Xhaferi – Lapsli: Maqedonia e Veriut anëtare e çmuar e Aleancës së NATO-s

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dje pasdite ka takuar ndihmës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për politikë dhe planifikim të mbrojtjes, Angus Lapsli në suazat e vizitës së tij në Shkup, transmeton Portalb.mk. Kryeministri Xhaferi i uroi mirëseardhje ndihmës sekretarit të përgjithshëm Lapsli, dhe njëherazi e konfirmoi kontributin e Maqedonisë së Veriut në […]

Xhaferi – Lapsli: Maqedonia e Veriut anëtare e çmuar e Aleancës së NATO-s
Talat Xhaferi dhe Angus Lapsli. Foto: Qeveria e RMV-së

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dje pasdite ka takuar ndihmës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për politikë dhe planifikim të mbrojtjes, Angus Lapsli në suazat e vizitës së tij në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Xhaferi i uroi mirëseardhje ndihmës sekretarit të përgjithshëm Lapsli, dhe njëherazi e konfirmoi kontributin e Maqedonisë së Veriut në NATO, i cili po forcohet vazhdimisht. Arritja e 2,05% të PBV-së në buxhetin e mbrojtjes, 30% e të cilave janë për modernizimin e Armatës, janë një tregues i fortë për këtë kontribut.

Njëkohësisht, me pjesëmarrjen në sigurinë kolektive përmes forcave multinacionale të Aleancës në Rumani, në Bullgari dhe në Letoni, si dhe në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR dhe në operacionin e BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, ALTEA, vendi është pozicionuar gjithashtu si një nga shtyllat e stabilitetit rajonal.

Në takim, të dy delegacionet patën mundësi të diskutojnë për Samitin e NATO-s në Uashington në frymën e 75-vjetorit të Aleancës, si dhe për planet aktuale të mbrojtjes, duke pasur parasysh situatën e sigurisë globale në Evropë dhe në botë. Të dy delegacionet konfirmuan gjithashtu mbështetjen që shtetet anëtare, përfshirë Maqedoninë e Veriut, e japin për Ukrainën.

Nga ana e ndihmës sekretarit të përgjithshëm, Lapsli, u theksua  se Maqedonia e Veriut është një anëtare e çmuar e Aleancës, duke marrë parasysh kontributin e përgjithshëm që ka dhënë deri më tani. Aleanca është më e bashkuar dhe më e fortë se kurrë në historinë e saj dhe me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë, NATO-ja bëhet garantuesi i sigurisë së mbi 1 miliardë qytetarëve të botës demokratike.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur plot 4 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.