Borxhi publik në Maqedoninë e Veriut është 58.6 përqind e PBB-së

Në fund të muajit mars në Maqedoninë e Veriut është regjistruar borxhi publik në vlerë prej 58.6 % e PBB-së, ndërsa ai shtetëror është 50.4 %, transmeton Portalb.mk. “Të dhënat për gjendjen e borxhit publik deri më 31 mars 2024. Sipas të dhënave të publikuara, borxhi publik arrin në 8.769 milionë euro, që paraqet 58.6% […]

Borxhi publik në Maqedoninë e Veriut është 58.6 përqind e PBB-së
Foto: Portalb.mk/Suad Bajrami

Në fund të muajit mars në Maqedoninë e Veriut është regjistruar borxhi publik në vlerë prej 58.6 % e PBB-së, ndërsa ai shtetëror është 50.4 %, transmeton Portalb.mk.

“Të dhënat për gjendjen e borxhit publik deri më 31 mars 2024. Sipas të dhënave të publikuara, borxhi publik arrin në 8.769 milionë euro, që paraqet 58.6% të PBB-së”, raportoi Ministria për Financa, duke shtuar që borxhi shtetëror është 50.4 % e PBB-së.

Në tremujorin e parë të këtij viti u tërhoqën mjete në vlerë prej 175.5 milionë euro në bazë të marrëveshjes së lidhur kreditore me kreditorët e huaj, ndërkohë u realizua pagesa e detyrimeve për borxhin e jashtëm në vlerë prej 82.7 milionë eurove.

Të dhënat e fundit tregojnë se borxhi publik është brenda kufijve të përcaktuar me ligjin e ri, respektivisht me Ligjin e Buxheteve. Me këtë ligj të ri u vendos rregulli me ç’rast borxhi publik nuk duhet të kalojë 60% të PBB-së, që është edhe në përputhje me kriteret e Mastrihtit”, raportoi Ministria.

Ndryshe, këtë vit, borxhi publik total do të kalojë kufirin maksimal të përcaktuar prej 60% të PBB-së. Nga viti i ardhshëm eurobondet do të “trokasin në derë” për shlyerje. Çështja e qëndrueshmërisë së borxhit publik është bërë aktuale dhe problematike që nga viti 2020, kur filloi trendi rritës. Nga viti 2018, sipas përllogaritjes së “Portalb”-it, borxhi publik total është rritur për më shumë se 2 miliardë euro.

Borxhi i përgjithshëm i të gjitha institucioneve shtetërore, shëndetësisë publike, arsimit, gjyqësorit, shërbimeve sociale, agjencive, komunave, ndërmarrjeve publike, në fund të vitit 2023 ishte 408,1 milionë euro. Në listën e re të “borxhlinjve”, në tre vendet e para janë tre kompani shtetërore.