimensione “bukuria, qëndrueshmëria, përfshirja”.

Veprimi i tillë i Bashkimit Evropian ishte një vazhdim logjik i ngjarjeve pas mbajtjes së Konferencës së Ministrave Evropianë të Kulturës në Davos në vitin 2018 “Drejt arkitekturës me cilësi të lartë në Evropë”, nën ombrellën e Këshillit të Evropës. Brenda këtyre kornizave u zhvillua sistemi i cilësisë Baukultur, përmes tetë kritereve të përcaktuara. Veprimi i këtillë njëkohësisht është një shembull i shkëlqyer se si institucionet e Bashkimit Evropian veprojnë në mënyrë komplementare me institucionet e tjera rajonale, siç është Këshilli i Evropës.

Ndërsa tani pyetja e paevitueshme: Ku jemi ne?

Shikuar nga ana formale, ne si anëtarë të Konventës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkitekturore të Evropës (Konventa e Granadës e vitit 1985), e cila është nën ombrellën e Këshillit të Evropës, jemi të detyruar ta zbatojmë edhe këtë Konventë edhe dokumentet e tjera të Këshillit të Evropës, të cilat e trajtojnë këtë çështje. Dy nga ministrat tanë të Kulturës kanë marrë pjesë në konferencat e Davos për Baukultur – dhe atë në vitin 2018 dhe në vitin 2023. Janë kthyer me premtime – se do ta inkorporojnë konceptin evropian për Baukulturë në Strategjinë për kulturë, domethënë se do të formojnë një departament për Bauhaus. Për fat të keq koncepti vetëm sa është përmendur në Strategjinë 2018-2023, por nuk është inkorporuar, ndërsa në propozimin për strategjinë e re për periudhën 2024-2027 as që përmendet fare.

Por kur betohemi në Kornizën Negociatore sikur nuk na pëlqen të përmendim se ajo na detyron t’i respektojmë, para së gjithash, parimet dhe qëllimet mbi të cilat bazohet Bashkimi. Në mesin e qëllimeve të Bashkimit është edhe respektimi dhe promovimi i trashëgimisë kulturore evropiane. Pastaj, ai na obligon t’i respektojmë jo vetëm të ashtuquajturat akte të detyrueshme, por edhe ato jo të detyrueshme të Bashkimit. Kjo do të thotë që jo vetëm direktivat, rregulloret, vendimet, etj., por edhe konkluzionet si këto të Këshillit të BE-së për Bauhaus-in e ri evropian.

Dhe është pikërisht dallimi në koncepte dhe fokusi i debatit mes realitetit tonë në Maqedoni dhe atij në BE ai që më shumë na i “vret sytë”. Ajo që po na ndodh neve është krejtësisht në kundërshtim me atë që e kemi nënshkruar me Deklaratën e Davosit. Dhe përderisa në Bruksel po prezantohen projektet inovatore të vlerësuara me çmime për Bauhaus-in e ri evropian, çështja qendrore e debatit tonë është – a digjen veprat tona arkitekturore, pjesë e kulturës së këtij vendi, për të ndërtuar ndërtesa në favor të mafies urbane?

Është e pabesueshme që Bashkimi Evropian do të na e vendosë si kushtin e parë për negociatat, për shembull, respektimin e parimeve të Bauhaus-it të ri evropian. Prandaj, duke e mbështetur rindërtimin e objektit të rrënuar të Postës së Maqedonisë përmes programit “Evropa Kreative”, pas përfshirjes së këtij objekti në listën e shtatë objekteve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në vitin 2021 në Europa Nostra, na demostroi mbështetje konkrete (dhe financiare). Në mënyrë indirekte na tregoi se trashëgiminë arkitekturore maqedonase e trajton si trashëgimi kulturore evropiane dhe na tregoi se si duhet ta trajtojmë ne atë. Si po shkojnë punimet për rikonstruimin nuk është një pyetje që e okupon shumë publikun.

Megjithatë, ndoshta në një mënyrë diskrete dhe pak më shpesh do na kujtojnë për politikat kundër korrupsionit, të cilat sipas Kornizës Negociatore duhet të zbatohen në të gjitha fushat. Një nga fushat me rrezikshmëri të lartë të përcaktuara nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ishte urbanizmi dhe planifikimi hapësinor. Raporti nga fundi i vitit 2022 për përmbushjen e rekomandimeve nga analiza e rrezikut ka konstatuar një nivel të ulët të realizimit – në fushat e ndryshme nga 0% deri në 8%.

Me sa duket duhet të zgjedhim mes bukurisë dhe korrupsionit.